Vështrim për ekspozitën personale të artistes Saranda Kika Bahtiri që u hap në Galerinë “Kult” në Gostivar - Bota Sot
Vështrim për ekspozitën personale të artistes Saranda Kika Bahtiri që u hap në Galerinë “Kult” në Gostivar

Art

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Vështrim për ekspozitën personale të artistes Saranda Kika Bahtiri që u hap në Galerinë “Kult” në Gostivar

Nga: Ilir Muharremi Më: 29 qershor 2018 Në ora: 22:48
Foto ilustrim

Duke i kundruar kompozicionet e piktores Saranda Kika- Bahtiri del në shesh harmonizimi i ngjyrave me nuanca të forta e intensive si në plan të parë poashtu edhe në prapavijë. E kuqja është dominonte shpërndahet në tërë kompozicionin dhe ka pamjen e një magme dhe sa e begatshme është kjo ngjyrë e cila krijon ekspresivitet dhe subtilitet të llojllojshëm të motiveve sidomos e shtrirë në peizazhe imagjinative. Krijon komunikim me hapësirën, kompozicionin dhe atmosferën. Arrihet një ndjesi mjaftë shqetësuese, shtëpi të ngulfatur nga boja e kuqe, pastaj në perspektivë hapet një shpresë me të verdhën e lehtë. Shohë dy pemë dhe krejt kjo arrihet mbas efekteve valeristike, ndërsa si pandam i dramaticitetit të planit të parë qetësia qëndron në prapavijë, me tone shumë të lehta të verdha.

Figurën e femrës e shohim si Torzo në hapësirë. Në pozita përballë, stoike, por me shprehje të thella psikologjike, në të cilat gërshetohet linja dhe ngjyra. Kështu definomi i ngjyrës dhe ndarja e planeve pikturale gjithnjë e më shumë gjen shprehjen e vet. Nuk është pastërtia, por preciziteti dhe begatia e kompozicionit me elemente abstrakte dhe ekspresive. Edhe pse femra konsiderohet si e brishtë në shoqëri, këtu na del e fortë, e qëndrueshme, e plotësuar me bojë, madje e dominuar në plan të parë dhe bëhet një gërshetim ndërmjet trupit Torzo të femrës dhe prapavijës, hapësirës si peizazh. Ngjyrat në sfond janë më të lehta, më të çelta, më të pastra. Femra në brendësi ka shumë klithje, vuajtje, shqetësime, hutime dhe paramendime, e krejt kjo vjen nga gjuha e brendshme e piktores.   

Kemi edhe akte në pozita të ndryshme të kthyera e të lyera krejt me bojë të kuqe dhe këtu kemi një kontrast ndërmjet figurës dhe prapavijës. Prapavija është gri dhe me ngjyra neutrale dhe sa më pak e theksuar prapavija, aq më e fortë është forma në plan të parë. Ngjyra është shpirtërore, emocionale qëndron ndërmjet dritës dhe hijes.

Shqetësimi i brendshëm ndërthuret me lojën e bukur të shkëlqimit të ngjyrës mbi sipërfaqen e trupit të femrës. Gjithnjë respektohet elementi i ngjyrës, linjës, formës dhe kompozicionit. Sa shohim një bukuri, e kuqja krijon teatër dhimbjesh.

Si në peizazhe, edhe në portrete, ngjyrat vendosen me gjeste të sigurta, me koncepte të mirëmenduara dhe gjithmonë na shpijnë drejt hulumtimit si të ngjyrës dhe formës ose pjesës strukturore koloristike të kompozicionit.

Ngjyrat  janë herë shumë të pastra e herë shumë dinamike, por me forma simbolike, aq mirë të përpunuara sa kalojnë edhe në dekoracion. Ajo ka një zë të brendshëm ngjyror, plot jetë, dhe çdo gjë e fokuson në detaje dhe vizatim.

Vetë titulli i ekspozitës “Rikthimi” trajton një rikthim në vitin 1999-të. Është gjendje jetësore saj, kohë e luftës dhe qëndrimi i saj në Gostivar, qytet për të cilin ndjenjë nostalgji artistja. E tërë gjendja implikohet  nëpërmjet ngjyrave simbolike, kontrasteve, përmes këtyre raporteve inferohet bota e saj shpirtërore.

Vetë arti trajton atë impulsin i cili në të njëjtën kohë pranon dhe mohon, çka i bie me këtë? Artistët e refuzojnë realen, mundohen të gjejnë diçka përtej saj, liri, ndërsa artistja nuk abstenon nga koha tragjike e luftës dhe bën kërkesë ngulmuese për unitet përmes tablove. Ajo përmes artit paraqet nostalgjinë dhe ndjenjës, mungesën, kujtime të vrugtë, mbytëse, kohë revolte, ndjenjë force, e çka më shumë mund të ndjesh në veprat e saja. Ajo bënë gërshetim origjinar dhe këtu arti hap një perspektivë mbi përmbajtjen e nostalgjisë dhe dhimbjes.  Mirë edhe thotë Albert Camus dhe parimi i pikturës qëndron në zgjedhje. Normal, piktorja veçon subjektin dhe kjo është mënyrë e të bërit të veçantë veprën e saj. Por, në sfond dikund në perspektivë peizazhet  sikur zhduken nga kujtesa, por është drita ajo që reflekton sipër maleve dhe horizonteve dhe nuk shohë fiksione ose trillime, çdo formë dhe ngjyrë është reale e një brendësia personale duke u reflektuar nga koha. Këtu artin e shohë shumë personal, dhe vërtetët ndjehet forca e tij.

Të gjithë eksperimentuan rreth dritës dhe hijes, ishte edhe Rembranti. Dritën këtu e vërejmë si objekt dhe subjekt, si estetikë, ndjenjë force e të bërit të veçantë kompozicionet e saja.

Autori është kurator i ekspozitës

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test