Këshilli i Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë ka deklaruar sot se ka shtyrë për në fund të prillit vendimin në lidhje me të ardhmen e atletes afrikano-jugore, Caster Semenya. Sipas CAS është ende e paqartë të përcaktojë se kush ka të drejtë në konfliktin mes Federatës Ndërkombëtare të Atletikës (IAAF) dhe atletes kampione olimpike në 800 metra.
Kjo paqartësi ka lidhje me rregullat e reja që IAAF kërkon te vendosë për atletet femra, të cilat kanë nivel të lartë testosterone, që u prodhohet vetë nga trupi, por që i favorizon në garë. IAAF kërkon që këto atlete, mes të cilave edhe Semenya, të limitojnë nivelin e testosteronit përmes mjekimit dhe më pas ato të lejohen të garojnë. Gjithsesi, atletet e kundërshtojnë këtë rregull.
IAAF pat deklaruar se në rast se Semenya nuk pranon rregullin e ri, atëherë atletja duhet të garojë me meshkujt. Kjo gjë është kundërshtuar nga Semenya, që më pas ka çuar çështjen në CAS. Kjo përplasje në CAS e zhvilluar në fillim të marsit zgjati 5 ditë. Këshilli i Arbitrazhit Sportiv, fillimisht deklaroi se do të marrë një vendim më 26 mars, por vendosi ta shtyjë atë për në fund të prillit.