Rreziku është i madh, tre lëvizjet e radhës të Putinit nëse fiton në Ukrainë

Analiza

Rreziku është i madh, tre lëvizjet e radhës të Putinit nëse fiton në Ukrainë

Nga: David Lingelbach “The Hill” Më: 13 korrik 2022 Në ora: 21:55
Foto ilustrim

Në librin e tij të shkëlqyer “Stalini”, historiani Stephen Kotkin shpalli synimin e tij për të shkruar një “histori të botës nga pikëpamja e zyrës së Stalinit”. Duke përdorur këtë perspektivë, cili është këndvështrimi aktual mbi botën, nga zyra e presidentit rus Vladimir Putin?

Më konkretisht:Nëse Putin e fiton në luftën në Ukrainë, atëherë çfarë do të bëjë më pas ai?

Pikëpamja nga zyra e Putinit është sot përgjithësisht pozitive. Kjo u reflektua edhe në bisedën plot vetëbesim dhe energji, madje edhe mendjemadhësi, që zhvilloi Putin me sipërmarrësit dhe shkencëtarët e rinj rusë më 9 qershor.

Mendjemadhësia e tij është disi e justifikuar. Rusia kontrollon aktualisht afro 20 për qind të Ukrainës nga 7.2 për qind para pushtimit të 24 shkurtit. Sipas qendrës ruse të sondazheve Levada, popullariteti i Putinit është 83 për qind, më i larti që nga korriku i vitit 2017. Monedha ruse, rubla, është më e fortë tani se sa në çdo periudhë që nga shkurti i vitit 2020.

Më e rëndësishmja, tani duket se nuk ka asnjë alternativë të qëndrueshme ndaj Putinit si udhëheqës i Rusisë, të paktën në periudhën afatshkurtër. Në sytë e rusëve, nuk ka njeri

që do ta bënte Rusinë më të fortë. Kundërshtarët e mundshëm të Putin ose kanë vdekur, ose janë burgosur, internuar, ose u është mbyllur goja.

Duket se ka kaluar momenti i rrezikut maksimal për mbretërimin e Putinit. Sigurisht, e parë nga zyra e Putinit, Rusia mbetet një vend i trazuar, dhe do të mbetet i tillë edhe për disa kohë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, ekonomia ruse pritet të bjerë me 8.5 për qind këtë vit, ndërsa çmimet e konsumit parashikohen të rriten me 21.3 për qind.

Dhe vdekshmëria e tepërt e Rusisë nga Covid-19 është më e larta nga çdo ekonomi e madhe, duke shkaktuar pasiguri dhe stres në shoqërinë ruse. Por pamja nga zyra e Putinit, sugjeron se është koha për të pyetur:Çfarë do të ndodhë më pas?

Ashtu si me oligarkët e tjerë, Putini është një mjeshtër i oportunizmit, dhe nuk ka gjasa të bëjë ndonjë lëvizje të dukshme. Megjithatë, mund të ketë 3 skenarë:një aventurë ushtarake e radhës, krijimi i një organizate alternative ndaj Kombeve të Bashkuara, dhe sigurimi i trashëgimisë së tij të brendshme.

Aventura e ardhshme e Putinit, mund të jetë pushtimi i një vendi tjetër aty pranë. Nuk ka gjasa që ai të zgjedhë të pushtojë anëtarët e NATO-s, si Polonia, Lituania apo Letonia. Edhe pse kjo e fundit një popullsi të madhe rusisht-folëse. Për Putinin nuk ka ndonjë përfitim të dukshëm as nga zgjerimi i pushtimit rus në Gjeorgji apo Moldavi.

Përkundrazi, në përputhje me qëllimin e tij të deklaruar për të rimarrë territoret ruse, lëvizja e radhës e Putinit mund të jetë në jug dhe në lindje, në Kazakistan. Aktualisht atje jetojnë 3.8 milionë rusisht-folës, që përfaqësojnë rreth 21 për qind të popullsisë.

Rusia ka pasur prej kohësh pretendime territoriale në Kazakistanin Verior, ku kozakët krijuan vendbanimet e tyre që në vitin 1584. Këto pretendime u artikuluan nga Rusia qëkur u shemb Bashkimi Sovjetik në vitin 1991, dhe u shfaqën në formën e komploteve separatiste ruse në Oral (Uralsk) dhe Oskemen (Ust-Kamenogorsk) në Kazakistanin Verior gjatë viteve 1990.

Mundësia e një sulmi ushtarak rus në Kazakistan u bë reale në janar të këtij viti, kur trupat ruse nën logon e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO) ndërhynë për një kohë të shkurtër në këtë vend, në përgjigje të trazirave antiqeveritare.

Personeli ushtarak aktiv prej 39.000 trupash që ka Kazakistani, nuk do të ishte ndonjë sfidë e rëndësishme as për ushtrinë e degraduar të Rusisë. Ose Putin mund të nisë ndoshta ndërtimin e arkitekturës së rendit të ri ndërkombëtar në zhvillim. Në kushtet kur Kombet e Bashkuara janë simboli kryesor mbi-kombëtar i sistemit ndërkombëtar perëndimor të pas Luftës së Dytë Botërore, ai parashikon një simbol të ri organizativ si një zëvendësim për OKB-në.

Kjo organizatë e re mund ta ketë bazën në Euroazi. Për shembull, mund të imagjinohet integrimi i Bashkimit Ekonomik Euroaziatik dhe CSTO (që të dyja të udhëhequra nga Rusia) dhe i Bankës Aziatike të Investimeve në Infrastrukturë (e udhëhequr nga Kina).

Ose arkitektura e rendit të ri, mund të ketë më shumë një orientim global, bazuar në strukturën organizative të kombeve të BRICS (Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut). Ose mund kërkohet një organizatë tërësisht e re. Gjithsesi, siç duket nga zyra e Putinit, kjo nismë do të kishte një kumbar:Vladimir Putinin.

Ose ndoshta lëvizja e radhës e Putinit është të sigurojë trashëgiminë e tij të brendshme. Këtu synimi kryesor do të ishte përzgjedhja dhe përgatitja me kujdes e një pasuesi të mundshëm, që mund të çonte përpara arritjet e tij. Duke pasur parasysh afërsinë e Putinit dhe identifikimin me Pjetrin e Madh, mund të synohet që pasardhësi i Putinit të jetë pak e

shumë si Katerina e Madhe, dhe më pak si burri i saj, Pjetri III shumë i dobët.

Disa pasardhës të mundshëm përfshijnë kryeministrin aktual Mikhail Mishustin, apo kolegun e tij oligark Yury Kovalchuk. Edhe pse lufta në Ukrainë po e ndryshon në mënyrë dinamike listën e kandidatëve. Një mënyrë tjetër, përmes së cilës Putin mund të sigurojë trashëgiminë e tij të brendshme, është themelimi i një kryeqyteti të ri rus përtej Uraleve, larg kërcënimeve të perceptuara ushtarake perëndimore, dhe më pranë epiqendrës së Euroazisë.

Zhvendosja e disa funksioneve në qytete të tilla si Samara (ish Kuybyshev, kryeqyteti alternativ i Bashkimit Sovjetik, nëse Moska do të binte në duart e nazistëve), Novosibirsk

ose Vladivostok do të gjeneronte një aktivitet të ri të rëndësishëm ekonomik vendas, dhe do ishte e ngjashme me zhvendosjen që i bëri Pjetri i Madh kryeqytetit rus nga Moska në Shën Petersburg në vitin 1712.

Çfarëdolloj skenari që të ndjekë, Putinit i duket gjithnjë e më e qartë se Rusia do të jetë në fund në gjendje të shpallë një lloj fitoreje në Ukrainë. Ai duket i gatshëm të vazhdojë përpara më planet e tij, dhe thellojë më tej pasigurinë që kanë krijuar veprimet e tij. Pasiguri që krijon mundësi të reja për të dhe për Rusinë. Çfarë pritet më tej nga ai? Më shumë ndryshime në Rusi dhe në botë.

Shënim:David Lingelbach, profesor i sipërmarrjes në Universitetin e Baltimores. Ka jetuar dhe punuar në Rusi në vitet 1994-1999, ku ishte drejtues i Bankës së Amerikës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat