”Natyra me ka dhënë penelat për të shprehur shpirtin”

Art

”Natyra me ka dhënë penelat për të shprehur shpirtin”

Nga: Albert Z. Zholi Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 09:16
Piktorja Elona Marika

Elona Marika  mbetet një piktore e heshtur dhe pse ka lënë gjurmë në Itali dhe Shqipëri. Modestia e ka bërë atë më të vëmendshme në profesion, më selektive në shoqëri, më këkruese në vetevete, më të hapur në mendime dhe më vizionare për të ardhmen.  Ka shkuar në Itali që në vitin 1995, për motive familjare si shumë të tjerë, vend në të cilin e ka çuar më tej artin e pikturës të nisur me dëshirë në vendlindje, në qytetin e bukur bregdetar të Durrësit. Ekspozitën e parë e ka hapur në vitin 2006 dhe pas saj ka marrë pjesë në 15 ekspozita individuale dhe kolektive ku ka marrë vleërsime nga specialsitët por edhe nga publiku.

Kur filloi të pikturojë për herë të parë Elona dhe kush ishte shtysa të mirrje këtë rrugëtim kaq të vështirë po dhe aq të bukur?

Unë nuk mbaj mend të kem filluar. Them se kam lindur kështu. Çdo gjë ka ndodhur në mënyrën më natyrale.  Shtysa ka  qenë e njejta me atë që është sot. Nevojë të shpreh atë që nuk arrihet me fjalë.  Vetëm se sot është perfeksionuar, duke e vënë në shërbim edhe të shoqërisë me tema të përcaktuara mirë.

-Kush të zbuloi si talent?

Unë kam qenë shpirt rebel dhe jam ende. Më ka zbuluar pasioni për atë çfarë bëj. Unë nuk e quaj talent, por dhunti. Malagrida ka pas thënë :”Njeriut i dhanë fjalën për të fshehur mendimin’. Unë them :”Natyra më ka dhënë penelat për të shprehur shpirtin”

-Në fillimet e tua kush ishin piktorët që kishe për zemër shqiptarë apo të huaj?

Ai me të cilin ishte dashuri me shikim të parë: Giorgio De Chirico-metafizik. Ishte dhe mbetet rruga më e bukur për të shprehur botën e fshehtë, atë që të bën të kthesh ëndrrat në tabllo.  Klasikët e mëdhenj si Caravaggio, Raffaello etj, që më kanë ndihmuar në rrugëtimin tim të studimit dhe praktikës.  Impresionistët e mëdhenj si Monët etj, ku shoh lirinë time në pejsazhe.

-Cila është piktura juaj e parë si e titulluat dhe ku ndodhet sot? Nga kush u vlerësua?

Puna ime e parë me bojra vaji, sepse vizatimet dhe akuareli janë shumë të hershme, është një shtëpi në mes të pemëve, që gjendet në shtëpinë e një familjeje italiane. E dyta, por e para për rëndësinë, një fushë me lulëkuqe, e cila është blerë nga një familje në Parma.

-Kur si dhe pse shkuat në Itali? Përse zgjodhët këtë vend për emigrim?

Jam në Itali që në vitin 1995. Për motive familjare si shumë të tjerë. Nuk e zgjodha unë, ashtu erdhën kushtet, por nuk më vinte aspak keq që fati po’ më ofronte djepin e artit.

-A e keni ndjerë racizmin në Itali dhe kur je ndjerë më keq në fqinjin tonë perëndimor?

Racizmi në Itali ndjehet për faktin që si i huaj nuk merr kurrë meritat e duhura. Përsa i përket ndonjë momenti të veçantë, kur punoja në një lokal , një i ri Italian i thotë mikut të tij: mos bëj si shqiptar. Aty nuk rezistova dot, edhe pse në shërbim i thashë: pse çfarë kanë shqiptarët?!

-Kur e keni hapur ekspozitën e parë si titullohet dhe sa piktura keni paraqitur në atë ekspozitë?

Ekspozitën e parë e kam hapur në vitin 2006 në Durrës tek salla e sapokrijuar në atë kohë për ekspozita pranë Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” me rreth 50 piktura.

- Si i keni lidhjet me komunitetin shqiptar në Itali?

Jam pjesë aktive e komuniteti shqiptar që nga vitet 2009-2010. Dy vitet e fundit  jam mësuese vullnetare tek shkolla e gjuhës shqipe” Scanderbeg”Parma, në lëndën e artit.  

-A jetohet me pikturë në fqinjin tonë? Po në Shqipëri a është bërë kulturë arredimi i shtëpive me piktura origjinale?

Për fat të keq, edhe pse djep arti, Italia po’ Kalon një krizë identiteti. Arti ka marrë një formë tregtie jo të barabartë dhe nuk vlerësohet kualiteti dhe talenti. Në Shqipëri ka kohë që arredimi i shtëpive me tabllo originale është kthyer në diçka të zakonshme. Kjo edhe sepse shqiptarët janë artdashës. Shumë shtëpia, lokale e qëndra biznesi në Durrës mbajnë firmën time me tabllo apo murales. Edhe në Itali shumica e kërkesave arrijnë nga shqiptarët.

-Ku konsiston më shumë piktura e Elonës tek abstraktja apo te klasikja, apo një ndërthurje mes tyre?

Piktura e Elonës është e Elonës. Nuk ka një rrymë të përcaktuar. Siç thashë në fillim mbi ndikimet, shprehem për atë pjesën e fshehtë timen me metafizikën, relaksohem me natyrën e qetë klasike, shpreh vorbullat emocionale me spatula, pejsazhet me një frymë impresionizmi alla Elona.  Adhuroj të eksperimentoj me materiale të rastit, psh verë, shkumë poliuretani, stuko të ndryshme, zift, zhavorr, stofra etj…

Por të gjitha i lidh vetëm një rrymë: Mendimi. Unë them rroftë mendimi. Kush sheh një pikturë duhet të hyjë në të sipas imagjinatës, sipas asaj që ajo përcjell. Më pëlqen kur gjithsecili e interpreton një tabllo timen sipas imagjinatës, ndjesive, emocioneve të tij dhe më lumturon kur gjejnë veten në të.

-Piktorët shqiptarë a janë të kompletuar të konkurrojnë në botë?

Piktorët shqiptarë janë shumë të kompletuar. Sepse edhe vuajtjet kane ndikuar pozitivisht në një kërkim vetjak të secilit. Kemi fatin e mirë dhe të keq të njohim botën nga këndveshtrime të ndryshme por kjo është një temë e gjatë e përshtatshme për një tryezë të rrumbullakët mes artistësh.

-Keni menduar të ktheheni në Shqipëri?

Për momentin, jo. Por nuk i dihet kurrë. Për momentin më pëlqen të kthehem si turiste. Bëj shaka natyrisht. Kam provar dikur të kthehem, por nuk gjeta vetveten.

-A vlerësohet sot femra  në Shqipëri nga politika apo ende është një shoqëri maskiliste?

Të flas për periudhën që kam prekur në Shqipëri rreth viteve 2005-2009. Tani gjërat mund të kenë ndryshuar. Në atë periudhë preka realitet maskilist. Aq sa njëherë dikush xheloz që punimet e mija u kërkonin, më pat thënë që unë kushedi si ja arrij të kem kaq kerkesë. Pak rendësi ka. Nuk i kam kushtuar kurrë rëndësi njerëzve të varfër shpirtërisht. Edhe të tillë karaktere më ndihmojnë në punën time. Më pëlqen ta studjoj botën njerëzore, karakterin. Edhe kur bëj një portret, më parë analizoj personin nga materiale të ndryshme. Nuk përpiqem të arrij perfeksionin viziv, por të nxjerr në pah karakterin.

-Sa piktura keni në arkivin tuaj?

Shumë. Nuk i numëroj, edhe për faktin që shtohen. Disa ikin e shumë vijnë. Nuk ka kënd të shtëpisë, studios, aktivitetit që nuk mbulohet nga tabllo.

-Planet për të ardhmen?

Plane shumë, projekte gjithashtu. Por duke qenë karakter me këmbë në tokë dhe praktik, i bëj të ditur vetëm kur janë në prag realizimi.

Më pëlqejnë bashkëpunimet me fushat e tjera të artit. Këtu do ketë së shpejti të reja. Gjithashtu hyjnë tek planet edhe lufta për të drejtat e gruas, kundër dhunës, përkrahja e talenteve të reja, promovimi i talenteve aktuale, mbrojtja e gjuhës shqipe në botë, e traditave, kulturës. Kam ende shumë për të dhënë. Shpresoj të kem kohë të realizoj të paktën një pjesë. Ju falenderoj për intervistën dhe për mundësinë që të arrij t’ju tregoj diçka nga Elona.

Image
Image

Ekspozitat dhe rrugëtimi

Ekspozita shumë. Dy në Durrës dhe të tjerat në Itali në qytete të ndryshme.

Viti                              Ekspozita                                                 Vendi  

2006                          personale                                                  Durrës 

2009                          personale                                                  Durrës 

2011                          personale                                                  Parma 

2013                          personale                                                  Forli                                   

2015                          personale                                                 Monticelli d’Ongina 

2 / 3

2015                          personale                                                  Castelvetro Piacentino 

2016                          personale                                                   Monticelli d’ongina 

2016.                         Kolektive.                                                    Ghedi(Brescia)

2017                          Donne d’Albania- personale                   Parma 

2018                          personale                                                   Parma                                              

2018                          personale                                                   Colleçhio 

2018                          personale                                                    Modena 

2018.                         Kolektive.                                                     Ghedi(Brescia)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat