"Makineria" e Putinit që aktualisht po e gllabëron vetveten: Kjo është teza e një eksperteje të Rusisë, në konferencën e sigurisë. Shpjegimi i saj është i thjeshtë.
Lufta në Ukrainë është, sigurisht, një nga temat më të rëndësishme në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) dhe luan të paktën një rol jo të vogël në pothuajse çdo fjalim dhe diskutim në panel. Megjithatë, përveç sloganeve të shumta të këmbënguljes dhe premtimeve për mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën , vështirë të ekzistoi ndonjë ide se si mund të përfundojë lufta.
Ekspertja e Rusisë: “Makineria” që aktualisht po e përpin vetveten
Për këto çështje Ekaterina Schulmann zbuloi të paktën mundësi indirekte. Shkencëtarja politike ruse jeton në mërgim, është ligjëruese në Berlin, kurse ndër të tjera, përqendrohet në veçanti në mekanizmat e vendimmarrjes në sistemet autokratike.
Gjatë një diskutimi në panel në MSC, ajo zbuloi vështirësitë me të cilat përballet regjimi i Presidentit rus Vladimir Putin dhe se si kundërshtarët e tij mund të përfitonin prej kësaj rrëmuje. Teza e saj shumë e gjallë: "Makineria", siç e quan ajo, aktualisht po e gllabëron sistemin.
Schulmann argumenton si më poshtë: Së pari, është e qartë se ka pak ose aspak rezistencë të dukshme të brendshme ruse ndaj Putinit. Nuk ka protesta të dukshme. Lëvizja disidente është shtypur. Ekonomia po funksionon dobët, por situata nuk është katastrofike.
Si po e shkatërron veten sistemi i Putinit
Ajo e krahason situatën në Rusi sot me atë të Bashkimit Sovjetik, në fund të viteve 1980. Në atë kohë, "makineria" - domethënë shteti në tërësi me të gjitha degët e tij - thjesht nuk mund të përpunonte më vendimet e marra nga udhëheqësit e tij. Rezultati ishte i njohur mirë: Bashkimi Sovjetik u shemb, sepse presioni, si i jashtëm ashtu edhe i brendshëm, ishte shumë i fuqishëm.
Schulmann thotë se regjimi i Putinit nuk është ende në atë fazë. "Makineria" e tij është e ende qëndrueshme dhe përshtatet edhe me rrethanat më të pafavorshme. Por sidomos qe një vit e gjysmë, kjo "makineri" e tij ka arritur kufijtë e qëndrueshmërisë së saj.
"Dhe ajo që më bën përshtypje veçanërisht është mënyra se si po e gllabëron veten, jo vetëm duke shtypur rëndë shoqërinë civile dhe popullsinë e saj, por edhe elitat duke i arrestuar, duke ua konfiskuar pasuritë dhe duke ua bërë jetën të pamundur, pa u dhënë asnjë mënyrë për t'u arratisur. Nuk ka strategji daljeje nga kjo gjendje."
Schulmann thotë se, nga perspektiva e Kremlinit, kjo duket të jetë një rrezik më i madh, sesa Rusia të mbetet pa para. "Për aq sa di unë, luftërat nuk vazhdojnë deri në shpenzimin e dollarit ose rublës së fundit, ose deri sa të jetë vrarë ushtari i fundit. Luftërat mbarojnë kur sistemet nuk mund t'i mbështesin më ato. Makineria, si të thuash, e ha veten të gjallë."
Elitat janë thelbësore për Putinin
Është e qartë se elitat në Rusi luajnë një rol vendimtar në sistemin e Putinit. Ai mbështetet në mbështetjen, ose të paktën në heshtjen, e oligarkëve, udhëheqësve të kishës dhe, sigurisht, mbi të gjitha, të udhëheqjes ushtarake. Megjithatë, nëse këto elita pushojnë së mbështeturi vendimet e Kremlinit dhe në vend të kësaj ndërhyjnë, pasojat për Putinin do të jenë katastrofike.
Dhe kjo ka të ngjarë të jetë veçanërisht e vërtetë, kur ata nuk janë më të bindur se janë në rrugën e duhur dhe jeta e tyre nuk është më aq e rehatshme, si më parë. Dhe në të vërtetë, ekspertja Schulmann beson se vendimet e regjimit, tani po e bëjnë jetën më të vështirë edhe për elitat.
Ajo jep një shembull: “Regjimi po merr vendime që janë sit ë thuash jopopullore dhe të vështira për t’u zbatuar, siç është ndalimi dhe bllokimi i të gjitha aplikacioneve të mesazheve në internet, duke i privuar kështu njerëzit nga mjetet e jetës së tyre të përditshme. Pra, struktura e jetës së përditshme tani po ndryshon nga lufta, ndërsa ruajtja e pamjes së normalitetit ishte një detyrë kaq e rëndësishme për regjimin, në mënyrë që t’i bënte njerëzit të besonin se nuk po ndodhte asgjë.”
Pra, cilat janë pasojat, ose më saktë pikat e mundshme fillestare për kundërshtarët e Rusisë, që ta shfrytëzojnë këtë situatë? Për Schulmann-in, është e qartë: "Nxitja e emigrimit të elitës mund të jetë një mënyrë e mire, jo për të shkatërruar makinerinë, por për të ngadalësuar lëvizjet e saj." (Që shkatërrimi të ishte me sa më pak pasoja ).
Nga Gjermanishtja: Sherif Ramabaja