Ky shqyrtim analitik trajton degradimin sistematik të përfaqësimit autentik politik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, përmes studimit të rastit të subjektit politik të njohur si Alternativa për Ndryshim (APN). Argumenti qendror është se APN ka evoluar nga një subjekt nominalisht shqiptar në një instrument funksional të interesave shtetërore serbe në nivel lokal, përmes koalicioneve me partitë serbe, adaptimit politik ndaj Beogradit dhe margjinalizimit të nismave perëndimore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Kjo analizë dëshmon se dinamika aktuale politike në Luginën e Preshevës nuk karakterizohet më nga pluralizmi shqiptar, por nga një ndarje thelbësore ndërmjet dy paradigmave politike:
(1) qeverisjes integruese serbofile, e bazuar në lojalitet dhe konformizëm; dhe
(2) qasjes properëndimore, të bazuar në të drejta, standarde ndërkombëtare dhe përfshirje aktive të institucioneve amerikane, përfshirë Rezolutën HR 6411.
1. KONTEKSTI: KRIZA STRUKTURORE E PËRFAQËSIMIT SHQIPTAR
Shqiptarët e Luginës së Preshevës përballen prej dekadash me diskriminim sistemik: nën-përfaqësim institucional, përjashtim ekonomik, shkelje të të drejtave gjuhësore dhe kulturore, si dhe mungesë të barazisë para ligjit. Në këtë realitet, subjektet politike shqiptare kanë pasur tradicionalisht një rol të dyfishtë: përfaqësim elektoral dhe avokim politik ndërkombëtar.
Që nga viti 2015, vërehet një devijim serioz nga ky rol. Një pjesë e elitës politike shqiptare ka braktisur qasjen e bazuar në të drejta dhe ka përqafuar modelin e adaptimit ndaj rendit politik serb, duke e zëvendësuar përfaqësimin politik me menaxhimin e status quo-së.
APN përfaqëson rastin më të qartë dhe më të konsoliduar të këtij transformimi.
2. ORIGJINA POLITIKE E APN-SË: PRAGMATIZËM PA PËRMBAJTJE
Që në fillesat e saj, APN nuk ndërtoi një platformë politike të bazuar në:
• mbrojtjen kolektive të të drejtave shqiptare;
• koordinimin strategjik me faktorët shqiptarë rajonalë (Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Veriut etj.);
• një orientim të qartë dhe të besueshëm euro-atlantik.
Në vend të kësaj, ajo promovoi një diskurs të paqartë të të ashtuquajturit “pragmatizëm lokal”, i cili në praktikë rezultoi në:
• pranimin e strukturave diskriminuese serbe si formë adaptimi përulës të shqiptarëve;
• shmangien e ballafaqimit institucional me qeverinë e Serbisë;
• depolitizimin e pabarazisë etnike.
Ky “pragmatizëm politik” nuk prodhoi reforma strukturore dhe as përmirësim të matshëm të pozitës së shqiptarëve, por kontribuoi drejtpërdrejt në normalizimin e diskriminimit.
3. DELEGJITIMIMI QYTETAR DHE HUMBJA E BAZËS SHQIPTARE
Humbja e mbështetjes publike të APN-së në Preshevë ishte pasojë e drejtpërdrejtë e:
• mungesës së rezultateve konkrete;
• paqartësisë strategjike dhe veprimtarisë tinzare për ndryshimin e strukturës demografike të Komunës së Preshevës përmes realizimit të të ashtuquajturit “Plan Aksional” për vendosjen e emigrantëve nga Lindja e Mesme (Siri, Afganistan, Pakistan etj.);
• perceptimit publik dhe bindjes se ky subjekt politik nuk përfaqësonte më interesin kolektiv shqiptar, përkundrazi.
Ky demaskim i qartë dhe delegjitimim qytetar e shndërroi APN-në nga subjekt përfaqësues në strukturë politike të zhveshur nga legjitimiteti etnik shqiptar, duke e shtyrë atë drejt kërkimit të mbështetjes jashtë elektoratit shqiptar, shpeshherë përmes lavdatave publike ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
4. RIPOZICIONIMI POLITIK I APN-SË: ALEANCAT ME PARTITË SERBE
Në vend të reflektimit dhe reformimit, APN zgjodhi ripozicionimin strategjik përmes bashkëngjitjes së hapur me partitë serbe, veçanërisht në Komunën e Bujanocit.
Ky koalicion:
• nuk u ndërtua mbi parimin e barazisë politike;
• nuk u shoqërua me garanci për të drejtat shqiptare;
• nuk prodhoi mekanizma të përgjegjshmërisë institucionale.
Përkundrazi, ai institucionalizoi nënshtrimin politik të përfaqësimit shqiptar, duke e shndërruar pushtetin lokal në zgjatim funksional të politikës së Beogradit.
5. KONTINUITETI I QEVERISJES SERBOFILE
Struktura aktuale e pushtetit lokal në Bujanoc nuk përfaqëson ndryshim politik, por kontinuitet të të njëjtit model qeverisës. Në këtë model:
• institucionet lokale veprojnë si administratorë të stabilitetit;
• aktorët shqiptarë funksionojnë si ndërmjetës dhe jo si përfaqësues politikë;
• konfliktet strukturore mbahen të pazgjidhura përmes pacifikimit politik.
Ky model prodhon stabilitet afatshkurtër për shtetin serb, por stagnim dhe diskriminim afatgjatë për komunitetin shqiptar.
6. DY PARADIGMA POLITIKE SHQIPTARE NË LUGINË TË PRESHEVËS
6.1. Paradigma integruese-serbofile
Kjo paradigmë:
• e pranon dominimin politik serb si të pandryshueshëm;
• e zëvendëson barazinë reale me integrim formal;
• e kushtëzon pushtetin lokal me lojalitet politik ndaj Serbisë.
APN është përfaqësuesja më konsistente dhe, për momentin, e vetmja parti politike shqiptare në Komunën e Bujanocit dhe në Luginën e Preshevës që përfaqëson këtë qasje të ashtuquajtur “pragmatike”.
6.2. Paradigma properëndimore e bazuar në të drejta
Kjo paradigmë përfshin të gjitha partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës, përjashtuar APN-në, dhe:
• mbështetet në standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut;
• angazhon institucionet amerikane dhe evropiane;
• e sheh Rezolutën HR 6411 si instrument politik për eliminimin e diskriminimit sistemik.
Kjo qasje e kornizon çështjen e shqiptarëve në Luginë më tepër si problem demokratik, e jo si çështje të brendshme etnike të Serbisë.
7. APN DHE MARGJINALIZIMI I HR 6411
Një nga indikatorët më domethënës të orientimit real politik të APN-së është mungesa e mbështetjes aktive për nismat ndërkombëtare që adresojnë diskriminimin ndaj shqiptarëve. Në vend të lobimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, APN ka zgjedhur heshtjen dhe relativizimin.
Në analizën politike, heshtja përbën pozicionim politik. Në këtë rast, ajo përbën pajtim të heshtur me vazhdimin e diskriminimit.
8. TRADHTIA SI KATEGORI INSTITUCIONALE
Në teorinë politike, tradhtia nuk kufizohet në akt të hapur armiqësor. Ajo manifestohet edhe përmes:
• braktisjes së përgjegjësisë përfaqësuese;
• instrumentalizimit të pushtetit për përfitime personale;
• shërbimit dhe servilizmit aktiv ose pasiv ndaj strukturave dominuese.
Sipas këtyre kritereve, veprimi politik i APN-së përbën tradhti institucionale ndaj komunitetit shqiptar që pretendon të përfaqësojë.
9. IMPLIKIME PËR POLITIKËN AMERIKANE DHE NDËRKOMBËTARE
Rasti i APN-së tregon rrezikun e përdorimit të elitave minoritare të konformuara për të:
• neutralizuar kërkesat legjitime për të drejtat e shqiptarëve në Serbi;
• projektuar iluzionin e përfshirjes demokratike të shqiptarëve në institucione;
• ruajtur strukturat diskriminuese ekzistuese.
Për këtë arsye, aktorët ndërkombëtarë duhet:
• të dallojnë përfaqësimin formal nga avokimi real;
• të angazhohen drejtpërdrejt me aktorë politikë të bazuar në të drejta;
• të kushtëzojnë mbështetjen me progres të matshëm në barazinë etnike.
PËRFUNDIM
Rasti i APN-së shërben si paralajmërim strategjik!
Ai dëshmon se përfaqësimi politik mund të zbrazet nga përmbajtja kombëtare dhe të shndërrohet në instrument kontrolli nga Serbia.
Nëse shqiptarët e Luginës së Preshevës synojnë të mbeten subjekt politik dhe jo objekt administrimi, mbështetja ndërkombëtare duhet të orientohet drejt përfaqësimit parimor të tyre, e jo drejt stabilitetit të menaxhuar në favor të një qeverie diskriminuese dhe në dëm të interesave të tyre kombëtare dhe njerëzore.
Preshevë, 10 shkurt 2026