Fituesit e garave republikane pikturojnë në natyrë - Bota Sot
Fituesit e garave republikane pikturojnë në natyrë

Art

Fituesit e garave republikane pikturojnë në natyrë

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 22:17
Fituesit e garave republikane

Grupi i parë i nxënësve fitues të nivelit republikan, që po mbajnë kampin njëjavor, ditën e pestë e kanë filluar me aktivitete relaksuese.

Pjesën tjetër të ditës, ata u ngjitën me teleferik në pjesë më të larta malore pranë bjeshkëve të Sharrit, nga ku shijuan pamjet e bukura të natyrës.

Si aktivitet kryesor nxënësit patën orën e artit në natyrë ku u ndanë në katër grupe për të pikturuar i gjithë grupi pamjen e njëjtë.

Grupet pjesëmarrëse zgjodhën emrat me të cilat u përfaqësuan në lojën garuese. Njëri nga grupet, në shenjë falënderimi për organizimin e kampit, zgjodhën emrin e koordinatorit Rexhep Hoti.

Nga grupet tjera pjesëmarrëse ishin edhe grupi “Dardanët”, grupi “Artistët” dhe grupi “Pikaso”.

Ideja e lojës garuese ishte që të punohet në mënyrë ekipore dhe të theksohet fakti se të gjithë shohim ndryshe.

Në fund, pas vlerësimit që u bë nga mësimdhënësit grupi “Pikaso” fitoi vendin e parë, “Dardanët” vendin e dytë, grupi “Rexhep Hoti” vendin e tretë, si dhe “Artistët” vendin e katërt.

Nën organizimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga dje kanë filluar kampet kreative për nxënësit fitues të nivelit republikan.

Në Garën Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Garën Nacionale të Diturisë, për herë të parë në Kosovë, rreth 316,000 nxënës kishin mundësinë të përfshihen në garë.

Nga këto gara, në nivelin shkollor, komunal dhe republikan janë shpallur 44,723 fitues të cilët tashmë kanë filluar t’i marrin shpërblimet e tyre.

Janë mbi 200 nxënës fitues të garave që do të jenë pjesë e kampit kreativ nga 29 komuna të Kosovës vetëm për klasat VI, VII, VIII dhe IX.

Në kuadër të kampit kreativ, në grupin e parë rreth 100 nxënës nga komuna e Deçanit, Junikut, Mitrovicës, Hanit të Elezit, Shtimes, Gjilanit, Vushtrrisë, Skënderajt, Kamenicës, Kaçanikut dhe Klinës po qëndrojnë në Brod të Dragashit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat