Frida Kahlo - poezia që fshihet pas pikturës së saj

Art

Frida Kahlo - poezia që fshihet pas pikturës së saj

Nga: Gladiola Jorbus Më: 13 dhjetor 2020 Në ora: 13:47
Frida Kahlo asociohet me rryma si surrealizmi apo realizmi magjik

Edhe pse Frida Kahlo njihet nga të gjithë si piktorja që luajti një rol unikal në fushën e artit, ajo gjithashtu ka shkruar dhe poezi. Të shkruarit i shërbeu Kahlos si një terapi katharsisi, përmes së cilës piktorja - poete përcjell dhembjen, frustrimin apo përvojat e hidhura të jetës së saj. Në këtë mënyrë, ajo rishpiku gruan dhe artisten brenda vetes.

Frida Kahlo asociohet me rryma si surrealizmi apo realizmi magjik. Artistja pretendonte që në traditën azteke, ekzistonte tlacuilo, piktori dhe shkrimtari që mishëronte dije mbi kulturën, gjuhën, zakonet, etj. Ky element i shërbeu si burim frymëzimi në artin e saj.

Narcizmi është një tipar i pranishëm në veprën e Frida Kahlos. Sipas studiuesve të ndryshëm, dashuria që ndiente për imazhin e saj, zinte fill në fëmijërinë e hershme dhe ndikohej nga afeksioni që kishte marrë nga prindërit.

Por ky narcizëm do të spikaste edhe më tej, në jetën e saj profesionale. Ky vetadmirim ishte i dukshëm në fotografitë, pikturat, shkrimet dhe autoportretet e saj.

Kjo përqasje e shoqëroi artisten në procesin e kërkimit individual, teksa përpiqej të shpjegonte marrëdhëniet midis trupit të saj dhe botës së jashtme.

Në poezitë e saj, ajo krahason bojën që pikturon me gjakun duke i atribuar një vlerë të veçantë aromës. Frida Kahlo ka vuajtur shumë fizikisht për shkak të problemeve shëndetësore, ndaj në poezi shpreh dëshirën e dëshpëruar për të ikur nga bota (dhoma e saj) që e bënte të ndihej si e burgosur.

Të shkruarit dhe krijimtaria letrare e nxitën të krijonte gjuhën e saj, e cila rrodhi natyrshëm dhe e largoi nga realiteti i vrazhdë.

Kur shkruan "Bota ime", Kahlo i referohet dhomës së saj, shtëpisë, hapësirave intime që ruajnë sekrete, anekdota magjepsëse dhe ulje-ngritjet e jetës. Aty gjente prehje, midis objekteve më të çmuara për të dhe fshihej kur mendonte për fatin e saj.

Artistja nuk ka lënë pa përmendur në vargjet e saj dhe dashurinë e patriotizmin për Meksikën, pa harruar të ngrejë dhe pyetje retorike e ekzistenciale si :

“Ç’ do të bëja pa absurdin dhe arratisjen? “ të cilat nënkuptojnë mendimet e saj parashikuese në lidhje me jetën e lirinë.

Ndryshimet fizike dhe emocionale, në mendësinë e Frida Kahlos u shndërruan në faktorë që strukturuan zbulimin e saj personal dhe artistik. E zhytur në vetmi, në heshtjen e dhomës së saj, teksa vëzhgonte trupin e përthyer para pasqyrës, ajo iu përkushtua autoportretit dhe thurjes së frazave që pështjellonin shpirtin e saj, duke bërë kështu që artistja të gërmonte në thellësi të qenies dhe të njihte njeriun që pulsonte aty.

Disa nga ngjyrat mbizotëruese që evidentohen në pikturën e saj janë portokallia, bluja apo vjollca, të cilat kontribuojnë për të dhënë forcën që kërkon imazhi.

Përveç se me dhembjet e saj fizike e psikologjike që konvergohen në ndjesitë dhe imazhet që mbizotërojnë autoportretet e saj, Frida Kahlo ka ditur të magjepsë ndjekësit mbi të gjitha, me mënyrën e pazakontë të të bërit art.

Në ‘Ditarin Intim’, Frida Kahlo identifikohet si Icelti "Ajo që lindi vetveten" ose "fshehësja e madhe". Emri është pjesë e fantazisë së saj dhe një ndër pseudonimet që piktorja përdori për të firmosur tablotë dhe tekstet letrare.

Në pikturat e saj aludohet për dhembjen e pakapërcyeshme që shkaktuan tri abortet që pësoi. Ndërsa fjalët mbeten ndjesitë që ajo i zhvendosi në letër, disa më të qarta, të tjera të padëshifrueshme, por me një rëndësi të veçantë për Fridën.

Foshnja në pikturat e saj përfaqëson dëshirën e madhe për të mbajtur në krahë fëmijën e shumëpritur, gjë që nuk mundi ta realizonte. Ajo nuk pati privilegjin të dhuronte jetë dhe amësia e cunguar, e shenjoi negativisht jetën e saj.

Kahlo përfshiu shpeshherë lulet në pikturën e saj, por të tjera elemente që i tërhoqën vëmendje ishin dhe njerëzit, frutat, ushqimi e artizanati. Frida Kahlo pikturoi në detaje gjithçka që i vuri vetes qëllim.

Nga ana tjetër, në lidhje me emocionet e saj, Frida guxoi me përdorimin e foljes puth, për të përshkruar aktin intim ndaj njerëzve që duam. Ajo i referohet dashurisë së jetës, piktorit Diego Rivera, i cili konsiderohet si lumturia që e përmbushte shpirtërisht.

Ata kishin një marrëdhënie shumë të zjarrtë dhe pasionante që përfshinte kryesisht aktivitetet intelektuale dhe artistike, më shumë se sa pasionin. Konceptimi i seksualitetit të Frida Kahlos, ndonjëherë mund të jetë i vështirë për t’u zbardhur, por nëse shikon nga afër punën e piktores, mund të evidentosh vizionin e saj, sa të harlisur, po aq dhe shumëngjyrësh.

Gjithsesi duhet theksuar se arti i lejoi Frida Kahlos të shprehte mendimet e saj, ndjenjat, stilin ironik dhe humorin e zi që e karakterizonin.

Sigurisht që ajo i ka shfaqur hapur, këto tipare të personalitetit të vet në poezi dhe pikturë. Frida Kahlo shquhet për talentin unikal dhe ndër të tjera tregoi interes për mitet rreth origjinës së universit apo njerëzimit. Kultura mesoamerikane rifreskoi frymëzimin në pikturë dhe letërsi tek artistja F. Kahlo.

Mitet, historitë dhe imazhet e kulturës meksikane motivuan artisten për të hetuar rrënjët e thella psikologjike dhe vizuale të antikitetit hispanik te cilat vihen re në përbërjen transhendentale të veprës së saj.

Në ‘Ditarin intim’, Frida Kahlo realizoi një ndërlidhje midis pikturës dhe prirjes letrare, por vetëm duke gjurmuar në veçoritë biografike të artistes, mund të identifikosh boshtin kryesor të veprës së saj poetiko – vizuale.

Image
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat