Piktura e Pikasos në mëshirën e një biznesmeni

Art

Piktura e Pikasos në mëshirën e një biznesmeni

Më: 21 dhjetor 2020 Në ora: 14:56
Foto Ilustrim

Piktura e Pikasos më e ekspozuar ndaj publikut nuk gjendet në ndonjë muzeum, por qëndron varur në muret e një restoranti në New York. Restoranti vetë ndodhet brenda një ndërtese pronari i së cilës, siç po thuhet, është i mendimit që piktura është një vjetërsirë që duhet hequr qafe.

“Le Tricorne” është një pikturë në një kanavacë gati 6 metra të lartë të cilën Pikaso e pikturoi në vitin 1919 për trupën e baletit rus të Sergei Diaghilev-it. Fillimisht piktura u përdor si perde për shfaqjen e baletit “Kapelja me tre cepa,” të kompozuar nga Manuel de Falla me koreografi të Léonide Massine, shfaqje për të cilën Pikaso dizenjoi kostumet dhe skenografinë.

Biografi i Pikasos, John Richardson, e ka cilësuar dekorin e kësaj shfaqje baleti si një nga “arritjet teatrale më të larta” të tij dhe perden në fjalë si një nga suveniret e fundit të trupës më me influencë të baletit gjatë shekullit të 20-të dhe një relike tepër të çmuar e cila ka arritur të mbijetojë deri në ditët tona. 40 vjet pasi Pikaso pikturoi “Le Tricorne”, arkitekti i mirënjohur amerikan Philip Johnson e përfshiu atë në projektin e tij për Restorantin “The Four Seasons” i cili ndodhet në ndërtesën “Mies van der Rohe’s Seagram Building”, një qiellgërvishtës prej 38 katesh e konsideruar një ndërtesë klasike e arkitekturës moderne. Që kur u hap në vitin 1959, “Le Tricorne” ka qendruar varur në hyrje të restorantit, nga ku mund të shihet jo vetëm nga klientët e tij, por dhe nga kalimtarët. Pjesa e brendshme e “The Four Seasons” u shpall monument kulture në vitin 1989 dhe si e tillë çdo ndryshim në të nuk mund të bëhet pa marrë paraprakisht aprovimin zyrtar.

Por historia nuk mbaron këtu.

Duke qenë se “Le tricorne” është pikturë dhe jo pjesë fizike integrale e ndërtesës Seagram Building, ajo nuk mund të mbrohet nga të njëjtat ligje që mbrojnë monumentet e kulturës, dhe Rosen, kompania e të cilit, RFR Holding, ka në pronësi ndërtesën në fjalë, duke përfituar nga ky teknikalitet, do që ta heqë pikturën. Ajo çfarë pretendon kjo kompani është që muri ku gjendet varur piktura ka rrezik të rrëzohet dhe duhet rindërtuar nga e para. Muzeumi i Artit Modern (MOMA) në New York ka ofruar ta mbajë “Le Tricorne”, por jo ta nxjerrë për ekspozim, mirëpo ata që merren me ruajtjen e veprave të artit besojnë që piktura është në gjendje kaq të brishtë sa është e pamundur ta lëvizësh pa e shkatërruar.

Sipas gazetës “The New York Times”, Zotit Rosen, që është jo vetëm pronar, por dhe një koleksionues veprash arti të avant-garde-s, nuk i pëlqen “Le Tricorne” dhe do të preferonte të varte në vend të saj një nga pikturat e koleksionit të tij. Dikush thotë që e ka dëgjuar zotin Rosen t’i jetë referuar pikturës me fjalën në Yiddish “schmatte”, që do të thotë “rreckë”. Duke qenë se Zoti Rosen është pronari i ndërtesës ai nga pikëpamja ligjore gëzon të drejtën t’i kërkojë institucionit për Ruajtjen e Monumenteve të Kulturës ta heqin “Le Tricorne”, edhe pse kjo e fundit rrezikon të shkatërrohet nga ky vendim.

Gjykatësi Matthew F. Cooper i Gjykatës Supreme të shtetit të New York-ut ka vendosur që piktura të mos hiqet “Nuk bëhet fjalë për një poster. Bëhet fjalë për një [pikturë] të pazëvendësueshme të Pikasos… [Ajo] është pjesë e strukturës kulturore dhe shoqërore të New York-ut.” Ai gjithashtu citohet të ketë thënë se nuk dëshiron të hyjë në histori si gjykatësi që “lejoi të shkatërrohet një Pikaso.” Belmont Freeman, një nga arkitektët që ishte pjesë e grupit të punës që u mor me ristrukturimin e “The Four Seasons”, ka botuar një shkrim në të cilin thotë se ajo që pretendon kompania RFR Holding nuk është e vërtetë dhe se muri ku qendron varur piktura nuk ka asnjë rrezik rrëzimi.

Sigurisht që një qytet të mbetet i gjallë nga pikëpamja kulturale është e domosdoshme që t’i nënshtrohet ndryshimeve të vazhdueshme, por disa ndërtesa në mënyrë të padiskutueshme meritojnë statusin e monumentit të kulturës, dhe ndërtesa Seagram Building, është një prej tyre. Në mënyrë të ngjashme, restoranti “The Four Seasons”, është po ashtu një monument kulture i New York-ut i rangut të Muzeumit Guggenheim me arkitekturë të Frank Lloyd Wright. Ai meriton të ruhet si i tillë, dhe ndonëse për faj të një teknikaliteti “Le Tricorne” nuk gëzon të njëjtën të drejtë për t’u mbrojtur, çdokush që e ka patur fatin ta shohë e di mirë që ajo është pjesë esenciale e dizajnit të restorantit dhe një nga veprat më të lavdishme kulturale të Manhattan-it.

Sipas legjendës, kur baronit të shekullit të 19-të, Cornelius Vanderbilt, i thuhej për diçka që kishte ndërmend të bëntë dhe që ishte e paligjshme, ai përgjigjej me pyetjen, “Ligji? Ku e çaj unë kokën për ligjin? A nuk jam njeri i fuqishëm?” Është e vërtetë që zoti Rosen ka të drejtën ligjore për të hequr “Le Tricorne,” por duke vepruar kështu ai po e dënon atë me shkatërrim. Do të ishtë mirë që puna të mos shkonte deri aty ku të na duhej të dëgjonim për aftësinë e zotit Rosen për të vlerësuar artin. Në fakt prova e lakmusit për zotin Rosen do të ishte kjo: A është vërtet kaq e rëndësishme për të që të varë nje vepër të Damien Hirst apo të Jeff Koons në hapësirën që Philip Johnson dizenjoi posaçërisht për një thesar të modernizmit si “Le Tricorne”? Në varësi të vendimit që do të marrë Zoti Rosen do të na tregojë që ose e ka vërtet për zemër artin e madh ose në të kundërtën që nuk di të bëjë dallimin mes një mundësie për investim dhe një kryevepre të pavdekshme.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat