Sylejmani: Nuk kemi shteg të atletikës në Kosovë

Atletika

Sylejmani: Nuk kemi shteg të atletikës në Kosovë

Nga: Kemajl Goca Më: 1 tetor 2019 Në ora: 17:23
Sylejmani: Nuk kemi shteg të atletikës në Kosovës

Atletika e Kosovës po kalon periudhë të vështirë, për shkak se iu mungon edhe shtegu i atletikës sipas standardeve ndërkombëtare dhe kjo i penalizon ata që të organizojnë edhe një garë të nivelit ballkanik. Halil Sylejmani, president i Federatës Atletike të Kosovës, shpreh shqetësimin e tij, që kanë mungesë të shtegut të atletikës, pasi që ai në Mitrovicë nuk i plotëson standardet.

Ai flet edhe për Kongresin e Federatës Botërore të Atletikës (IAAF), që u mbajt këto ditë në Doha të Katarit. “Kongresi i IAAF-it ka qenë edhe zgjedhor edhe i punës dhe ishim pjesëmarrës edhe ne, kur dihet që Federata Atletike Botërore ka në xhiron e saj 213 federata, ndërsa federata ruse është e suspenduar. Gjatë dy ditëve që ishim në kongres, u bë zgjedhje apo rizgjedhja e presidentit të Federatës Botërore të Atletikës, Sebastian Coen.

Ai edhe këtë vit apo në këtë kongres ishte pa konkurrencë, u votua unanimisht nga 203 delegatët që ishin pjesëmarrës në votim dhe asnjë abstenim apo kundër. Kongresi është evenimenti më i lartë i atletikës botërore apo institucioni, i cili shoshit gjërat në kuadër të saj që sa më mirë të organizohet atletika botërore!”, thotë nga Doha Sylejmani për gazetën kombëtare “Bota sot”. “U fol edhe për kushtet, jo pak po shumë federata vërtet veprojnë në kushte të jashtëzakonshme, të vështira, ku një ndër to edhe Federata Atletike e Kosovës. Në këtë kongres janë ndërruar shumë gjëra me statutin e federatës botërore, ku besoj që do të ndikojë në ndihmën e federatave që qëndrojnë jo mirë materialisht por edhe me rezultate”, tha ai.

A u diskutua edhe për ta ndihmuar Federatës Atletike të Kosovës? “Në kongres nuk flitet personalisht për ndonjë federatë, përpos asaj, nëse si përfaqësues i federatës e kërkon, mirëpo federata botërore do të ndihmojë Federatën Atletike të Kosovës. Së pari duhet të ketë mirëkuptim brenda shtetit të Kosovës, duhet të ketë vendin dhe të ketë ku të investojë, mendojë në infrastrukturë dhe në organizim të garave.

Ne kemi bërë plane edhe më herët dhe besoj se do t’ia dërgojmë organeve të federatës Botërore, që presim të na ndihmojë. Në ditën e dytë janë shpalosur shumë plane edhe në reformimin e IAAF-it, tani e tutje IAAF do të quhet World Athletic, po ashtu u diskutuan edhe shumë gjëra tjera. Si përfaqësues i federatës, jam i kënaqur me respektin ndaj neve dhe federatës nga presidenti i rizgjedhur dhe nga federatat të tjera, si dhe kryetari i Federatës Ballanike, Dobromir Karamarinov.

Ditën e tretë e kemi mbajtur edhe kongresin ballkanik të punës, mes të tjerash është aprovuar kalendari i garave, fatkeqësisht ne nuk kemi propozuar për asnjë garë që ta marrim e ta organizojmë në Kosovë, sepse siç dihet mirëfilli, nuk kemi shteg të atletikës në Kosovë. Besoj që shtigjet që u prishen në Mitrovicë dhe në Prishtinë, fajtori është i ditur.

Besoj se ata që duhet të ndërmarrin masa ndaj këto gjëra, të japin llogari opinionit të gjerë në Kosovë. Gjithashtu është mbajtur asambleja e përgjithshme e Unionit të Mediteranit, në të cilën asamble u parapanë mënyrat se si të bëhet organizimi dhe takimet e ndryshme, të sportistëve që bëjnë pjesë në këtë union.

U bë zgjedhja e disa organeve, u mor vendimi që të organizohet një garë në vitin e ardhshëm në Ankona të Italisë, besoj se ne do të marrim pjesë në këtë ngjarje si federatë dhe u shpreh dëshira të ndihmohet federatat të cilave nuk i kanë kushtet aq të mira për sportin numër një, atletikën”, përfundoi Sylejmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat