Ekspozitë në Nju Jork për 200-vjetorin e Frankenshtajnit

Art

Ekspozitë në Nju Jork për 200-vjetorin e Frankenshtajnit

Më: 27 tetor 2018 Në ora: 19:50
Frankeshtajn lindi 200 vjet më parë, pot ai vazhdon të jetojë në spektakle, libra dhe versione të rinj filmash

Ndërsa afron festa e Halloween-it, qyteti i Nju Jorkut po përgatitet të marrë pamjen e tij “të frikshme”. Biblioteka dhe Muzeumi Morgan po festojnë 200 vjetorin e librit “Frankenstein” të autores Mary Shelley, një ndër romanet më ngjethës të të gjitha kohërave. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elena Wolf, vizitoi ekspozitën dhe shqyrtoi nga afër dorëshkrimin origjinal të kësaj vepre.

Është një ndër klasikët e Hollivudit: të vdekurit që ecin... një shkencëtar i çmendur... dhe Frankenshtajni.

Ishte ndoshta ndër filmat e parë të frikshëm në Shtetet e Bashkuara..., megjithëse ndoshta paksa i zbutur sipas standarteve të sotshme.

Megjithëse koncepti i Frankeshtajnit lindi 200 vjet më parë, ai vazhdon të jetojë në spektakle, libra dhe versione të rinj filmash.

Kjo është ndoshta ekspozita e parë e dedikuar krejtësisht Frankenshtajnit dhe e krijuar, ashtu si ai vetë, me pjesë të bashkuara.

Këtu, vizitorët mund të shikojnë dorëshkrimin e autores Mary Shelley, për kimistin që solli në jetë një përbindësh...

Botimi i parë nuk mbarte emrin e saj. Autorja frikësohej se lexuesve nuk do t’u pëlqente çfarë ajo pati shkruar. Ky libër pasqyronte realisht paralelizma me jetën e saj.

“Kishte një histori vërtetë tragjike. E ëma i vdiq 10 ditë pasi e lindi. Dinte se ç’do të thoshte të ishe jetim. Ajo ishte vetëm në të 20-tat, kur u bë vejushë. Nuk është e habitshme që krijoi historinë e një përbindëshi pa nënë. Janë një ndër gjërat e tyre të përbashkëta”, thotë kujdestarja e ekspozitës, Elizabeth Campbell Denlinger.

Letërsia e fillimit të shekullit të 19-të përmbante historira tmerri mesjetar, por romani i zonjës Shelley ishte ndryshe. Ai kombinoi tmerrin me fantazinë shkencore.

Misticizmi u zëvendësua nga reaksionet kimike, operacionet kirurgjikale dhe muzika e frikshme.

“Të gjithë janë dakort se Frankenshtajni është një ndër klasikët e letërsisë botërore. Por, në dallim nga klasikët e tjerë, ai mund të interpretohet, adaptohet, ndërthuret, apo parodizuar në mënyra nga më të ndryshmet. Ripërshtatet pafundësisht dhe prandaj ka patur një karrierë kaq të gjatë dhe të suksesshme për 200 vjet”, thotë John Bidwell, shef departamenti.

Një poster i vitit 1931 i studios kinematografike “Universal” ka vlerën më të madhe historikisht – rreth 600 mijë dollarë.

Por, drejtori i muzeut thotë se vlera e Frankenshtajnit ka domethënie përtej parasë.

“Ishte një histori për shkencën, vdekshmërinë, moralin, mirësinë, përkushtimin, apo edhe dhunën dhe ligësinë. Pra, tematikat janë ende shumë të pranishme për ne”, thotë drejtori i Muzeut & Bibliotekës “Morgan”, Colin B. Bailey.

Zoti Bailey sugjeron të lexojmë origjinalin, përpara se të shikojmë filmin:

“Ishte ora 1 pas mesnate; shiu trokiste frikshëm në dritare, dhe qiriri pothuajse ishte venitur, kur nën dritëzën e flakës gjysëm të fashitur, pashë krijesën të çelë syrin e zvjerdhur; mori frymë rëndë dhe një lëvizje spazmatike ia shkundi gjymtyrët...”, lexon zonja Campbell nga shkrimi i dorës i autores.

Dyqind vite më parë, këto fjalë i dhanë frymë një përbindëshi. Sot, dyqind vjet më pas, kjo histori është ende shumë e gjallë./voa

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat