Në historinë e atletikës shqiptare

Atletika

Në historinë e atletikës shqiptare

Më: 29 gusht 2019 Në ora: 15:23
Në historinë e atletikës shqiptare

“Një atlet duhet të vrapojë me ëndrrat në zemër e jo me paratë në xhep”, ka qenë një shprehje e famshme e vrapuesit çekosllovak Emil Zatopek dhe në atletikën shqiptare ka një emër që ka vrapuar gjithmonë me ëndrra të mëdha, Luiza Gega.

E vetme, 30-vjeçarja ka mbajtur gjallë atletikën në Shqipëri duke thyer jo vetëm rekorde të njëpasnjëshme, por njëkohësisht duke bërë të rëndësishme atletikën shqiptare në vitet e fundit, bashkë me Izmir Smajlajn, aq sa në garën e saj të fundit në Rovereto, arriti të triumfojë në 3 mijë metra me pengesa, diçka e rrallë për një evropiane dhe ishte një kënaqësi tek dëgjoje komentatorin e Rai Sport ta evidentonte diçka të tillë.

Pak javë më parë, në Shkup, Luiza regjistroi një tjetër arritje duke siguruar me kohën 9 minuta 25 sekonda e 79 të qindtat kualifikimin për në Olimpiadën e Tokios, diçka e jashtëzakonshme dhe e pamenduar për një atlet shqiptar.

Dekada e fundit në sportin e atletikës, e sidomos pas vitet 90-të në Shqipëri, është identifikuar kryesisht me emrin e saj, aq sa duket paradoksale që një vend i vogël si Shqipëria, të konkurrojë në garat e distancave të thellësisë me emra të mëdhenj të këtij sporti, që vijnë nga Kenia, Etiopia apo nga vende të ndryshme afrikane, që kanë mbështetjen, kushtet dhe traditën.

Sukseset e Luiza Gegës, së fundmi në Shkup, por dhe Rovereto janë jo vetëm një triumf i saj, por dhe fitore e atletikës dhe atij vrapimi me ëndrra në zemër, që evidentonte Emil Zatopek, edhe pse thënë në mesin e viteve 50-të është paksa jashtë mode, vetëm në pjesën e fundit të saj, pasi në atletikën e sotme pasi ke realizuar ëndrrat ke merituar dhe paratë në xhep.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat