Përmes artit, arkitekti shqiptar nga Finlanda në ndihmë të fëmijëve me autizëm

Art

Përmes artit, arkitekti shqiptar nga Finlanda në ndihmë të fëmijëve me autizëm

Më: 1 maj 2020 Në ora: 14:59
Foto Ilustrim

Situata e Covid -19 ka bërë që shumë njerëz të jenë më kreativ gjatë kohës së izolimit të tyre. Kështu ka ndodhur edhe me arkitektin kosovar Lulzim Behxheti, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Helsinki të Finlandës. Ai njihet si arkitekti i shtëpive ekologjike dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.

Gjatë kësaj kohe ai ka realizuar portrete të ndryshme të miqve e personaliteteve shqiptare në një teknikë të veçantë me një laps e një letër të thjeshtë blloku. Kjo nismë nisi si një komunikim me miqtë në mungesë të tyre.

Duke parë që portretet në FaceBook u pëlqyen, ai nisi ta zgjeronte hartën e miqve, duke përfshirë edhe ata virtualë. Pas këtij pasioni dhe malli për miqtë lindi dhe ideja për ndërtimin një fondacion bamirësie të quajtur “ Vjosa “ me seli në Helsinki në mbështetje të fëmijëve me autizëm.

Qëllimi është hapja e një ekspozite në Bruksel e hapi tjetër mbajtja e një mbrëmje Gala në Prishtinë për të nxjerrë punimet në ankand. Të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në ndihmë të fëmijëve me autizëm.

Arkitekti nuk është i fokusuar vetëm tek fëmijët me këtë sindromë, por edhe tek adoleshentët që kanë nevojë për një trajtim ekstra në këtë moshë delikate, në mënyrë që të fillojnë të jetojnë të pavarur, duke u integruar në shoqëri e duke u bërë pjesë e tyre.

Në galerinë e këtyre portreteve mund të përmendim familjen Ora ( të këngëtares Rita Ora ) atë të Kastriotëve, Adi Krasta, Vjosa Osmani, etj. Ambasadore e këtyre portreteve është princesha, siç e quan vetë arkitekti Alea Mehaj, Miss Bota për fëmijë, e cila jeton në Norvegji.

“E kam bërë miken më të mirë. Bashkë me të dhe me të tjerët synojmë të bëjmë mrekulli. Më e pakta që mund të bëjmë është shitja e portreteve, ndërkaq maksimumi që mund të bëjmë është t’i ndërtojmë 30 shtëpi modulare, të gjitha prej druri, për fëmijët me autizëm. Kam kontaktuar edhe me Shoqatën e personave me autizëm në Finlandë, për të na dhënë instruksionet e tyre se si të ndërtohen këto shtëpi. Ideja është që këto shtëpi do të ndikojnë që fëmijët me autizëm të ndihen të pavarur kur të arrijnë moshën madhore. Por, ato mund të përdoren edhe në formë të shkollave, për parashkollor dhe ciklet tjera” – përfundon ai.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat