74 vjet çlirim nga fashizmi dhe “pushtim” nga …vetvetja - Bota Sot
74 vjet çlirim nga fashizmi dhe “pushtim” nga …vetvetja

Analiza

74 vjet çlirim nga fashizmi dhe “pushtim” nga …vetvetja

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 15:20
Xhevat Mustafa

Pavarësisht debateve se i fundmi gjerman iku në sekondat e fundit të datës 28 apo në sekondat e para të 29 nëntorit 1944, zyrtarisht, sot kemi festë. Edhe pse “ramë nga shiu në breshër”, nga një pushtim i huaj në pushtimin prej “vetvetes”, nga “e majta”, përfaqësuar jo nga “ajka” e saj, por nga pjesa më e padenjë, më e paskrupullt, më antinjerëzore, internacionaliste deri në antikombëtarizëm, përsëri kjo datë na ka mbetur në derë si festë, nga Enver Hoxha. Për të qenë objektivë dhe mirënjohës ndaj atyreve që luftuan dhe ranë dëshmorë për liri, pavarësi, demokraci, për jetë shumë më të mirë për atë kohë e në të ardhmen, nuk është as e drejtë dhe as shkencore që të kundërshtohet dhe minimizohet lufta kundër pushtuesve fashistë e nazistë dhe “fruti jetëshkurtër”, që ajo solli.

Po kështu, nuk është as e saktë dhe as historikisht e dokumentuar se partizanët që dolën të gjallë nga kjo luftë dhe ata që u vranë, luftuan dhe ranë për PKSH-në dhe Enver Hoxhën. As për komunizmin dhe socializmin, ku do të “hanin me lugë të florinjta”. As për ‘t’ia rikthyer Kosovën, në emër të internacionalizmit proletar, Jugosllavisë “motër”. Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare e bëri populli shqiptar, si pjesë e koalicionit ndërkombëtar antifashist. PKSH-ja dhe Enver Hoxha patën “meritën”, se sipas  këshillave të “misionarëve" jugosllavë”, arritën të dilnin në krye të luftës dhe të merrnin frenat apo timonin e  qeverisjes. Analizuar nga shumë burime dhe fakte, ka dalë prej shumë kohësh sheshit se PKSH-ja, e krijuar dhe rritur në 7 vitet e para nga Tito dhe misionarët e tij Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, Vukmanoviç Tempo, Velimir Stojniç…, që ishin edhe “dadot politike”, “profesorët”… e Enver Hoxhës, e propangaduan dhe shfrytëzuan LANÇL për skenarët e planet e tyre, kryekëput në dëm të interesave kombëtare shqiptare. Sipas skenarit të tyre u hodh në koshin e plehrave apo në zjarr edhe teksti i të shumëpërfolurës “Marrëveshje e Mukjes”, duke e larguar përfundimisht “Ballin Kombëtar” dhe “Legalitetin”, në proçes mëdyshjeje dhe reflektimi deri para Mukjes, nga fronti i përbashkët antifashist.

Natyrisht nuk mund të thuhet se “Balli” dhe “Legaliteti” bënë  zgjedhjen dhe zgjidhjen e duhur me aleancën e tyre me pushtuesit fashistë e nazistë! Kjo lëvizje e tyre duhet lidhur edhe me dy rrethana të tjera. E para, pushtuesit italianë dhe gjermanë, bënë një akt të zgjuar diplomatik dhe politik, në interesin kombëtar shqiptar. Ata e bashkuan Kosovën me Shqipërinë dhe krijuan shtetin shqiptar në kufinjtë e parë apo etnikë. E dyta, PKSH dhe Enver Hoxha, u bashkuan me Jugosllavinë e Titos, flinte gjatë gjithë luftës në një dhome apo në çadër, në Çermenikë, Martanesh, Shëngjergj, Labinot, Vithkuq, Helmës, Përmet..,me "vellezërit jugosllavë". Pas 29 nëntorit, Enveri nuk u ndje apo nuk kundërshtoi “kthimin paqësor” të Kosovës sonë në hartën dhe shtetin e Jugosllavisë...dhe rrezikoi shndërrimin e vendit tonë në republikë të shtatë të saj. Personalisht, mendoj se këto janë akte të qarta tradhëtie kombëtare. Pra, “Balli” dhe “Legaliteti”, përfshirë edhe Mid'hat Frasherin, mes dy të këqiave, mes pushtuesve kalimtarë, për 4-5 vjet dhe pushtuesve dhe armiqve qindravjeçarë, serbëve, zgjodhën alternativën e parë. Ateherë, cilët kanë gabuar më shumë? Ata, që gabuan për vetëm 5 vjet apo ai që "gaboi" për 45 vjet?                                                                                                                                                  

Dashuria, besnikëria dhe nostalgjia për Enver Hoxhën dhe sistemin e tij diktatorial, të ndeshura edhe sot e kësaj dite tek jo pak të majtë, shprehin jo vetëm këmbëngulje për vetëskllavërim ideologjik e politik, por edhe të këqia të tjera jo vetëm për ata individualisht e si familje…Shprehet prej një kohë të gjatë se enveristët kapen fort tek disa alibi, karta apo “fije bari”. E para, sipas gjykimit tim, është mirënjohja për shumçka kanë arritur gjatë viteve të regjimit enverian, kryesisht ata që sot janë në moshat rreth 60-85 vjeçare. Këta, përgjithësisht, ndiehen borxhlinj të përjetshëm ndaj PKSH-së, PPSH-së, PSSH-së, sepse “sistemi komunisto-socialist”, menjëherë pas luftës apo më vonë, i mori nga fshatrat dhe krahinat e tyre dhe i solli në Tiranë dhe në qytetet e tjera. Këtu u bënë më shkolla të mesme e të larta në Shqipëri dhe në vendet e Kampit Socialist, me zanate e vende pune për vete, gratë dhe fëmijët, me apartamente banimi…Disa që patëm më shumë fat, merita, të njohur apo miq,u bënë edhe kuadro në strukturat partiake, administrative; nëpër ministri, në industri, miniera, naftë, bujqësi; në arsim, shendetsi, kulture; në ushtri, polici, sigurimin e shtetit, drejtësi…

Por, nëqoftëse do të bëhet një analizë e thellë, objektive, e pandikuar nga politika, do të dalë se ata dhe familjet e tyre i kanë dhënë diktaturës komuniste shumë më tepër se sa u ka dhënë ajo. Nëpërmjet pagave të ulta, mungesave të shumta në tregje e për jetesë normale, keqpërdorimit apo shfrytëzimit barbar të fryteve të punës dhe të djersës së tyre, mungesës së lirive themelore njerëzore dhe demokratike, bëhet e qartë se Enver Hoxha i ka trajtuar dhe shfrytëzuar edhe ata, si shumicën e shqiptarëve, si skllevër e si “kavie” për eksperimentet e tij të çmendura e çnjerëzore. Regjimi komunist i solli në qytete apo në kryeqytet jo nga dashuria dhe përkujdesja e madhe individuale, krahinore e sociale, por sepse i duheshin për të zëvendësuar intelektualët dhe kuadrot e diplomuar në universitete të Evropës Perendimore, që Enver Hoxha i vrau dhe burgosi për rreth 47 vjet, edhe më shumë nga sa u vranë nga pushtuesit, me dy qëllime. Së pari, për t’i eliminuar këta intelektualë si ura të mundshme ndikimi nga qeveritë e vendeve ku ishin diplomuar dhe të hapjes ekonomike dhe politike ndaj “Perëndimit Kapitalist”.

Duke qenë se shumica e këtyre intelektualëve vinin nga familje të pasura e të shquara, Enver Hoxha, edhe nëpërmjet burgosjes së baballarëve, konfiskimit dhe shtetëzimit të pasurive të tyre familjare, arriti të “vriste” jo vetëm politikisht edhe klasën e borgjezisë dhe të djathën shqiptare, duke e lënë vendin edhe sot e kësaj dite pa të djathtë të vërtetë, gjenetike, të konfiguruar qartë, të konsoliduar, “investim” që po i shërben fort prej më se 5 vjetësh Edi Ramës dhe “rilindjes” së tij, sidomos me sloganin mashtrues “të dy palët janë njësoj”. Së dyti, për të krijuar inteligjencien e vet, komunisto-socialiste, me nivel të lartë politizimi, besnikërie, partishmërie, militantizmi, kukëllizimi, skllavizimi…Se sa i ka dashur me të vërtetë apo sinqerisht regjimi komunist dhe personalisht Enver Hoxha mund të kuptohet se pjesa më e madhe e fitimeve nga puna, djersa, mendja dhe sakrificat e tyre të përditshme, shkuan për eksperimentet dështake dhe aventurat qesharake të tij në politikë, ekonomi, industri, mbrojtje, me shprehje të qartë gjigandomanie dhe që nuk ndikuan realisht në rritjen e mirëqenies së qytetarëve. Ato u orientuan dhe humbën si kripa në ujë kryesisht për shpenzimet e mëdha për ushtrinë dhe mbrojtjen. Kapur tek ky fakt, edhe sot e kësaj dite dëgjon plot enveristë të shprehen me nostalgji se “para 1990- tës kishim ushtri të fortë”.

Por, “harrojnë” se si u çfrynë si tullumbace, brenda një kohe të shkurtër,para ushtrive amerikane dhe të NATO-s ushtritë e Milosheviçit, të Sadam Hyseinit, Muamar Gadafit…Në atë kohë, ushtria shqiptare ishte e fortë para popullit të vet, në parada, manovra ushtarake, ku luftonte me vetveten, me armiq dhe rreziqe të sajuara nga mendja e sëmurë e Enver Hoxhës…Një kartë tjetër “e fortë” e enveristëve të vjetër e të rinj është edhe ajo e “shtetit të fortë në kohën e Enverit”. Në të vërtetë, ky ishte shtet personal, njëpartiak dhe diktatorial i fortë, pa mirëqenie, pa liri fjale dhe lëvizjeje, pa drejtësi të pavarur e të depolitizuar, pa avokat mbrojtës…Një tjetër kartë e plot të majtëve, të mësuar keq për rreth 47 vjet pa “të djathtë” dhe “opozitë”, fshihet trashë me justifikimin se “Edi Rama vërtetë po na turpëron dhe zhgënjen, por nuk na hyjnë dot në zemër edhe Saliu, Luli dhe PD-ja”?! Të gjitha fajet dhe përgjegjësitë për gjendjen mjerane të vendit, edhe sot pas 5 vjetësh,  i kërkojnë, gjejnë dhe faturojnë tek PD-ja, opozita dhe personalisht tek Sali Berisha dhe jo tek qeveritë Rama 1 e 2, mbushur me  “diletantë” apo “kalamaj të këqinj”, jo tek partia dhe qeveria e tyre, jo tek vetvetja, që i votojnë dhe mbështesin…                                                                                                                                        

 74 vjet janë tmerrsisht shumë për t’u bindur se e keqja Shqipërisë i ka ardhur nga e majta, si rrjedhojë edhe e qenies në Lindjen Komunisto-Socialiste dhe në Ballkan, gadishull ku Rusia ka pasur dhe ka interesa të mëdha për ndikim të fortë politik dhe ekonomik. Nuk është e vështirë për të kuptuar se cili grupim apo sistem është me superior, se e majta allashqiptare ka dështuar plotsisht. Këtë e shpreh edhe fakti se shumica e shqiptarëve, ashtu si shumica e qytetarëve nga  vendet ish komunisto-socialiste, përpiqen të shkojnë me çdo rrugë e faturë drejt vendeve të Perëndimit kapitalist apo të djathtë, me mundësi të mëdha punësimi, me nivel rreth 10 herë më të lartë për paga, pensione dhe mbeshtetjeje sociale….Këtë fakt e shpreh edhe lëvizja e ushtrive emigratore vetëm nga një kah: nga Lindja drejt Perëndimit. Ose nga gjasme socializmi dhe gjasme kapitalizmi drejt Perëndimit dhe Kapitalizmit të vërtetë, të prekshëm, të përjetueshëm…                                                                                                                                       

 Rëndimi dhe masivizimi i varfërisë, papunësisë, pashpresësisë, emigrimit, ulja e lindshmërisë…po sjellin edhe uljen dhe mplakjen e e ndjeshme e me ritme të frikshme të popullsisë së vendit tonë, proçes që merret me mend se i gëzon fort armiqtë tanë shumëshekullorë. Të mos harrojmë: në këta 74 vjet “pushtim”, nga vetvetja, nga e majta, pra, duke përfshirë tek kjo edhe 13 vjetët e qeverisjes nga Berisha dhe ekipet e tij, me shumë gjasa “pjella in-vitro” të ndonjë klinike në Tiranë, Katovicë e gjetiu, dhe sot, ashtu si më 29 nëntor 1944, vendi ynë, ndoshta prej Zotit më i pasuri në Evropë, ka, nga mendje dhe duar shqiptare, edhe popullin më të varfër në kontinent. Edhe sipas statistikave më të freskëta të INSTAT-it dhe FMN-së kemi pagat dhe pensionet më të ulta e çmimet më të larta të shumicës së ushqimeve, të lëngjeve dhe pijeve, nga uji tek mjalti, të higjenës familjare dhe individuale, të një litri karburant, të një bilete avioni, të një km autostradë, të paketave të celularëve, internetit…Është shumë shprehës  fakti, se “komunizmi” erdhi me Enver Hoxhën më 29 nëntor 1944 me triska,  “iku” me Ramiz Alinë më 22 mars 1992 me tollona e me ushtri emigrantësh dhe po “rilind” nga Edi Rama dhe ekipi i tij, mbi “gërmadhat” edhe të vetë së PS-së, po me varfëri esktreme e  masive dhe me “lumenj” emigrantësh…                                                                                                                

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...