Salazar pezullohet 4 vite

Atletika

Salazar pezullohet 4 vite

Më: 1 tetor 2019 Në ora: 18:44
Salazar pezullohet 4 vite

Ish trajneri i atletit të famshëm Mo Farah, Alberto Salazar u shkualifikua për një periudhë 4-vjeçare nga ky sport, për shkelje të rënda që lidhen me dopingun. I lindur në Havana, 61-vjeçari me nënshtetësi amerikane mori famë në fillimin e viteve ’80, kur fitoi tre herë radhazi Maratonën e New York-ut dhe triumfoi gjithashtu edhe në maratonën e Bostonit, sidoqoftë ish-atleti me origjinë kubaneze u përzgjodh për të drejtuar projektin stërvitor të atletit të famshëm britanik nga 2011 deri në vitin 2017.

Vendimi u mor pas një hetimi 4-vjeçar nga USADA, Agjencia e Anti-Dopingut e Shteteve të Bashkuara, si dhe betejave të panumërta në gjykatë, për më tepër me dyer të mbyllura që zgjatën plot dy vjet.

Pas shpalljes së këtij vendimi Alberto Salazar u shfaq i habitur dhe deklaroi se do të apelojë kundër një përfundimi të tillë, sipas tij krejtësisht të padrejtë. Po me 4 vite u shkualifikua gjithashtu edhe Jeffrey Brown, doktor endokrinolog që ka trajtuar në mënyrë të veçantë një pjesë të mirë të atletëve që stërviste Alberto Salazar.

Mo Farah u nda përfundimisht nga Salazari në 2017, pikërisht vitin kur edhe USADA ngriti akuzat e para kundër tij. Pas ndëshkimit të ish-trajnerit të tij, Mo Farah u shfaq i çliruar për mbylljen e çështjes nga USADA dhe shkualifikimin 4-vjeçar. Atleti i famshëm me origjinë nga Somalia shprehu kënaqësinë e tij për këtë dënim, duke shtuar se gjatë gjithë karrierës së tij nuk ka toleruar asnjë shkelje të rregullave apo dhe procedurave të antidopingut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat