Linjat e zjarrta të luftës dhe linjat e kuqe të telefonit....

Analizë

Linjat e zjarrta të luftës dhe linjat e kuqe të telefonit....

Nga: Agron Shabani Më: 20 janar 2026 Në ora: 11:47
Autori Agron Shabani

Nga bota e dikurshme bipolare ose dybllokiste, sot kemi kaluar në një botë subbllokiste, multipolare, interpolare, konfuze dhe kaotike.

Lufta e Ukrainës, së bashku me shumë ngjarje dhe zhvillime të tjera eklektike, dramatike dhe tektonike, njëherë e përgjithmonë e kanë ndryshuar botën.

Përballë gjeopolitikës ruse, është vënë doktrina, strategjia dhe gjeopolitika e re amerikane, nën menaxhimin dhe përkujdesjen optimale-maksimale të Presidentit Trump, Ministrit të Luftës, Hegset, Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit amerikan, pa i harruar këtu edhe Senatin dhe Kongresin amerikan.

BE-ja është tërësisht jashtë loje.

Me fjalë të tjera: SHBA-ja dhe Rusia, përveç linjave të zjarrta të fronteve të luftës në Ukrainë etj., gjithashtu i kanë ruajtur dhe i zbatojnë edhe linjat e kuqe të telefonit si fuqi të mëdha (superfuqi) ushtarake, nukleare ose atomike.

Kjo nënkupton edhe ndarjen e sferave të interesave strategjike, gjeopolitike dhe të tjera në mes Uashingtonit dhe Moskës në nivel global ose planetar.

Shtoja këtu edhe Kinën, e cila gjithmonë shpreson në një përplasje të mundshme nukleare ose atomike në mes SHBA-së (NATO-s) dhe Rusisë, dhe në fund zhdukjen (shfarosjen) masive të racës së bardhë.

Kështu që, pas gjithë asaj lufte të përgjakshme, shkatërrimtare dhe apokaliptike, njerëzit – e sidomos lidershipi i përgjithshëm politik dhe ushtarak i Ukrainës – ndoshta me sigurinë më të madhe, më në fund do të jenë të detyruar, me çfarëdo çmimi, të pajtohen dhe të pranojnë marrëveshjen e paqes dhe armëpushimit me Rusinë e fuqishme nukleare ose atomike, sepse bota po e sheh qartë se nuk është e interesuar të shndërrohet në material bërthamor ose radioaktiv.

Së këndejmi, sipas Makiavelit: Të gjitha status quo-të, interregnumet, armëpushimet apo shtyrjet e afateve në luftë, në shumicën e rasteve janë të dëmshme, të rrezikshme, fatale, kardinale dhe ogurzeza për ata që kanë pozicione më të dobëta në fushën e luftës.

Rusia është në epërsi enorme dhe absolute në shumicën e fronteve të luftës së saj imperiale dhe apokaliptike në Ukrainë.

Sipas filozofit dhe akademikut të shquar anglez, Bertrand Russell: Asnjë luftë deri më sot nuk ka vendosur dhe përcaktuar se kush kishte të drejtë në luftë – ata që u mbrojtën apo ata që sulmuan – por pas çdo lufte ngrihet pyetja: kush shpëtoi dhe mbeti i gjallë nga lufta?!

Petar Ustinov, ndërkaq, është i mendimit se: Luftërat e atyre që janë më të vegjël, më të varfër dhe më të pafuqishëm kundër atyre që janë më të mëdhenj, më të pasur dhe më të fuqishëm, gjithmonë quhen dhe konsiderohen si terrorizëm; ndërkaq, luftërat e atyre që janë më të mëdhenjtë, më të pasur dhe më të fuqishëm kundër atyre që janë më të varfër, më të vegjël dhe më të dobët, në fakt janë terrorizëm i vërtetë.

Por...

Ja që popujt (kombet) dhe shtetet që kanë më shumë armë, raketa, bomba, avionë (bombardues), municion dhe materiale radioaktive, gjithmonë gjejnë, shpikin, zbulojnë dhe krijojnë motive dhe arsye të ndryshme për të fituar luftën.

Ndaj, sipas narrativës dhe gjeopolitikës ruse: Kush sundon me Rusinë, ai sundon me një pjesë të madhe të botës ose planetit tonë. Në saje të luftës së tyre imperiale dhe kolonialiste në Ukrainë si mjet dhe instrument i vetëm i determinzmit gjeografik dhe historik në favor të interesave strategjike dhe gjeopolitike të Rusisë, Rusia dhe presidenti i saj, Vladimir Putin, e shohin Ukrainën vetëm si “histori gjeografike”, dhe jo si shtet të pavarur, nacional, sovran, integral dhe demokratik. Sepse, sipas rusëve, nuk ka popull ose etnitet ukrainas, por ata janë vetëm “rusë të zëvendësuar, të determinuar dhe të konvertuar në nazifashistë ose armiq të Rusisë”, dhe kështu me radhë.

Gjithnjë sipas mitologjisë (mitomanisë) dhe megalomanisë ruse: Shteti i parë i Rusisë ka lindur në Kiev të Ukrainës (lexo: Prva Kijevskaja Rusija), kisha pravosllave autoqefale e Rusisë gjithashtu, etj.

Ndërkohë që në zonat e pushtuara (okuparuara) nga Rusia, gjegjësisht në të dyja anët e deltës së lumit Dnjeper, thuhet se ndodhen ndoshta resurset ose pasuritë më të mëdha agrare (bujqësore), natyrore, nëntokësore dhe mbitokësore të globit.

Kështu është edhe me komunikimin e vazhdueshëm përmes “telefonit të kuq” në mes Moskës dhe Uashingtonit mbi ndarjen e sferave të interesave strategjike, gjeopolitike dhe të tjera në Evropë, Azi (Indo-Paqësor), Amerikën Latine, Afrikë etj.

Ndërkaq, për shkak se SHBA-ja dhe Anglia (Britania e Madhe) nga viti 1813 deri në vitin 1814 kanë zhvilluar një luftë për Kanadanë, e cila është mbyllur me “status quo” në Gjenevë (Zvicër) më 1815, nuk mund të priten më pretendime të ndryshme të SHBA-së ndaj Kanadasë, por mund të priten ndërhyrje ose intervenime amerikane në Grenlandë, ku mund të vihet në pikëpyetje edhe vetë ekzistenca e NATO-s dhe BE-së etj.

SHBA-ja, në planet e tyre gjeostrategjike dhe gjeopolitike, përmes Grenlandës e shohin mundësinë e mbylljes së “gardhit të fundit” të Rusisë dhe Kinës në Arktik, Antarktik dhe rajone të tjera përreth, ku thuhet se ndodhen rezervat (resurset) ose pasuritë më të mëdha të planetit tonë.

Gjithashtu, SHBA-ja pritet të ndërhyjnë ushtarakisht edhe në Nigeri, Sudan, Iran etj., ku mund të nxiten ose shkaktohen moskënaqësi dhe mospajtime të ndryshme në ato vende që kanë investuar shumë dhe që kanë interesa të ndryshme atje.

Çështja kryesore është se NATO-ja pa SHBA-në është vetëm një kullë prej letre.

Ndërkohë që me ndërhyrjen e tyre në Grenlandë, SHBA-ja në instancë të fundit kanë për qëllim edhe mbrojtjen e interesave strategjike dhe gjeopolitike të aleatëve të saj në Evropë – përmes “rrethimit global” të Rusisë dhe Kinës.

Ndaj, të duken të kota ose fare boshe protestat ose rezistencat e çfarëdollojshme të vendeve të ndryshme anëtare të NATO-s dhe BE-së ndaj kalimit të pashmangshëm të Grenlandës nën juridiksionin, menaxhimin dhe kontrollin amerikan.

SHBA-ja nuk pyesin askënd kur janë në pyetje çështjet kruciale dhe jetike të interesave të tyre strategjike, gjeopolitike, shtetërore ose nacionale. Kjo u pa dhe u vërtetua edhe me rastin e ndërhyrjes energjike të SHBA-së në Venezuelë, ku u kap (arrestua) dhe u ekstradua në mënyrë spektakulare-senzacionale Nikolas Maduro dhe bashkëshortja e tij nga ana e trupave elitare të ushtrisë amerikane.

Nikolas Maduro kishte kohë që ishte shndërruar në “ikonë”, gjegjësisht në kalorës ose gardian të ideologjisë së egër marksiste, leniniste ose “revolucionare-bolshevike” kundër SHBA-së apo botës së pasur industriale dhe kapitaliste.

Vetëm pritej të ndodhte ajo që ndodhi me z. Maduro, i cili i kishte ditët e numëruara.

Një digresion: Thomas Robert Malthus, si profesor dhe akademik në Fakultetin Jezuit të Universitetit të Kembrixhit (Cambridge) në Britaninë e Madhe, përveç tjerash dikur i kishte qortuar dhe kritikuar hapur shkrimet, gjegjësisht format dhe metodat e Karl Marksit dhe Friedrich Engelsit, si dhe idetë dhe teoritë mbi “ushtrinë ose armatën rezervë (Reservearmee)”, “mbipopullimin (mbipopullacionin)” etj., duke u shprehur në vazhdim se luftërat ose konfliktet e ndryshme nuk janë vetëm mjete ose instrumente të njohura distopike, determinante dhe paradigmatike kundër natalitetit dhe fertilitetit, por edhe kundër ideologjisë dhe kauzalitetit kozmetik, kirurgjik, artificial dhe johistorik, duke i favorizuar dhe mbështetur në vazhdim idetë dhe teoritë liberale dhe pozitiviste të Benjamin Franklin-it, Ortësit etj.

Popujt (kombet) dhe shtetet e ndryshme gjithandej globit mirëmbahen ose ushqehen sipas ligjit (progresionit) të njohur aritmetik (matematik), ndërsa rriten (shtohen) ose zgjerohen sipas progresionit të njohur gjeometriko-gjeografik, do të nënvizonte Thomas Robert Malthus, për të theksuar në vazhdim se: “Ne gjithmonë sikur flasim dhe dimë më shumë mbi luftën sesa mbi paqen; kështu që ne gjithmonë dimë më shumë mbi vdekjen sesa mbi jetën, apo dimë më shumë mbi të vdekurit sesa mbi të gjallët dhe mbi të lindurit!”

ASh

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat