Zana Sahiti, piktorja e re që i flet botës nëpërmjet brushave

Art

Zana Sahiti, piktorja e re që i flet botës nëpërmjet brushave

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 14:47
Foto Ilustrim

Delikatesën e brendisë së saj dhe thellimin në gjërat që e rrethojnë ajo e përkthen në krijimtari artistike. Zana Sahiti prej vitesh i flet botës nëpërmjet brushave, nën kombinimin e ngjyrave dhe gërshetimit të dimensioneve reale e imagjinare, shkruan KultPlus.

Përballja e saj e parë me pikturën ishte në moshën 8 vjeçare, atëherë kur gjithçka nisi me një entuziazëm të madh teksa fletës së bardhë filloj lehtë t’i linte gjurmë ngjyrash. Mirëpo, ky takim në përpjekje të shprehjes së këndvështrimeve të saja, do të shndërrohej në një lidhshmëri dhe mishërim të thellë me artin.  

Për KultPlus, Zana Sahiti rrëfen se të parët që ia krijuan këtë relacion me artin u bënë prindërit e saj, duke e dërguar atë në atelienë “Da Vinçi”. Kështu kishte nisur rrugëtimi i 17 vjeçares, e cila për dallim nga atëherë tanimë vetëm se po e zhvillon më shumë talentin e saj.

“Talentin për pikturën mendoj se e kam të trashëguar nga nëna ime por, në të ka pasur ndikim të madh edhe profesori e piktori Faton Kryeziu që më ka mësuar çdo gjë që di sot për artin”, u shpreh Sahiti për KultPlus.

Nëpërmjet pikturimit të një peizazhi të caktuar, Zana ndal momentin dhe e bën që ajo pamje të përjetësohet përgjithmonë, duke e lënë si gjurmë pas vetes. Mirëpo, e veçanta e krijimtarisë së saj qëndron në detajet, të cilat aq bukur kombinohen me llojllojshmërinë e ngjyrave saqë e bind individin që përafron me realen. E për artistët të cilët janë bërë tok me artin, frymëzimi s’ka si të mos jetë përherë diku në një qosh të jetës.

“Frymëzimin e gjej nga gjërat më të thjeshta, nga vet ngjyrat, paleta në të cilën pikturoj, personat e talentuar e artistët që më rrethojnë.  Ndjehem më së shumti e frymëzuar sa herë që jam nën prezencën e maleve apo të një peizazhi të bukur me pemë”, shprehet talentja Sahiti.

Mirëpo, Zana nuk mjaftohet vetëm me peizazhe. Asaj ia tërheqin vëmendjen edhe dimensione tjera, duke e bërë kështu të ketë një shumëllojshmëri të pikturave.

“Pikturat e mia nuk kanë tematika të njëjta. Unë krijoj atë që më do zemra dhe që i përshtatet preferencave të mia”, thotë Zana Sahiti.

Teknika që i shkon më së shumti për dore është pikturimi me ngjyra të vajit ose acrylic në pëlhura me dimensione të ndryshme. Në anën tjetër, përtej pasionit artin e ka gjuhë shprehëse, e cila e bën të shpraz brendinë.

“Më të vërtet arti është një çlirim shpirtëror. Nuk e di se ç’është por, derisa pikturoj detajet bota ndalet, dhe i vetmi preokupim në atë kohë është se si të pikturojë në mënyrën më të mirë që është e mundur”, shprehet Zana.

Ajo rrëfen se për të finalizuar një pikturë, përveç dashurisë, ajo dhuron edhe shumë mund. Kësisoj, realizimi dhe kompletimi i një vepre arti Zanës ia merr 1 ditë e gjysmë ose 2.

“Për mua pikturat simbolizojnë periudha të jetës sime dhe secila nga to kanë kujtimet e emocionet e mia të shfaqura në të. Nuk besoj që jeta ime do të ishte kaq e përmbushur nëse arti nuk do ishte në të”, vlerëson Zana Sahiti.

Pikturat e saj kanë marrë pjesë nëpër ekspozita të ndryshme, ato janë varur nëpër muret e shkollës dhe në ekspozitat kolektive në Lgano të organizuara nga Fondacioni për të rinjtë e botës “Ibrahim Kodra”. Mirëpo, duket se ajo nuk do të ndalet me kaq.

“Si qëllim në të ardhmen kam që të mësohem të punoj më shpejt, të mësoj teknika të reja por, mbi të gjitha të pikturoj gjërat që dua. Një gjë e di me siguri se artin do të jetë gjithmonë pjesë e jetës sime”, shprehet me plotë pasion Zana.

Në një kohë të afërt muret do të mbajnë edhe hijeshinë e punimeve të saja individuale, duke ardhur me një ekspozitë personale dhe duke e shpalosur përpara publikut gjithë krijimtarinë e saj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat