Instinktet kafshërore brenda njeriut

Analiza

Instinktet kafshërore brenda njeriut

Nga: Lekë Imeraj shkrimtar, përkthyes, publicist Më: 30 qershor 2022 Në ora: 14:38
Lekë Imeraj

Sipas neuropsikiatrit Reinhard Haller (25.09.1951), nga natyra, të gjithë njerëzit janë të dhunshëm, “kafshërorë“. Në princip, te çdo njeri fshihet potenciali i dhunës, edhe nëse shumica e tyre nuk e shfaqin kurrë. Sa për qind e popullsisë e shfaqin dhunën gjatë jetës? Sipas filozofit Rudolf Haller (1929- 2014), rreth 12 për qind e popullsisë, e bëjnë veten të dënueshëm, si dhunues, të paktën një herë, gjatë jetës.

Vetëm kaq!?

Psikologu i kriminalistikës, amerikani Joe Navarro, mendon se shifra e errët, është shumë më e lartë nga ajo që thotë Haller. Një gjë të tillë, e pranon edhe vetë Haller. Sa është kjo shifër!? Nuk dihet, duhet të jenë shumë nga ata që e shfaqin „kafshërinë“ e tyre në jetën private dhe sociale. Ai mendon se, rreth 60 për qind e rasteve të përdorimit të dhunës, nuk denoncohen, dhe autorët nuk dënohen kurrë. Rastet më të shumta janë ato të dhunës në familje, brenda katër mureve.

Brenda çdo njeriu, fshihet i ashtuquajturi instinkti i moralit. Mendohet edhe „bllokuesi“ i instinkteve kafshërore. Funksioni i tij është, mbajtja e njeriut në gjendje ekuilibri social. Në ligj nuk njihet. Për vrasjet jashtë luftës, është shumë i fortë. Ai që vret dikë, i duhet ta kapërcejë këtë instinkt, ta thyejë këtë „bllokues“. Megjithatë, instinkti kafshëror i hakmarrjes dhe gjakmarrjes, shpesh e mund atë. Nëse ky instinkt i moralit, „bllokuesi“ i instinkteve kafshërore, nuk ndërtohet apo dëmtohet që në fëmijërinë e hershme, vështirë se mund të ndërtohet ose riparohet më vonë. Te njeriu, asgjë nuk ndodh rastësisht. Të gjithë njerëzit janë „pushkë e mbushur“, por jo të gjithë e tërheqin këmbzën. Sipas principeve të moralit, të gjithë njerëzit mësojnë kontrollin mbi vetveten dhe sjelljen njerëzore me të tjerët. Që në fëmijëri këshillohen dhe trajnohen për të mposhtur dhe sunduar impulset kafshërore. Por, jo. Jo të gjithë ia dalin. Dikujt i „shkrep pushka“, dikush e „shkrep“ me dashje, dikush tjetër me paramendim.

Dhe… dhuna nuk hesht, pushka nuk ndalet. Përse ndodh kjo barbari sociale? Haller thotë se janë disa faktorë, që i zgjojnë nga dremitja, dhe i nxisin instinktet kafshërore, brenda njeriut. Sipas tij kryesorët janë: Edukimi, gjenetika, dhunimi, alkooli dhe droga. Në një rast po bisedoja me prindërit e një djali, në moshën 24 vjeç. Djali, që në moshën 14 vjeç, ishte futur në rrugën e krimit. Në moshën 16 vjeç kishte kryer një vrasje dhe ishte dënuar me 12 vjet heqje lirie. Megjithatë, nuk tregonte asnjë shenjë pendese, dhe as korrigjimi.

Në vendin e vuajtjes së dënimit, ai ishte koka e organizimit të dhunës dhe ligësive, mbi të tjerët. Gjatë bisedës, nëna kishte ulur kokën dhe ofshante, e mbytur në lot. „Unë ia kam bërë haram gjirin tim“, tha ajo duke qarë me dënesë. Babai, dikur e „shkrepi“ koburen: „Po, veç e ka baba trim“, tha ai, dhe qeshi vesh më vesh, shumë i lumtur, nga kënaqësia që ndiente për „trimëritë“ e djalit të vet. Gjithçka ishte e qartë, ai nuk dëshironte një djalë në shtëpi por, një përbindësh, sipas moralit dhe traditës së vet.

Në familje të tilla, fëmijët, që në fëmijërinë e tyre të hershme, mësojnë „fikjen“ e mekanizmit të ndjenjave. „Bllokuesi“ i instinkteve kafshërore, i programuar nga natyra, është dëmtuar ose nuk është ndërtuar kurrë. Ata mësojnë principin: kundërshtarit, ktheja dyfish, mos i le kusur. Dhe, gjithë jetën e tyre, janë „kobure e mbushur“. Ata ushtrohen si dhunues, autokratë, mbi të tjerët. Sipas psikologut amerikan, Albert Bandura (1925-2021) sjellja e keqe është rrjedhojë e të mësuarit të gabuar. Kjo vjen nga prindërit, shkolla, mjedisi dhe media. Eksperti kriminolog gjerman, Hans-Ludwig Kroeber thotë se, 70 deri në 80 përqind e kriminelëve, janë rritur në familje të dhunshme, ose të desocializuara.

Por jo të gjithë ata që kanë një nënë të vështirë, apo një baba “kafshëror“, ose të dy prindërit njerëz të desocializuar, bëhen kriminelë. „Delja e zezë“ mund të dalë edhe nga prindër model, nga një vatër shumë paqësore, e panjohur për ligësi, dhe e painfektuar nga krimi. Nga vjen kjo „delja e zezë“? Diku në parardhësit, ka ekzistuar gjeni „kriminal“. Ky gjen, sado që dremit, dikur zgjohet, dhe trashëgohet te pasardhësit. Albert Einsteini ishte gjeni. Ai kishte dy djem, njëri ishte njeri normal, tjetri me çrregullime mendore. Nga i mbiu gjeniut „delja e zezë“ në shtëpi? Kjo është trashëgimi gjenetike, sqaron Haller.

Ajo dremit diku, brenda njeriut, gjeneratë pas gjenerate, dhe dikur zgjohet, aty dhe atëherë, ku askush nuk e pret. Eshtë e pashmangshme, dhe shumë e vështirë për t’i korigjuar pasojat e saj, qofshin ato fizike, mendore apo të personalitetit. Duket sikur njeriu i sotëm, psikikisht, është po ai i para dhjetëmijë vjetësh. Thjesht ka modernizuar mjetet e luftës, duke i kthyer ato në vrasëse dhe shfarosëse masive, dhe asgjë më shumë. Kulturantropologeja amerikane, Margaret Mead (1901-1978), dhe psikologu Golding, te dhuna gjetën një sëmundje, por u ndanë në mendime lidhur me diagnozën. Për Golding, dhuna ishte instalim gjenetik të cilin ne e kemi trashëguar nga të parët tanë. Civilizimin ai e mendonte si të vetmin ilaç të kësaj sëmundjeje, por civilizimi mund të mposhtë simptomat dhe jo të shërojë sëmundjen. Mead mendonte ndryshe. Ajo thoshte se dhuna është një sëmundje përhapëse, të cilën e sjell civilizimi.

Sipas saj, civilizimi ishte shkaku dhe jo ilaçi. Kjo është shumë e njohur dhe e theksuar te psikopatët, ata që mendohen tipat mjedis-helmues. Tipi që vuan nga çrregullime të forta narcisoide, të personalitetit, është i njohur si dhunues, poshtërues i të tjerve, dhe shpesh vrasës serial. Dhuna, gjithmonë prodhon dhunë. Sipas psikologjisë, ai që dhunohet, do të dhunojë. Brenda tipit të dhunuar, formohet „principi“: Ashtu siç m’a kanë bërë mua të tjerët, do t’ua bëj unë të tjerëve. Shumë nga diktatorët, kanë përjetuar fëmijëri të dhunshme. Njëri ndër ta ka qënë edhe Stalini. Ai, në fëmijërinë e tij të hershme, kishte përjetuar dhunë nga babai i vet, pijanec. Dikur ai tha: „Të gjithë ata që kanë pushtet mbi mua, më duken aq të rrezikshëm, sa dhe babai im. Nuk i duroj dot“. Dhe, vërtetë nuk i duronte. I vriste.

Alkooli dhe droga, janë faktorë nxitës, në rrugën e kriminalitetit. Ato zgjojnë nga dremitja instinktet kafshërore te individi, dhe shfaqet përbindshmëria. Sipas Haller, smira, urrejtja, xhelozia, janë burimi i 60 - 65 për qind të krimeve kundër personit. „Ilaçi“ kundër kafshërimit brenda njeriut, është gjetur. Ky është edukimi, edukimi, edukimi! Kryesorja është ndërtimi i vetëdijes te fëmijët. Kjo mund të arrihet nëpërmjet tre faktorëve: Kohës, përkushtimit dhe dashurisë, thotë Haller. Edukimi i fëmijëve duhet të fillohet me shkëputjen e fëmijës nga barku i nënës. Atë që nuk e mëson Koleci, nuk e mëson më Kola. Prindër, mësojuni fëmijëve notin, mos u mundoni të thani detin!

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat