Forma dhe përmbajtja në veprën artistike

Art

Forma dhe përmbajtja në veprën artistike

Mr Bislim Aliu Nga Mr Bislim Aliu Më 15 dhjetor 2019 Në ora: 10:39
Ilustrim

Sa herë që debatohet për formën dhe përmbajtjen, por edhe mardhëniet e tyre, në raportet estetike, që duhet të kenë në vazhdimësi në mes vete; gjithnjë harrohet, se në essence, ato vazhdimisht shprehin unitetin e këtyre shprehjeve. Andaj, uniteti i tyre dhe domethënia e shprehur në veprën artistike, medoemos, do t’na fisnikrojë shpirtin dhe mendjen, dhe, në anën tjetër, përherë do të jemi bashkëudhëtarë të denjë në zbërthimin e domethënies artistike.

Gjithnjë kur debatohet për formën dhe përmbajtjen dhe marrëdhëniet e tyre në raportet artistike dhe estetike, që duhet t’i kenë në mes vete; gjithnjë harrohet se në esencë, ato shprehin unitetin e këtyre shprehjeve. Kuptohet, vepra që në vete, ngërthen vetëm formën ose vetëm përmbajtjen, ajo vepër, në vete nuk do ta ketë, atë vlerën dhe porosinë  artistike, që vepra e mirëfilltë duhet ta ketë.

Nëse arti kreativ  nuk e zgjon atë ndjesinë shpirtërore; ai  kreativitet  në vete, nuk do ta ketë formën dhe as përmbajtjen e shprehur në veprën e krijuar. Zatën, për formën dhe përmbajtjen, nëpër manifestime, kongrese dhe, besa, edhe nëpr kuluare,  është biseduar dhe po bisedohet vazhdimisht , për qëndrimin e tyre në veprën artistike.

Disa krijues, shpeshherë po shprehen, se këto dy kategori , duhet të ndahen njëra prej tjetrës. E, disa të tjerë, mendojnë pak më ndryshe; duke i cilësuar si të bashkuara dhe në lidhmëri njëra me tjetrën. Megjithatë, disa të tjerë, hasen në dilema; si t’i qasemi krijimtarisë në veprën artistike dhe cilës prej këtyre shprehjeve duhet t’ju jepet më tepër  rëndësi; formës apo përmbajtjes ?  E krijuesi i mirëfilltë këto dy kategori asnjëheë nuk i ndan, meqë, ato janë në një lidhmëri të pandashme. Pra edhe forma, por edhe përmbajtja gjithsesi duhet të përfshihen në veprën artistike. Ato gjithsesi janë të pandashm. Andaj, vepra e mirëfilltë, gjithsesi në shpërfaqjen e vet duhet t’i ketë këto dy kategori.

Edhe forma, por edhe përmbajtja, në veprën artistike, duhet ta kenë idilin e vet përmbajtësor. Dhe, në këtë përmbajtësi shprehimore, disa krijues edhe mund t’i dallojmë: në krijues që i japin më tepër rëndësi formës dhe disa të tjerë që i japin rëndësi përmbajtjes. “Në artin figurative shfaqen dy pika antagoniste diametralisht të kundërta: Njëra palë trajton formën e tjetra përmbajtjen, si e quajnë ata fabulën, duke harruar në këtë mënyrë esencën, pra raportet estetike që janë edhe porosia e vet veprës artistike. Pa raporte harmonike estetike, s’mund të flasë as forma e përsosur, as përmbajtja konvencionale, ngase asnjëra nuk përmbajnë asencën e estetikës, artin shpirtëror, porosinë artistike”. (N.Muriqi).

Uniteti i formës dhe i përmbajtjes në veprën artistike

Sa herë që debatohet për formën dhe për përmbajtjen, por edhe marrëdhëniet e tyre, në raportet estetike, që duhet të kenë në mes vete; gjithnjë harrohet, se në esencë, ato  vazhdimisht shprehin unitetin e këtyre shprehjeve. Andaj, uniteti  i tyre dhe domethënia e shprehur në veprën artistike, medoemos, do t’na fisnikrojë shpirtin dhe mendjen, dhe, në anën tjetër, përherë do të jemi bashkudhëtarë të denjë në zbërthimin e domethënies artistike.

Ky komunikim artistik dhe estetik, i shprehur në veprën artistike,  doemos duhet të jetë komunikim shpirtëror, për ta kuptuar veprën në mënyrë universale. Zatën, në këtë kontekst, vepra që në vete e ka këtë universalitet; ajo, sigurisht, do të frymojë lirshëm dhe do të jetë, më e kuptueshme për shikuesin, ose për lexuesin. Mendoj, se vetëm ky bashkim i shprehur, do ta funksionalizojë veprën, e cila do të ketë domethënie dhe shprehje të lartë artistike.

Dhe, mu për këtë shpërfaqje të lartë ndiesore, mund të themi se arti shpirtëror, është  një fshehtësi e lartë, por edhe një brengë e fshehur, e cila vazhdimisht, e ngacmon krijuesin. Dhe, të gjithë ata krijues (shikues), që artin nuk e konsiderojnë, si domosdoshmëri  të shprehjes shpirtërore, e cila e fisnikron mendjen, ata, pra, asnjëherë nuk do ta gjejnë atë thelbësorën dhe artistikën në veprën e krijuar.

Gjithsesi, gjendja shpirtërore e krijuesit, luan rol primar në krijimtari

Pa dyshim, gjendja shpirtërore e krijuesit, luan rol primar në shpërfaqjen e ndiesimit dhe në realizimin e veprës artistike. Këtë shpërfaqje idealizuese, gjithnjë krijuesi i mirëfilltë duhet ta ketë. Në anën tjetër , për realizimin e kësaj gjendjeje, në veprën artistike, kërkohet materializim artistik, e cila do të bëhej, me anë të materjes, ngjyrës, drurit, gurit; e që do të shprehej, me anë të mjeteve artistike, figurative, siç janë; vija, forma, ritmi, faktura, kompozicioni…

Në këtë kontekst të shpërfaqjes, secila kohë i ka pasur shenjat e veta karakteristike, kuptohet, të tjera shenja ishin të periudhës së Klasicizmit. Romantizmit, Barokut, Rokokosë, Renesancës, dhe, krejtësisht të tjera ka arti modern.

Eshtë krejtësisht e kuptueshme, se arti shpirtëror origjinal, asnjëherë nuk do të krijohet pa talent, vetmohim dhe pa sakrificë. Pra, ky art i lartë shprehës do të krijohet, kur gjendja shpirtërore e ngacmon dhe e detyron krijuesin që të krijojë.

Andaj, vetëm uniteti i forms dhe i përmbajtjes, Do t’na shpjer, domosdo gjer te vepra artistike e mirëfilltë, që do të peshonte, si një vepër tërësisht  e idealizuar, e formësuar dhe, sigurisht me një përmbajtje shumë të lartë, sensitive, kreative dhe fare përmbajtësore.

Për këtë, edhe mund të themi, se ndjesimi i artit shpirtëror , asnjëherë nuk mund të krijohet, pa përjetim të lartë shpirtëror. Në këtë kontekst, a thua, në çfarë niveli të origjinalitetit shpirtëror, u krijuan veprat omonime të piktorëve madhor si;  “Mona Lisa” e Leonardos. “Kapela e Sikstinës” e Mikelangjelos, “Guernika” e Pikasos, “Elegji për Kosovën” e Emrës, “Hamalli” I Mulliqit, “Autobiografia” e Xhafës, “Malësorët” e Krypes, e ndonjë tjetër.

Mendoj se në çdo formë, në krijimtarinë  artistike, gjithsesi ndihen pulsimet e formës  dhe të përmbajtjes. Ndaj, në këtë kontekst, mund të themi; përmbajtja është pasojë e forms së idealizuar. Andaj, krijuesi i mirëfilltë gjithherë gjatë kreativitetit të tij, do ta ketë parasysh, në në veprën e tij, të shpërfaqet gjithsesi, kreativiteti i formësimit dhe shpërfaqja e idealizuar e përmbajtjes. Andaj, vetë ky kreativitet i shpërfaqur, do të peshojë peshueshëm me shpërfaqjen e formës dhe të përmbajtjes. Shpërfaqja e idealizuar në këtë mënyrë, do të jetojë gjatë dhe përherë do të shndëris si një kreativitet i mirëfill, i formësimit përmbajtësor.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat