Imazhet e autoktonisë në pikturën e Hamdi Bardhit

Art

Imazhet e autoktonisë në pikturën e Hamdi Bardhit

Nga: Bislim Aliu Më: 21 prill 2017 Në ora: 10:06
Ekspozita e Hamdi Bardhit

Kreativiteti shprehës i çdo krijuesi është një drithërimë e lartë e shprehjes ndjesore dhe shqisore të tij. Ajo është gjithsesi, shpirtërorja më e lartë dhe mendorja e thuktë e shprehur në çdo tablo kreative. Kjo “tingëllimë” rezonuese e ngulitur thellë në shpirtëroren e krijuesit është një qasje e brendshme, mbase imponuese, që kërkon nga

krijuesi që të rrëfehet me ndiesimin më të lartë kreativ. Dhe, mbase, në këtë qasje të lartë kreative dhe rrëfimtare, pa mëdyshje, hyn edhe kreativiteti i lartë i ndijimit ndjesor dhe fare sensitiv i Handi Bardhit.

Dihet mirëfilli se ky piktor një kohë të gjatë, mbase 50 vjet ishte i pranishëm në ekspozita individuale dhe kolektive në artet tona pamore; si brenda, ashtu edhe jashta vendit, që ia mundësuan që të formojë me përkushtim shprehjen e tij të lartë dhe fare të mëvetësishme.

Hamdi Bardhi u lind në Prizren më 1931. Pati më se 15 ekspozita individuale dhe shumë e shumë ekspozita kolektive, që tregojnë dendur kreativitetin dhe angazhimin e lartë në pikturë. Ai ekspozoi në Prizren, Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Ferizaj,… veprat e tij u ekspozuan edhe jashta vendit, si në; Podgoricë, Beograd, Zagreb, Suboticë, Shtutgard, Paris, Aman, Milano, Damask… ku tregoi gjithnjë kreativitetin e mirëfilltë dhe tejet rezonues.

Ai, për këtë kreativitet të mirëfilltë u shpërblye disa herë me mirënjohje dhe diploma, që pa mëdyshje, tregojnë në  vijimësi angazhimin dhe shkallën e lartë të kreativitetit ndjesor.

Fasadat, kreativitet i  lartë ndjesor dhe brumosje intelektuale e piktorit

Piktura e Hamdi Bardhit është FASADA. Atë, piktori e shprehu me ndjesimin më të lartë, më se 50 vjet. Dhe, më se 50 vjet, ai u rropat për ta shprehur këtë ndjesim të lartë shpirtëror e kreativ. Këtë kreativitet e lartësoi me shpërfaqje të ndjeshme autoktone.

Dhe, në përgjithësi, mund të themi se ky krijues me dell të lartë rrëfimtar, në pikturën e tij, gjithherë u vërejtën imazhet e larta të  kësaj lashtësie. Ai, asnjëherë nuk u iku këtyre imazheve dhe me pietet të lartë, piktori Bardhi tregoi shpirtëroret e larta dhe kreativitetin ndjesor të fasadave autoktone.

Këtë, ai e bëri me vullnet dhe kërshëri fare ravijëzuese. Dhe, në këte rrëfim është ai dhe uni i tij ndjesor dhe fare përmbajtjesor. Andaj, duke i analizuar më thellë pikturat e Bardhit, do të shohim qartas se ai është burimor dhe autokton. Ai nuk i takon asnjë grupi të piktorëve, të cilët vrapuan pas stileve dhe trendëve bashkëkohore.

Fasadat e tij janë një brumosje e  lartë idealizuese,  me imazhe të përfytyrimeve dhe vizioneve më konkretizuese dhe sublime të qytetit dhe qytetërimit. Ato, zaten, i bënë sfidë, trashëgimisë shpirtërore të popullit gjatë furtunave historike, që i përjetoi kombi dhe kultura shqiptar në trojet e veta. Ato, gjithsesi tregojnë autoktoninë shekullore të popullit dhe qëndresën e autoktonisë kombëtare. Atë e bëri me ndiesim të lartë e përmbajtjesor.

Dhe, në këtë kontekst, fasadat e piktorit Bardhi, gjithsesi paraqesin baraspeshën e përmbajtjeve dhe të ndjesive të larta sensitive. E, në anën tjetër, ato rrëfejnë vijimësinë e nduar-nduart të përmbajtjeve dhe lidhmërinë e njërës me tjetrën. Dhe, ato, në vijimësi komunikojnë dhe paraqesin shprehjen unikate të piktorit, tejet rrëfimtar dhe fare sensitive.

“Fasadat nuk janë shkëputje, çaste, përkundrazi, ato janë tablo me jetë të gjatë, në to janë të regjistruara kohërat, engramet, kujtimet. Lëvizjet në piktura kanë kohën e matur, ngjyrën e çiltër, kurse linjat përvijojnë rrugëkryqet të jetës, të fatit, të ëndërrove shekullore kolektive”- thotë kritiku i artit Skënder Boshnjaku.

Pra, ato, gjithsesi janë tablo të lidhura ngushtë ndër veti dhe, pa mëdyshje, synojnë të tregojnë jetën e gjatë të popullit shqiptar. Andaj vetëm sinqeriteti, dashuria dhe imagjinata e stërholluar e piktorit Bardhi, ka ditur, por edhe ka mundur ta tregojë me vepra rrëfimtare baraspeshën historike të popullit tonë. Dhe, në këtë drejtim, mendoj, pati të drejt dhe pati mjaft sukses.

Idealizmi i thuktë i shprehur në tablot rrëfimtare

Piktori Hamdi Bardhi, një kohë të gjatë  tregoi lirizmin dhe idealizmin e lartë shpirtëror dhe paraqitjen fare autoktone. Dhe, ky autoktonizëm lirik u bë alfa dhe omega e piktorit Bardhi. Ky rrëfim idilik i tij i treguar shumë gjatë në veprat e tij, mbase 50 vjet. Pra, 50 vjet piktori u rropat me këtë rrëfim idilik. Ai, zaten, në tablot e tij vijimisht tregoi unin e tij. Dellin dhe imagjinatën e tij. Ky dell dhe ky rrëfim i unit të  tij, mbeti përgjithmon aty, në veprat e tij tejet rrezative.

Andaj, ky origjinalitet i stërholluar, bukur u tregua në shumë vepra, mirëpo nga gjithë ai opus i tij, mbase, tejet rezonues, do t’i veçonim veprat; “Motiv nga Prizreni i vjetër”, “Fasadat kosovare”, “Fasadat e Junikut”, “ Fasada” I,II,III,IV,” Fasadat Ilire”, e shumë e shumë të tjera që tregohet dendur kreativiteti tejet rezonues të piktorit Bardhi.

Për fund mund të thuhet, se piktura e Hamdi Bardhit është fasada. Dhe, këtë fasadë piktori Bardhi e tregoi vazhdimisht dhe me seriozitetin më të madh. Zatën, fuçia dhe mençuria e tij e treguar në veprat e tij valëvitet në memorien tonë si një stimulans i qëndresës, në njërën anë, dhe në anën tjetër, si memorie shpirtërore. Andaj, fasada e tij  do të rezonojnë  gjithnjë, në veprat e Hamdi Bardhit, si një bukuri e lartë rrezative që shëmbëllen me imazhet e tij, mbase, tejet sensitive dhe fare përmbajtjesorë.

Image
Piktura e Hamdi Bardhit          
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat