Kenianët në Prishtinë, gati për Gjysmëmaratonën

Atletika

Kenianët në Prishtinë, gati për Gjysmëmaratonën

Nga: Kemajl Goca Më: 26 prill 2019 Në ora: 15:44
Kenianët në Prishtinë, gati për Gjysmëmaratonën

Këshilli Organizativ i Gjysmëmaratonës ndërkombëtare “Prishtina 2019” në atletikë, bëri të ditur se gjithçka po shkon mirë sa i përket regjistrimit të atletëve e atleteve. Fatlum Grajçevci,  i cili është në krye të Këshillit Organizativ, tha se dita e fundit për regjistrim për Gjysmëmaratonë është 27 prilli pikërisht deri në orën 20.00.

“Realisht kemi pritur një numër më të madh për këtë vit, të paktën deri me tash, por numri i të regjistruarve është i përafërt me të vitit të kaluar, e kam fjalën deri në ditën e enjte (25 prill). Besoj se do të rritet numri edhe më shumë në ditën e fundit, kur edhe përfundon regjistrimi me 27 prill në orën 20.00)”, tha Grajçevci për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Organizatorët e garës më të madhe, e 19-ta me radhë, thanë se pritet pjesëmarrja të jetë më e madhe se e vitit të kaluar, sepse si gjithmonë në ditën e fundit paraqitet numri më i madh për të marr pjesë në Gjysmëmaratonën “Prishtina 2019”. Grajçevci tha se pritet të marrin pjesë atlet elitë nga disa shtete. “Dhjetë atletë kenianë (5 femra e 5 meshkuj) kanë arritur në Prishtinë, pritet edhe të tjerët të vijnë”, thotë Grajçevci.

Gjysmëmaratona ndërkombëtare “Prishtina 2019” do të mbahet të dielën (me 28 prill), duke filluar nga ora 10.00 në relacionin nga Teatri Kombëtar në Prishtinë, ku atletët përshkojnë rrugën Fushë Kosovë, Kastriot dhe anasjelltas.  Fituesit e garës qoftë të femrat qoftë të meshkujt do të shpërblehen me 1200 euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat