''Dokufest'' synon të shprehë të vërtetën përmes artit

Art

''Dokufest'' synon të shprehë të vërtetën përmes artit

Më: 25 qershor 2019 Në ora: 09:28
Dokufest

 E vërteta sivjet në Kosovë do të eksplorohet edhe nëpërmjet artit. Këtë do ta bëjë një prej festivaleve më të mëdha në rajon sa i përket kinematografisë. Të hënën kanë filluar që të shpalosen detaje të edicionit të 18-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Si çdoherë, qyteti antik i Prizrenit do të jetë nikoqir i një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në vend. Këtë vit organizatorët e Festivalit kanë bërë të ditur se ngjarja do të mbahet nga 2 deri më 10 gusht. Përgjatë këtyre ditëve Prizreni do të bëhet përsëri qendër e kinematografisë. Në kuadër të edicionit të sivjetmë të “DokuFestit” vëmendja e filmbërësve, gazetarëve dhe ndjekësve të Festivalit do të jetë drejt së vërtetës.

Në një vit dhe në një botë të dominuar nga histeria e lajmeve të rreme, “DokuFest” i bashkohet diskutimit mbi atë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme dhe mënyrën se si kjo ndikon tek të tjerët, duke zgjedhur “Të vërtetën” si temë të edicionit të sivjetmë të Festivalit. As në këtë edicion nuk do të mungojnë panelet e diskutimit, masterklasat e ligjëratat e shumta të filmbërësve të ndryshëm.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i Festivalit, ka thënë se ky edicion do të sjellë më shumë se 200 filma, ku 10 prej tyre zbërthejnë edhe drejtpërdrejt temën e sivjetshme.

“Do të mundohemi të eksplorojmë më shumë se të vërtetën duke u fokusuar edhe në lajme të rreme”, ka thënë Nurkollari.

“E vërteta pushon këtu” është fjala me të bardhë që është theksuar në dizajnin e temës së sivjetshme, realizuar nga artisti Driton Selmani. “Nuk është qëllimi që të zbulohet e vërteta, mirëpo do të mundohemi që të hapim një debat rreth asaj dhe sidomos rreth lajmeve të rreme në Kosovë, por edhe në botë, dhe kjo mund të jetë si nismë e vogël për të eksploruar më shumë në atë drejtim”, ka thënë Nurkollari.

Për të zbërthyer më shumë të vërtetën për këtë edicion janë kuruar edhe programe të veçanta si “Rrëfimet zhbiruese të së vërtetës: Larisa, Handsworth, Orestes “ kuruar nga Sezgin Boynik, Tevfik Rada dhe Nagehan Uskan. Në kuadër të këtij programi do të shfaqen filmat: “About Narration” nga viti 1975 nga Harun Farocki dhe Ingemo Engström, “Handsworth Songs” i Black Audio Film Collective (BAFC), i vitit 1987, dhe “Notes Towards an African Orestes” nga Pier Paolo Pasolinit, i bërë në vitin 1970.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat