Nudot e njohura të Maks Velos

Art

Nudot e njohura të Maks Velos

Më: 8 maj 2020 Në ora: 15:51
Nudot e njohura të Maks Velos

Ka një histori përtej çdo gruaje të zhveshur. Një histori të cilën ajo përpiqet ta harrojë teksa i buzëqesh pasqyrës të veshur me një kornizë të verdhë.

Me flokët e kapur pas, reflektimi i saj në pasqyrë duket i bukur. “Nudo para pasqyrës”, është një tablo që Maks Velo e ka pikturuar vitet e fundit. Artisti I njohur për vizatimet, apo skulturat dhe shkrimet vitet e fundit ka një cikël të tërë punësh në nudo. Me sytë e mbyllur një tjetër femër qëndron e shtrirë me duart e vendosura në kokë bri një shtrati të purpurt.

Ngjyrat janë një aromë që Velo i vendos butë, për të mbështjellë trishtimin që mund të fshihet në sytë e mbyllur. Me kokën e kthyer nga një hapësirë e gjelbër, një tjetër nudo kërkon të harrojë diçka. E realizuar në vitin 2013, artisti e ka quajtur “Nudo në plazh”.

E gjelbra rrethon dhe “Nudon në pyll” realizuar në vitin 2014. Prej vitit 2010 e deri tashmë vonë, Velo ka realizuar një cikël nudosh, ku shprehet një përkryerje ngjyrash në lakuriqësi. Duket si një kthim në kohë të arta, për të kuptuar atë çfarë trupi femëror mbart, misterin e botës.

Ajo çfarë i bën ndryshe këto nudo, është portreti. Fytyrat e femrave janë të qarta, dhe nuk kërkojnë të fshehin natyralitetin që shtrihet poshtë vështrimit. Krenare dhe të bukura, ato zbulojnë atë që është po aq e rëndësishme, brëndësinë e tyre.

Për Velon këto tablo janë një udhëtim në botën femërore, për të zbuluar dalngadalë misterin që mbart gruaja.

Image
Art 1.
 
Image
Art 2.

 

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat