Hapet në Shkodër ekspozita me fotot e çuditshme të artistëve - Bota Sot
Hapet në Shkodër ekspozita me fotot e çuditshme të artistëve

Art

Hapet në Shkodër ekspozita me fotot e çuditshme të artistëve

Më: 29 shtator 2019 Në ora: 11:47
Hapet në Shkodër ekspozita me fotot e çuditshme të artistëve

Në atmosferën mistike të krijuar nga rivaliteti i përjetshëm mes dritës dhe hijes, në Shtëpinë Muze të Pashko Vasës në Shkodër, u hap mbrëmjen e kësaj fundjave ekspozita "Shkodra - familja, kultura, historia ime".  Shumica e 40 fotografive bardh e zi që datojnë mes vitve 1878-1989, u publikuan për herë të parë në këtë ekspozitë. Fotografi të tilla si banda e parë frymore (1878), shfaqja e parë në gjuhën shqipe e tragjedisë "Jul Çezari" të Shakespeare në vitin 1920 nga Shkolla Jezuite etj, dëshmojnë se disa prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë janë zhvilluar në Shkodër. Nga ana tjetër, kontrasti  i madh mes periudhave të para dhe pas Luftës së Dytë Botërore (LDB) shpërfaqet në dimensionet e tij më ekstreme në këtë ekspozitë. Kështu, krahas fillesave artistike të elitës së muzikës shqiptare, si Prenk Jakova, Ramadan Sokoli etj, në ekspozitë u prezantuan edhe fotografitë e artistëve amatorë të ndërrmarrjeve dhe kooperativave bujqësore të kohës së realizmit socialist. Sepse e tillë është vetë trashëgimia kulturore: gjithëpërfshirëse, ndonëse e ndikueshme nga ndryshimet e mëdha politike dhe shoqërore të një vendi. Në ekspozitë, këto ndryshime nuk përmenden, por konfirmohen nga: dekori me flamuj turk i një koncerti në fillim të shekullit XX; lulëzimi dhe pastaj zhdukja e përnjëhershme e bandave muzikore dhe shoqërive kulturore të qytetit në vitet 1940; orientimi perëndimor e më pas lindor, sovjetik e kinez i artit dhe kulturës, menjëherë pas Çlirimit e deri në fundin e viteve 1960; një iluzion liberalizmi me grupet muzikore të të rinjve dhe si ndëshkim, në fund të viteve 1980, festivalet masive të ansambleve e grupeve artistike të çdo ndërmarrjeje dhe kooperative bujqësore.
Ndoshta edhe për këto të fundit, në ceremoninë e hapjes së ekspozitës morën pjesë qindra qytetarë, shumica artistë profesionistë dhe amatorë, njerëz që për dekada kontribuan drejtpërsëdrejti në thurjen e shtresave të kujtesës kolektive të qytetit. Aktorë dhe regjisorë të teatrit, këngëtarë e instrumentistë, mësues muzike në pension, por edhe të rinj me kurreshtje për mënyrën se si realizohej prodhimi artistik në Shqipërinë e viteve të diktaturës, pushtimit fashist, mbretërisë zogiane etj. Një nga fotot më interesante psh., është ajo e një pllakati të madh reklamues të Teatrit "Migjeni" të Dhjetorit 1965, ku shkruhet se teatri ofron shfaqje për gratë në orarin e drekës (15:30). Kjo fotografi ka rëndësi për të kuptuar mënyrat dhe mjetet e përdorura për të futur në teatër gratë e një shoqërie ende patriarkale.  Sipas organizatorëv, ekspozitat nuk tentojnë të evokojnë të kaluarën e palavdishme në diktaturë, por t'i qaset asaj me konstruktivitet, duke sjellë në vëmendjen e brezave të tashëm njerëzit e përkushtuar, që përkundër varfërisë dhe kufizimeve arritën të lënë gjurmë në trashëgiminë tonë kulturore. Në këtë këndvështrim, ekspozita është një homazh për të gjithë fotografët, por në veçanti për dokumentaristin e palodhur Angjelin Nënshati, firmën e të cilit mbajnë rreth 1/3 e fotografive të kësaj ekspozite. Po ashtu, ekspozita është nderim për një "specie në zhdukje" - më të përkushtuarit e punës me nxënësit - mësuesit që ngritën dhe mbajtën për vite të tëra grupe dhe ansamble artistike në shkollat e të gjitha niveleve, duke evidentuar dhe rritur fëmijë të talentuar që sot janë artistë të vërtetë si Frederik Ndoci, Violeta Zefi etj. Tipike në këtë aspekt të kreativitetit është një fotografi e vitit 1973, e cila paraqet korin e vajzave të një shkolle 8-vjeçare në Shkodër, fundet e të cilave janë bërë me letër makaronash. E kundërta ndodh me simbolikën e fortë të fotografisë së një të riu, i cili i bie kitarës pas hekurave. E realizuar në vitin 1981, ajo fotografi mund t'i kushtonte atij edhe jetën.

Nga ana tjetër, ekspozita synon të mbajë të freksët kujtesën kolektive, përmes orientimit të vëmendjes te vlerat e çertifikuara të artit shqiptar, si Palokë Kurti, Çesk Zadeja, Serafin Fanko etj, krejt të panjohur nga brezi i 20-30 vjeçarëve të sotëm, të dhënë pas popkulturës dhe turbofolkut banal. Këtij qëllimi i shërben botimi për herë të parë i një fotografie tepër të rrallë, ku kompozitori Çesk Zadeja, në moshën 15-vjeçare, interpreton në piano në një koncert të dhënë jashtë Shqipërisë, në mesin e vitit 1942.

Me këto prurje origjinale dhe vëmendje maksimale të publikut, ekspozita fotografike "Shkodra - familja, kultura, historia ime" kulmoi aktivitetet në kuadër të Ditëve Europiane të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër. Por ekspozita është kurorëzim i konkursit të fotografisë me temë nga jeta kulturore artistike përpara vitit 1990, të shpallur nga Organizata për Planifikim të Qëndrueshëm Urban GO2. Thirrjes së hapur iu përgjigjën 44 konkurrentë, mes tyre mjaft artistë, të cilët sollën një numër rekord prej 306 fotosh. Në bazë të tre kritereve: vjetërsia, rrëfimi dhe realizimi estetik, juria zgjodhi 40 fotografitë më të mira që u paraqitën në ekspozitë. Megjithatë, përmes një ideje origjinale, organizatorët vendosën t'ua jepnin të gjitha fotografive një shans për t'u shfaqur në publik. Ata i projektuan fotografitë në tre kinema të hapura, të vendosura në mjedise të ndryshme të Shtëpisë Muze të Pashko Vasës.

Sa i takon jurisë së këtij konkursi, ajo përbëhej nga Elsa Demo, gazetare; Qerim Vrioni, studiues fotografie; Iris Elezi, kineaste dhe drejtore e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF), Përparim Kabo, antropolog dhe Herman Zonderland, fotograf i njohur nga Hollanda. Gjatë fjalës së tyre në këtë aktivitet,  Demo, Vrioni dhe Elezi vlerësuan si tepër të rëndësishme vijimin e traditës së kësaj ekspozite. Pa e fshehur admirimin për qytetin që dikur quhej djep i kulturës, Demo dhe Elezi ndanë me të pranishmit emocionet e lidhjes së tyre me Shkodrën, ndërsa Vrioni foli për vlerat e fotografive. Planifikuesja urbane Eltjana Shkreli, organizatore e ekspozitës, foli për sfidën e kësaj nisme: fitimin e besimit të qytetarëve për të nxjerrë nga arkivat familjare fotografitë dhe rrëfimet personale që fshihen pas tyre dhe për t'i ndarë me të tjerët.

"Shkodra, familja, kultura, historia ime" është ekspozita e tretë fotografike kushtuar kujtesës kolektive. E ndërtuar mbi dy shtylla të përhershme: familja dhe historia, ajo fokusohet rreth temave me ndjeshmëri të lartë publike.  Ekspozita e parë u hap në vitin 2016 në Muzeun Historik të Shkodrës. Ajo i kushtohej biçikletës dhe në të morën pjesë 26 konkurrentë me 66 fotografi. Ekspozita e dytë (2018) kushtuar banesës ishte një risi, pasi për herë të parë një aktivitet zhvendosej nga qendra e qytetit, për t'u mbajtur në një lagje periferike ku nuk ishte zhvilluar ndonjë herë aktivitet kulturor. 165 fotografitë e 37 konkurrentëve u ekspozuan në oborrin e shtëpisë Halili, Monument Kulture i Kategorisë I, ndërsa hajati i kësaj shtëpie të fundit të shekullit XIX ishte kinemaja ku u shfaq filmi dokumentar për këtë temë.

Ndërkaq, albumet e ekspozitave të deritashme plotësojnë një triptik dygjuhësh shqip-anglisht, me titujt: "Shkodra - familja, biçikleta, historia ime", 44 fq., (ISBN 978-9928-4461-1-4), "Shkodra - familja, shtëpia, historia ime", 80 fq., (ISBN 978-9928-4461-2-1) dhe Shkodra - familja, kultura, historia ime (ISBN 978-9928-4461-6-9).

Image
Image
Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat