Vizita historike e Ministrit Nedin Hoxha, bërë Beogradit (1980) - Bota Sot
Vizita historike e Ministrit Nedin Hoxha, bërë Beogradit (1980)

Analiza

E shtunë, 17 nëntor 2018

Vizita historike e Ministrit Nedin Hoxha, bërë Beogradit (1980)

Nga: Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më: 19 tetor 2018 Në ora: 16:17
Prof. Dr. Mehdi Hyseni

Me dezinformacione dhe me rrenë mbi rrenë ndërtohet vetëm tradhtia, që shpie në kapitullim, në keqkuptim, në zënka të ndryshme deri në vrasjen e njerëzëve të pafajshëm, jo heroizmi as në Tiranë, as në Prishtinë e as në Beograd, sepse Edi Rama nuk ishte  “I PARI, që pas 68 vitesh e vizitoi Beoigradin” siç gënjyen, pa u skuqur fare disa masmedia shqiptare dhe serbe të Ballkanit.

Sot, vërtet, është e vështirë të kuptohet propaganda e masmediave të pavarura sidomos në Ballkan, sepse  pa asnjë verifikim të  fakteve dhe të argumenteve dokumentuese, paradite të shpallin “hero”, kurse pasdite  të njollosin dhe të shpallin “tradhtar”! –Çfarë standardi dhe kriteri vlerësues është ky, ballkanik, evropian apo botëror?

Kjo dukuri negative po ndodhë në fushën e mediave ballkanike (1990-2018),  për shkak se  askush nuk vret mendjen për t’i verifikuar burimet faktografike të informacionit, pavarësisht nga karakteri i tyre përmbajtësor qoftë vendor apo ndërkombëtar.

– Duket se këtu nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë  përgjegjësie qoftë auotoriale ose editoriale. Po ashtu, nuk mund të flitet për kurrfarë kriteri dhe strndardi profesional as evropian e as ndërkombëtar, por vetëm për  opinione përfolëse (pa fakte dhe pa argumente) për të cilat nuk mbajnë kurrfarë përgjegjësie as autorët shpifarakë  e as  mediat e shkruara e as ato digjitale, si rrjedhim i mungesës së ligjeve sanksionuese për  sajimin dhe për publkimin e gënjeshtrave dhe të informacioneve dezinformuese.

Në këtë kontekst po përmendim vetëm një rast konkret, e ky është Edi Rama, kryeministri aktual i qeverisë së Shqipërisë, i cili me të vizituar Beogradin në vitin 2014, masmediat e mbvlerësuan si “hero” dhe  si “shpëtimtar” të Kosovës, sepse në takimin e presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq pati kurajon, që në prani të masmediave, t’i thoshte Vuçiqit se “Kosova është e pavarur. Prandaj, Serbia duhet pranuar dhe pajtuar me  këtë realitet të ri”. Kjo ishte  në rregull, por, jo edhe ndonjë sensacion spektakular politik, kur dihet se Shqipëria e Edi Ramëve nuk e ndihmuan e as nuk e çliruan Kosovën nga Serbia gjenocidale e Slobodan Milosheviqit (1989-1999), por këtë e bëri UÇK-ja me kryekomandantin e saj historik kombëtar shqiptar, Adem Jashari dhe Amerika me ish-presdientin e saj historik, Bill Clinton.

Ndërkaq, sot, pas katër vitesh (2018) të njëjtit autorë dhe të njëjtat masmedia, Edi Ramën po quajnë “tradhtar”, gjoja se tanimë kanë zbuluar takimet e tij të fshehta me Alekasandar Vuçiqin për “ndarjen e Kosovës”.

Akti i parë dezinfomues për “heroizmin” e Edi Ramës në Beograd

Ata që e shoqëruan Edi Ramën gjatë vizitës në Beograd, më 2014, shkruan dhe transmetuan nga “lozhat” e tyre  raportuese një të pavërtetë  të  madhe “historike” dhe “sensacionale” se gjoja  kryeministri i qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama ishte  i pari zyrtar i lartë i Shqipërisë, i cili  vizitoi Beogradin, pas vizitës së parë të parë të Enver Hoxhës, i cili i bëri Jugosllavisë në vitin 1946. 

Kjo ishte vërtet një rrenë e “bukur për hava” në mungesë të mosnjohjes dhe të mosverifikimit të historikut të marrëdhënieve politike dhe diplomatike mes Shqipërisë dhe Serbisë, përkatësisht ish-RSFJ-së (1945-1990), sepse pas Enver Hoxhës (1946),   Ministri i Tregtisë së Jashtme të RPS-së së Shqipërisë, Nedin Hoxha ishte ZYRTARI I PARË I LARTË I QEVERISË SHQIPTARE, i cili  vizitoi kryeqytetin e Jugosllavisë, Beogradin (qershor 1980), JO Edi Rama (2014), të cilin masmediat e ndryshme dezinformuese vetëm sa nuk e shpallën edhe “hero” gjoja për  guximin dhe për  mençurinë, që “I PARI” nga qeveritarët shqiptarë të Tiranës vete në Beograd  pas “68 vitesh”. Mirëpo, kjo ishte një rrenë  e “destiluar “ e propagandës  mediale serbo-shqiptare  për  ta mashtruar dhe dezinformuar opinion publik, se gjoja kryeministri i Shqipërisë , Edi Rama ishte  ndër shtetarët e parë, që  “theu akullin” midis Tiranës dhe Beogradit në avancimin dhe  në normalizimin e klimës së marrëdhënieve politike, diplomatike, ekonomike, tregtare, kulturore etj. në frymën e  integrimeve dhe të standardeve  të BE-së.

Pra, si theksuam më sipër, kjo nuk është fare e vërtetë, SEPSE  pas Enver Hoxhës, në nivelin më të lartë shtetëror, që e vizitoi   Beogradin, kryeqytetin e Republikës Federative të Jugosllavisë, i PARI ishte Ministri i Tregtisë së Jashtme të RPS-së së Shqipërisë, Nedin Hoxha në qershorin e vitit 1980.

Më këtë rast, ministri Nedin Hoxha, së pari u takua  dhe zhvilloi bisedime me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv Federativ të Jugosllavisë, Veselin Gjuranoviq. Mëpastaj u takua me homologun e tij të qeverisë federative jugosllave, Metod Rotar (sekretar i Tretgtisë së Jashtme të Jugosllavisë), me të cilin përfundoi dhe nënshkroi  disa Marrëveshje  me përmbajtje ekonomike dhe tregtare bilaterale mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë.

Në kuadrin e kësaj vizite ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Ministri shqiptar, Nedin Hoxha dhe ministri jugosllav, Metod Rotar, nënshkruan “Marrëveshjen Afatgjatë për Këmbimin e Mallrave mes RSJ-së dhe RPS-së së Shqipërisë sipas së cilës vlera e këmbimit të mallrave në të dy kahet (Beograd-Tiranë), gjatë viteve 1981-1985 kapte vlerën prej 720 milionë dollarësh. Po ashtu, në Pallatin e Federatës Jugosllave në Beogradin e Ri, ministri Hoxha dhe homologu i tij jugosllav, Metdo Rotar nënshkruan edhe Protokollin për këmbimin e mallrave të shërbimeve për vitin 1981.” ( Burimi: “Politika”, Bgd.,  13.06.1980).

Ia vlen të theksojmë se ministri shqiptar, Nedin Hoxha  veç takimit të lartë shtetëror  me kryetarin Këshillit Ekzektuiv Federativ të Qeverisë së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Veselin Gjuranoviq në Beogard,  vizitoi edhe Lubjanën, ku u prit nga Anton Vratusha ( kryetar i Këshillit Ekzekutiv i Kuvendit të Republikës  Socialiste të Sllovenisë) në “Brdo kod Kranja”,  Shkupin, ku u takua me kryetarin e Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Republikës Socialiste të Maqedonisë, Bllagoje Popov, si dhe Prishtinën, ku u prit nga kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Riza Sapunxhiu (“ i cili në vitin 1981, si kryetar i delegacionit të KSAK, bëri një vizitë historike Shqipërisë, e cila hapi rrugën e bashkëpunimit dhe të përafrimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë”) dhe  nga sekretari i Sekretaritit për Marrëdhënie me Jashtë, Prof.Dr. Zejnullah Gruda.  Pritja ishte  miqësore dhe e ngrohtë, bërë në Hotelin “Grand” të sapoinaugurar të Prishtinës.  

Për realizimin e kësaj vizite historike në nivelin më të lartë  qeveritar shtetëror mes Shqipërisë dhe  RSFJ-së (Qershor 1980), meritat kryesore i pati Sokrat Plaka, njëri nga diplomatët më të shquar të Shqipërisë  socialiste të asaj kohe (paraprakisht ambasador fuqiplotë në Nju-Jork), kurse prej 1977 deri më 1982, ambasador fuqiplotë në Beograd.

Duhet të theksoj se,  Sokrat Palaka nuk ishte vetëm diplomat i rangut  të diplomatëve më të zotë botërorë, por njëherazi ishte edhe  personalitet me virtyte të larta njerëzore, me sjellje, me  edukatë, me njohuri, me kulturë, me maturi, me dinjitet dhe me ndërgjegje njerëzore kombëtare dhe patriotike shqiptare.  Për mua ishte kënaqësi e veçantë njohja me ambasadorin e shumërespektuar dhe të shumëçmuar Sokrat Plaka, i cili më la mbresa të jashtëzakonshme edhe si  njohës brilant  i diplomacisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare,  edhe si personalitet  parimor, lojal, i guximshëm, vizionar dhe progresiv, jo vetëm në mbrojtjen e interesave vitale shtetërore të Shqipërisë socialiste, por edhe të interesave jetike të shqiptarëve nën Jugosllavi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test