Adea Batusha në vend të Donika Kadaj-Bujupit, PSD-ja në vend të AAK-së, Haradinaj shkarkohet?

Analiza

Adea Batusha në vend të Donika Kadaj-Bujupit, PSD-ja në vend të AAK-së, Haradinaj shkarkohet?

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 19 shtator 2018 Në ora: 22:07
Donika Kadaj-Bujupi, Adea Batusha dhe Ramush Haradinaj

Ky koalicion qeverisës në Kosovë, që nga ardhja në pushtet nuk është se kanë gjetur gjithmonë një gjuhë të përbashkët për çështjet e rëndësishme që e preokupojnë vendin tonë.

Plot 22 parti politike i bashkuan forcat për ta pasur atë që donin, e mes këtyre partive janë edhe PDK, AAK, NISMA, e dikur edhe Lista Serbe, që u tërhoq më pas.

Dy krerët e shtetit, presidenti Hashim Thaçi dhe  kryeministri Ramush Haradinaj, para pak ditës dolën me deklarata kundërthënëse rreth formimit apo më saktësisht transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës.

Gjuhë të përbashkët, Thaçi dhe Haradinaj nuk po arrijnë të gjejnë edhe në çështjen e dialogut me Serbinë, veçanërisht për idenë e korrigjimit të kufijve, ide kjo e lansuar nga Thaçi.

Përderisa Haradinaj deklaron se prekja e kufijve do të thotë luftë, në anën tjetër presidenti Thaçi i quan këta njerëz skeptik, duke e rrezikuar vendin me këto deklarata që thërrasin për luftë.

Mos koordinimi i dy krerëve të shtetit, në këtë rast një luftë e heshtur AAK-PDK, mund të qojë deri në rrëzimin e Haradinajt nga posti i kryeministrit, pa e humbur shansin PDK-ja që vet ta marrë në dorë atë pozitë.

Kjo mund të ndodhë nëse PDK-ja i luan një lojë pas shpine Haradinajt.

Rreziku mund i AAK-së mund të vjen pikërisht nga deputetja e tyre, Donika Kadaj Bujupi. Rrezik mund të ketë nëse AAK-ja dhe Donika nuk tregohen të kujdesshëm, pasi që kjo e fundit mund të jetë karremi për t’i dhënë fund Haradinajt.

Donika Kadaj Bujupi, ka hyrë si deputete e Kuvendit të Kosovës me Lëvizjen Vetëvendosje, për t’iu bashkuar më pas ish partisë së saj, AAK-së.

Në këtë lojë, PDK-ja mund të bashkëpunojë lehtësisht me PSD-në, deputetët e të cilës ishin pjesë e Vetëvendosjes.

Një ofertë e mirë për Kadaj-Bujupin që të shkojë ambasadore në ndonjë vend, do t’i hapte rrugë Adea Batushës që të futet në Kuvendin e Kosovës, pasi ajo ishte e votuara e radhës nga Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, ajo nuk do të bashkohet me Vetëvendosjen, parti në të cilën mori përkrahje, por do radhitet në krahun e PSD-së së Shpend Ahmetit.

Nëse ndodh kjo, apo më mirë të themi nëse ndodh që AAK-ja të mashtrohet pas karremit të PDK-së së Veselit, pritet që PSD-ja të afrohet me PDK-në, dhe së bashku me të dhe NISMA-në, ndoshta edhe Listën Serbe, mund ta rrëzojnë Haradinajn nga posti i kryeministrit, për ta sjellë një njeri që nuk ia kthen fjalën Thaçit. Kandidati i ri shumë lehtë mund të jetë dikush nga PSD-ja.

Duke ditur të kaluarën, kjo mund të jetë më e pakta që mund të bëjë PDK-ja me shefin e heshtur, Hashim Thaçin. Ai nuk do e lejojë kurrë që Haradinaj të jetë sadopak pengesë në rrugën e qëllimeve të tij.

Haradinaj i cili e ka kuptuar edhe vetë se ka dështuar totalisht në postin e kryeministrit, do të ishte mirë që të jepte dorëheqje para se të turpërohet fare.

Nëse jo loja e PDK-së, qeverisjes së tij skandaloze do t’i japin fund protestat e thirrura nga Lëvizja Vetëvendosje më 29 shtator në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat