Hajdari: Atletika në Kosovë është fokusuar më tepër në sasi se sa në cilësi

Atletika

Hajdari: Atletika në Kosovë është fokusuar më tepër në sasi se sa në cilësi

Nga: Kemajl Goca Më: 23 qershor 2019 Në ora: 13:27
Musa Hajdari

Si çdo sport në Kosovë që ka peripecitë e saja po ashtu me vështirësi ballafaqohet edhe mbretëresha e sporteve.

Atleti më i mirë në vendin tonë, Musa Hajdari, anëtar i KA Rogana dhe i kombëtares së Kosovës, shpreh shqetësimet e tija me ecurinë që po kalon ky sport! Hajdari ka treguar rezultate shumë të mira gjatë këtij viti, duke thyer edhe rekordet në disiplinat e mesme, posaçërisht në 800 metra. Ai ka thënë se në vendin tonë më shumë janë të fokusuar në sasi se sa në cilësi!  

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me këtë edicion, çka e veçon deri me tash?
Musa Hajdari:
Nëse i marrim dhe shikojmë rezultatet,  krahasojmë me vitet paraprake, jemi shumë më mirë këtë vit, këtë e them duke parë që janë thyer rekordet e Kosovës në 800 dhe 1000 metra. Është arrit medalje në Kampionatin Ballkanik në salla të mbyllura, po ashtu me rekord të Kosovës në 800 metra. Mirëpo, diçka që shumë na ka dëmtuar ka qenë mospjesëmarrja në mitingje të nivelit të lartë.

E, i gjithë faji i bie në këtë rast federatës që s’ka bërë asnjë përpjekje që të na siguroj viza për pjesëmarrje në aktivitetet të tilla. Vetëm këtë gjashtëmujor kam humb tri mitingje të nivelit të lart, prej nga kam pas ftesë për pjesëmarrje, e ku sigurisht që rezultatet do të ishin edhe më të mirë se sa që janë tani.  

“Bota sot”: Në garat e fundit keni arritur rekorde në 800 metra, a është një sinjal se po arrini në nivelin më të lartë dhe që mund të jeni edhe konkurrues me atlet më të njohur botëror?
Musa Hajdari:
Jam vetëm 30 të qindtat e sekondës larg normës evropiane. Kjo është asgjë duke e ditur formën në të cilën jam duke kaluar. Jemi shumë të bindur që në një konkurrencë më të fortë 1.46 do të jetë mëse i arritshëm, e, norma evropiane është 1.47.30.

“Bota sot”: Thoni se në tri mitingje nuk morët pjesë shkaku i vizave, cilat janë ato dhe përse vlerësoni se jeni të dëmtuar si atlet?
Musa Hajdari:
Së pari është mungesa në Kampionatin Evropian në salla të mbyllura, mitingu në Gjermani, si dhe mitingu në Zenicë, prej nga jemi shumë të bindur që do të ktheheshim më së paku normën e Evropës. Dëmtim më të madh se sa cenimi i të drejtës për pjesëmarrje në gara të nivelit të lart, nuk e di se çka është për një sportist.  

“Bota sot”: Çfarë iu duhet më shumë juve si atlet apo në përgjithësi atletikës?
Musa Hajdari:
Atletika në Kosovë është fokusuar më tepër në sasi (kuantitet), e për cilësi (kualitet) nuk e qajnë fort hallin. Por unë e kam një pyetje për të gjithë strukturën e Federatës Atletike të Kosovës: Në gara të nivelit ballkanik e tutje shkoni me sasi apo me cilësi?  Dëshmi për këtë që them është që sa vitet marrim pjesë si Kosovë në Kampionatin Ballkanik për seniorë, ndërkaq merrni edhe shiheni se sa medalje janë sjell edhe nga kush.

“Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja?
Musa Hajdari:
Synimet janë që në Kampionatin Ballkanik që të futem në mesin e medalisteve, si dhe top synim e kam arritjen e normës evropiane.  

Image

“Bota sot”: Ku stërviteni më shumë dhe a keni probleme?
Musa Hajdari:
Po, shumicën e stërvitjeve i bëjmë në Gjilan e Kamenicë. Për momentin jam në përgatitje në Zhablak. Në lartësi mbidetare 1500-1700 metra. 

“Bota sot”: Cila është gara e radhës dhe në anën tjetër sa është vështirë që shumica e stërvitjeve të bëhen në shtigjet pa tartan?
Musa Hajdari
: Po, është jashtëzakonisht e vështirë të stërvitem në kushte krejt tjera me garën. Gara e radhës është Kupa Evropiane  e shteteve në zhvillim që do të zhvillohet ne Shkup.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat