Artisti shqiptar krijon maska për karnavalin e Venecias - Bota Sot
Artisti shqiptar krijon maska për karnavalin e Venecias

Art

Artisti shqiptar krijon maska për karnavalin e Venecias

Më: 3 mars 2019 Në ora: 20:56
Një pjesëmarrëse në karnavalin me maska të Venecias (foto nga AFP)

Karnavali i njohur i Venecias është në kulmin e tij dhe njerëzit e shijojnë me kostume të bukura dhe maska të jashtëzakonshme. Maskat mund të jenë me tema klasike dhe historike, por edhe krijime moderne, origjinale. Ju njohim tani me një punishte të Venecias, ku një shqiptar derdh talentin e tij për të krijuar maskat e ndërlikuara.

Është kohë karnavalesh në Venecie dhe njerëzit veshin kostume shumëngjyrëshe dhe maska të bukura, për të cilat qyteti është i famshëm. Maskat janë një homazh për origjinën e karnavaleve që datojnë prej një mijë vjetësh.

Në dyqanin e tij, Armando Balla i krijon maskat në mënyrë artizanale me metodën tradicionale të kartonit të presuar.

"Maskat janë sigurisht pjesë e jetës së Venecies. Ato i lejonin njerëzit të shprehnin gëzimin e tyre për jetën, por gjithashtu u jepnin intimitet për të bëra gjëra që nuk do t’i bënin dot pa maskë”, thotë ai.

Mjeshtri i maskave e nis punën duke hedhur shtresa letre të lagur mbi një model. Pastaj modelohet balta. Disa nga maskat më të njohura të Venecias mund të maskojnë edhe zërin e njeriut që e vesh.

"Kjo ju lejon të vendosni dorën brenda maskës, të hani, dhe madje edhe të pini duhan me llullë. Forma e maskës e ndryshon zërin duke e bërë atë të tingëllojë si gjëmim", thotë zoti Balla.

Dhe sigurisht, maska ndihmon fshehjen e identitetit të një njeriu, duke e bërë misterioz. Në fakt, në shekujt e kaluar, maska i lejonte njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore të përziheshin me njëri-tjetrin.

“Gjatë karnavales nuk përdoreshin tituj. Nëse takoje një grua në rrugë i thoshe: "Mirëmëngjes zonja Maskë", thotë ai.

Prej më shumë se 20 vjetësh, Armando Balla ka krijuar më shumë se 500 modele maskash. Duhen tre ditë për të krijuar një maskë të thjeshtë dhe një javë për një model maske të sofistikuar.

"Ne studiojmë piktura dhe libra për t’i riprodhuar maskat ashtu siç ishin dikur. Përdorim gjithashtu imagjinatën dhe shtojmë idetë tona", thotë ai.

Për Armandon, është një punë që ai e bën me shumë dashuri./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...