Sporti me mangësi e fjalorin enciklopedik shqiptar

Analiza

Sporti me mangësi e fjalorin enciklopedik shqiptar

Nga: Skifter Këlliçi Më: 11 shtator 2018 Në ora: 20:45
Skifter Këlliçi

Shumë vite më parë në  një të përditshme të njohur shqiptare, veç mangësive në dy vëllimet e para të “Fjalorit Encikopedik Shqiptar”, (FESH) , botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, (2008), në fusha të ndryshme, kam vënë në dukje dhe disa mangësi   në fushën e sporteve. Thashë se me kaq do t’i ishte vënë kapak atyre dhe në vëllimin e tretë, që është edhe  goxha   më i madh se dy të parët, (3006 faqe, kurse dy të parët  me rreth  1800 secili), mangësitë do  të ishin më të pakta.

Por u habita që kishte ndodhur e kundërta.: më i madh  ky vëllim, aq më të mëdha mangësitë. Dhe jo cikërrima. Kështu e pashë të udhës që, para së gjithash , të merrja në telefon që nga Bostoni, ku banoj  prej më shumë se 11 vjetësh, pr. Skënder Dedjen, që është edhe sekretari shkencor i redaksisë së sporteve, për FESH-in. Dhe habia ime u shtua edhe  më shumë, kur   më tha se shumë nga zërat e përgatitur prej kësaj redaksie kishin humbur, me sa duket atje…lart  në zyrat   e akademiko-prefesoro-doktorëve  tanë të nderuar që i kishin dhënë dorën e fundit këtij fjalori, pëpara se ta shpinin në shtyp.

Një përgjigje të tillë më dha pastaj edhe një koleg që ishte marrë me përgatitjen e zërave të disa figurave të tjera në fushën e publicistikës sportive.

Nuk u habita nga këto  përgjigje, sepse është për të qeshur dhe për të qarë, kur sheh se në këtë fjalor mungon pikë së pari edhe emri i vetë Skënder Dedjes që ka dhe një ndihmesë të dukshme në fushën e studimeve teorike të futbollit dhe ka qenë nga pedagogët  më të shquar  e  kësaj lënde në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”.

Që të mos zgjatem edhe më shumë dhe kësisoj t’i lodh lëçitësit , po hyj drejt e në temë, duke vënë në dukje këto të meta të  FESH-it në fushën e sporteve, nuk janë pasojë e një hulumtimi  “me rrënjë  e me degë” të zërave të vëllimit të tretë, por thjesht sepse i kam hasur dukë kërkuar zëra sportivë që më duheshin  për të shkruar artikuj, si disa prej atyre që kam botuar prej kohësh në shtypin tonë.

Kështu, kur kërkoja në FESH zërin “SPORTI SHQIPTAR“, themeluar nga Anton Mazreku, i mbiquajtur me të drejtë nga opinioni ynë si babai i gazetarisë sportive shqiptare, mbeta i shtangur, kur vura re se ky zë mungonte. Që të mungonte në  botimin e parë të FESH-it, më 1985, merret me mend, sepse kjo gazetë e botuar nga viti 1935, deri më 1939, pra në kohën e “merhumit Zog”, siç quhej  kjo periudhë, ishte fshirë për arsye politike, (ndonëse shumë organe të tjera shtypi  përfshiheshin në këtë fjalor), dhe si datë e fillimit të shtypit sportiv merrej kështu 23 shtatori i vitit 1945, kur kishte nisur të botohej gazeta “Sporti”, që më pas u quajt “Sporti Popullor”. Por çudia më e madhe ishte se në FESH-in 2008 mungonte edhe zëri “SPORTI POPULLOR”. M‘u desh të shfletoja botimin  e parë  të këtij fjalori  më 1985 dhe e gjeta, shëndosh e mirë,  bash në faqen 981 të tij.

 ”E çuditshme,- mendova.- Mirë “Sporti Shqiptar” nuk mund të përfshihej në FESH-in e vitit 1985, por si është e mundur që “Sporti Popullor”, pra gazetë e botuar në periudhën komuniste, të mos pasqyrohej në FESH-in e vitit 2008?...Mos po mbahej  “qëndrim politik “ ndaj tij si ndaj ”Sportit  Shqiptar”  dikur?” Thua të ishte harruar ?”. (Meqë po trajtojmë   organet e shtypit, në FESH, krahas buletineve të tjera duhej të ishtë përfshirë edhe BULETINI “KULTURA FIZIKE DHE SPORTI”, botim i sektorit shkencor të IKF “Vojo Kushi”, pavarësisht se ai botohej  me një paraqitje  që linte të dëshirohej).

Por s`meritjet pasonin njëra -tjetrën. Meqë  ndodhesha te zërat që  fillonin me shkronjën ”S”, vazhdova më tutje, duke shpresuar që të gjeja zërin” SPORTET”. E kështu kalova disa zëra: ”SPINAQI”…”SPIRIDON”…”SPITALET”…pasuar nga shumë lloje spitalesh-universitare dhe ushtarake, por nuk hasa gjëkundi zërin ”SPORTET”.

 “Mos më kanë sytë “,–  i thashë vetes.

I u ktheva sërishmi zërave me shkronjën “S”, por, për besë, këtë fjalë, nga të parat që kemi mësuar kur kemi qenë të vegjël, e cila  që në FESH-in 2008  duhej të  figuronte pas zërit “Spital” në faqen 2384, nuk ma zuri syri…

Iu ktheva sërishmi FESH-it të vitit 1985 dhe  zërin ”SPORTE” bukur  mirë e hasa  në faqen  981, madje edhe më 6 foto të përmbledhura në  një faqe më përpara.

 “Të ketë harruar  hartuesit e zërave sportivë të FESH-it ta përfshijë këtë zë kaq të rëndësishëm, aq më tepër, kur në fillim të këtij zëri theksohet: ”Tërësia  e lojërave dhe e ushtrimeve sipas rregullave të caktuara, për të cilat bëhen stërvitje dhe organizohen ndeshje?…”, (faqe  979 e Fjalorit të vitit 1985)? Më duket e pamundur, sepse një lajthitje e tillë, qoftë e autorit, qoftë e redaksisë sportive,  ndër të cilët janë pr. Skënder Dedja, pr.Sejfulla Shtepani, pr. Bardhyl Misja, Ismet Bellova, do  ishte gabim shumë i rëndë: të harrohet  zëri  “SPORTET”, kur redaksia është e vetë sporteve?

Mirëpo shkronja “S”,’ paskësh qenë me të vërtetë ters për FESH-in  2008, sepse pas kësaj mungese, pasi  pashë që me shkronjën “S” fillonin shëmë zëra të tjerë: “Stacione”, ( të pompimit, të duhanit,  panxhar-qesherit…), syri më kapi  madje edhe zërin STADIUMI I AMANTIAS,  i ndërtuar në shekullin III  në këtë qytet ilir dhe të plotësuar më mirë se në FESH-in e vitit 1985 nga   arkeologët e njohur,  Apollon Baçe dhe Neritan Ceka. Por  zërin  “STADIUMI KOMBETAR “QEMAL STAFA” ,  sikur e kishte përpirë dheu….Pa le, por mungonte edhe zëri “STADIUM”.

M’u desh që t’i  kthehesha FESH-it 1985 dhe në faqen 983 më ra në sy menjëherë ky zë me plot e plot shpjegime, që   m’u duk sikur të më thoshte: ”Hapi sytë mirë, se këtu më ke, dhe jo vetëm mua…”. Dhe me të vërtetë  pas këtij zëri  vura re edhe zërin “STADIUMI I AMANTIAS”, pastaj zërin “STADIUMI KOMBETAR “QEMAL STAFA”…

Por  mungesat e zërave me shkronjën “S” pasonin  njëra -tjetrën: Mungonte zëri “SPARTKIADA”, një nga veprimtaritë masive më të mëdha dhe më të rëndësishme të zhvilluara gjete periudhës komuniste. Xhan-xhin se gjendej në FESH-in e 2008!...

Mund të thotë dikush: ”E mo, s’na duhen  ato spartakiadat që organizoheshin edhe  për t’i bërë qëjfin Enver Hoxhës, i cili  shkelte në  Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”  vetëm në rastet e zhvillimit të tyre?”. Ashtu është, por të mos harrojmë se spartakiadat  janë pjesë e historisë së sporteve  tona, veçanërisht   manifestimet  masive  fizkulturore që nuk i kemi parë pas vitit 1990 dhe nuk dihet se kur do t’i shohim…Mos ndoshta  për këtë arsye ky zë nuk është përshirë në FESH-in e ri? Apo është harruar si zëra të tjerë që përmenda më sipër?

Vazhdojmë më tutje:

Në FESH-in 1985 përfshihet zëri PALLAT I SPORTIT dhe pas zërit  PALLATI  I SPORTIT  “PARTIZANI”, përmenden dhe pallate të tjera të tilla, të ngritura në qytete të ndryshme  të vendit tonë. Kurse  në FESH-in 2008 mund të shohësh zërin PALLATI I KONGRESEVE, PALATI I MADH I KULTURËS NE TIRANE, por jo PALLATIN E SPORTIT …aq më tepër që pas shembjes së diktaturës  komuniste, quhet “ASLLAN RUSI” në kujtim të këtij volejbollisti të madh. As pallatet e tjera të sportit nuk i gjen  në FESH…

Hapa të çuditshëm prapa.!...

Në FESH-in 1985   përfshihet zëri PALESTRA dhe,  ndër të tjera, vihen në dukje edhe palestrat që janë ndërtuar para dhe pas  Luftës  së Dytë Botërore  në Shqipëri. Në FESH-in 2008 ky zë …ose është harruar, ose autorët  nuk  e kanë quajtur të arsyeshme ta fusin në  faqet e tij.(!?)….

Jo vetëm kaq: Në FESH për mendimin tim, duhej të ishin përfshirë edhe disa zëra që lidhen me figura shqiptare që kanë ndihmuar në mënyrë të dukshme në ngritjen e futbollit tonë. Po përmend disa:

Përderisa në FESH, krahas Loro Boricit, kësaj figurë të madhe  si futbollist dhe trajner, me të drejtë është përfshirë Myslym Alla dhe janë  vënë në dukje sukseset  e tij si trajner i “17 Nëntorit”, sidomos gjatë viteve  1964 -70, kur kjo skuadër  fitoi pesë herë titullin kampion, duhej të përfshihej edhe Zihni Gjinali,ish-futbollist i njohur i kombëtares së viteve 1948-1952 ,por, mbi të gjitha, trajner i “Dinamos”, i cili që nga viti 1950 deri në 1960 fitoi me këtë skuadër 6 herë titullin kampion, duke përkryer sistemin ËM që kishte nisur të zbatohej në vendin tonë më 1946.

Në FESH  duhej të ishin përfshirë edhe dy figura të tjera sportive: Gaqo Gogo,i cili në vitet 30-40-të të  shekullit të kaluar  dha  ndihmesë të dukshme në zhvillimin e gjimnastikës dhe  përmirësimin e programeve të edukimit fizik në shkollat tona, dhe Sali Nallbani, pionieri i zhvillimit të tenisit në Shqipëri,  i cili në vitet ’30-të ka marrë pjesë më sukses edhe në gara ndërkombëtare  dhe që ka ngritur edhe komplekset e para të këtij sporti në Tiranë.

Në FESH duhej  të përfshiheshin gjithashtu edhe dy personalitete të huaja që  ndikuan në  ngritjen  e cilësisë së futbollit në vendin tonë Së pari, specialisti  hungarez, Samo  Singer, që erdhi në vendin tonë nga mesi  viteve ’30-të dhe punoi edhe pranë SK “Tiranës”, dhe specialisti jugosllav, Lubisha  Broshic, i cili drejtoi përfaqësuesen tonë më 1946, dhe  herë të parë zbatoi në  këtë skuadër sistemin ËM, si dhe ndikoi që ajo   të fitonte titullin kampion të Ballkanit.

Së fundi diçka tjetër: Vite më parë  të kaluar, kur  u ndodha në Tiranë, disa shokë më thanë: ”Perderisa në FESH renditen publicistët dhe historianët e njohur sportivë, Ismet Bellova dhe Besnik Dizdari që janë edhe autorë të disa zërave të rëndësishëm në këtë fjalor, si ështe e mundur që nuk je renditur  edhe ti, ( më falni për mungesën e modestisë), jo vetëm publicist, historian dhe komentator sportiv në RTVSH, por edhe shkrimtar me  mbi 30 vepra, madje edhe me temë sportive, si “Historia e futbollit?” , “Nga 2-3-5, në 4-4-2”, “Yjet e futbolli botëror?

Por, siç duket, ata të redaksisë sportive të FESH-it mund të kenë menduar  se emri im duhej të  përfshihej në zërat e letërsisë, si shkrimtar, kurse ata të redaksisë së letërsisë- në zërat e sportit, si publicist dhe komentator sportiv  dhe kështu ka ndodhur që emri im… nuk është përfshirë  fare në FESH…

Siç përmenda dhe më lart,  mangësitë e mësipërme në botimin ri të FESH-it , që rendita në këtë shkrim,  nuk janë rezultat i një hulumtimi, por thjesht i një shikimi të shpejtë të zërave të tij dhe besoj se në një  ribotim , sa më të shpejtë,  ato do të mënjanohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat