“Përbindëshat e Hekurt” me të cilët Kina po lidh vendet e botës me njëra-tjetrën

Analiza

“Përbindëshat e Hekurt” me të cilët Kina po lidh vendet e botës me njëra-tjetrën

Më: 23 korrik 2018 Në ora: 13:26
Ilustrim

Kina po krijon një rrjet shumë ambicioz transporti në tokë e në det, për të lidhur ekonominë gjithnjë e në rritje me ato të Europës dhe të Afrikës. Dhe nuk po humbet kohë as për të dizenjuar makineri të pabesueshme ndërtimi që ta realizojnë planin sa më shpejt.

Nisma ambicioze “Nje Brez, nje Rruge”, e nisur nga presidenti kinez Xi Jingping në vitin 2013, synon të lidhë dy të tretat e popullsisë së botës në 70 vende të ndryshme, nëpërmjet një rrjeti rrugësh në tokë dhe në det.

Zyrtarët flasin për investime largpamëse me vlerë triliona dollarë, me fonde të krijuara nga bankat, nga vendet pjesëmarrëse dhe nga qeveria e Kinës.

Skema nuk ka shkuar pa debate. Kritikët thonë që projekti krijon një barrë të rëndë për vendet e varfra që kanë me miliarda dollarë borxhe ndaj Kinës, dhe e shohin si  një pjesë e politikës së jashtme kineze.

Megjithatë, shenjat e ndërtimit të “Një Brez, një Rrugë”, mund të shihen në Kinë e përtej, ku një numër i madh makinerish është duke ndërtuar hekurudha me shpejtësi mbresëlënëse.

Image

Ndërtimi i urave

Si ndërtohen aq shpejt hekurudhat për trena me shpejtësi të lartë, kur një pjesë e mirë e tyre është duhet të kalojnë me ura përmbi lugina e kanione?

Për këtë shërben makineria që ndërton ura, SLJ900/32, e quajtur Përbindëshi i Hekurt.

SLJ është e aftë të bëjë punët e disa makinerive njëherësh, që nga transportimi, ngritja me vinç dhe vendosja e pjesëve në hekurudë, duke i bashkuar kolonat me blloqe të mëdhenj guri.

Image

Si funksionon:

Pasi vendos çdo pjesë, makineria 92 metra e gjatë lëviz mbi 64 rrotat e veta dhe kthehet të marrë një bllok tjetër. Pastaj shkon përpara dhe vendos një tjetër bllok të urës.

Secila prej rrotave mund të lëvizë edhe anash.

Edhe po të jetë e ngarkuar në maksimum, makineria mund të ecë me 5 km/orë, duke bërë të mundur që procesi të vazhdojë shumë më shpejt se metodat tradicionale.

Duke qenë 580 tonë, kjo makineri është më e rëndë se çdo mjet tjetër hekurudhor që do të kalojë pas ndërtimit. Kjo do të thotë që urat bëhen edhe më të forta se ç’është nevoja.

Kjo makineri ka realizuar shumë projekte trenash me shpejtësi të lartë, si për shembull hekurudha që lidh Mongolinë e Mesme me pjesën tjetër të vendit, duke çuar përpara planin e Kinës për të ndërtuar 30,000 kilometra me hekurudha të trenave të shpejtësisë së lartë deri në vitin 2020.

Hapja e Tuneleve

Në jug, në zonën e Shantou, jo larg Hong Kongut, Kina është duke punuar me një projekt ambicioz që përfshin ndërtimin e një autostrade me gjashtë korsi, 5 km të gjatë, në një zonë ku ka shumë tërmete.

Pasi tuneli të jetë hapur në vitin 2019, zyrtarët shpresojnë se do të modernizojë transportin e Shantou-s në kohën e duhur që ta kthejë qytetin në një prej 15 porteve kryesore të Rrugës së Mëndafshit.

Më përpara, makineri të tilla do të ishin importuar nga jashtë vendit, por Kina ka nisur t’i ndërtojë vetë makineritë që hapin tunele.

Rezultati është kjo makineri 15.3 metra e gjatë, e ndërtuar nga Grupi i Kompanive Kineze për Pajisje Inxhinierie të Hekurudhave, e zhvilluar me ndihmën e inxhinierëve gjermanë, dhe e bërë publike në vitin 2018.

Ashtu si modelet gjermane, kjo makineri ka një disk të madh rrotullues në majë, që ka aftësinë ta thërrmojë shkëmbin në dhè e gurë.

Makineria me peshë 4000 tonë ka 100 metra infrastrukturë nga pas, që i mundëson punëtorët të ndërtojnë muret e tunelit ndërkohë që makineria thërrmon përpara, centimetër pas centimetri, me goditjet hidraulike.

Mbetjet që lë makineria pas transportohen menjëherë jashtë tunelit.

Nuk është makineria më e gjerë në botë për të ndërtuar tunele. Këtë rekord e ka Bertha, 17.4 metra e gjatë, e përdorur për Rrugën e Alaskës në Siatëll.

Megjithatë, makineri si CREG, 15.3 metra e gjatë, mund të bëhen lojtarë kyç në ndërtimin e tuneleve.

Shtrimi i shinave

Ndërkohë që themelet e nismës “Një Brez, Një Rrugë” janë shtruar nëpër të gjithë territorin e Kinës, projektet infrastrukturore kanë përparuar me mijëra kilometra.

Hekurudha Mombasa-Nairobi në Kenia mori vëmendje ndërkombëtare kur u realizua në Maj të vitit 2017, sepse u ndërtua 18 muaj përpara planit.

Hekurudha 480 kilometra e gjatë është e para që ndërtohet e re në Kenia, që nga pavarësia.

Me 90% të fondeve që vijnë nga Banka Exim e Kinës, kjo është hekurudha e parë jashtë Kinës që është ndërtuar me makineri dhe me standarde kineze.

Për të kuptuar se si hekurudha u ndërtua me nga 700 metra në ditë, duhet të shohim makineritë që shtrojnë shinat.

Makineria transporton pjesë hekurudhe të ndërtuara në fabrikë paraprakisht. Pasi e vendos pjesën e shinës, makineria ecën mbi po atë pjesë për të vazhduar me pjesën tjetër.

Pasi vendosen, shinat e shkurtra zëvendësohen me të gjata, të cilat i japin trenit një ecje me më pak tronditje.

Çdo pjesë e shinave vendoset për 4 minuta.

Kjo nuk është ide e re. Parimi është vënë në zbatim prej dhjetëvjeçarësh, në vende të ndryshme të botës. Por Kina e bën shpejt, duke i krijuar makineritë me shpejtësi dhe me kosto të lirë, si dhe i bën që të kenë mundësinë të mbajnë më shumë shina.

Pavarësisht mrekullive teknike, këto makineri kërkojnë dhe shumë punëtorë.

Punëtorë të zonës, të drejtuar nga inxhinierët kinezë, punojnë pa pushim që të prodhojnë pjesë e shinave në fabrikat e përkohshme që ngrihen përgjatë rrugës.

Pastaj duhet të sigurohen që shinat janë vendosur në vendin e duhur, me një tolerancë gabimi prej vetëm 2 centimetrash.

Ka pasur shqetësime edhe për sigurinë e tyre. Një inxhinier kinez që ka punuar në hekurudhën Mombasa-Nairobi, tha se aksidentet kanë qenë shumë të zakonshme.

“Kur ndodhin, janë shumë të rënda e shpesh përfundojnë me vdekje”, tha ai.

Deri tani, hekurudha kas pasur 10 milionë udhëtarë. Rruga e vjetër  e kolonizatorëve britanikë bëhej për 10 orë. Tani bëhet për katër.

Falë një huaje nga Banka Exim e Kinës, prej 1.5 miliardë dollarësh, ka nisur puna për ta vazhduar hekurudhën më tej, në perëndim, drejt Kisumut. Hekurudha do të lidhë Ugandën, Ruandën, Sudanin e Jugut dhe Etiopinë.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, shumë shpejt Kenia do ta gjejë veten në zemër të një rrjeti hekurudhor të Afrikës Lindore, të financuar nga Kina.

Tom Calver, BBC, ndihmuar nga Yuven Vu, Joe Reed dhe Josh Rayman. Vizatimet nga Prina Shah.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat