Liza në Botën e Çudirave

Atletika

Liza në Botën e Çudirave

Më: 10 tetor 2019 Në ora: 15:35
Liza në Botën e Çudirave

Luiza Gega është absolutisht sportistja më e mirë e atletikës shqiptare. Një kampione që përtej çdo vështirësie ka arritur ta përfaqësojë me dinjitet dhe ta nderojë flamurin tonë kombëtar në të gjitha eventet më të rëndësishme evropiane dhe botërore.

Vetëm disa ditë më parë ajo shkroi historinë e atletikës shqiptare duke u bërë e para sportiste që arrin të kualifikohet në finalen e një Kampionati Botëror. Gega madje mahniti edhe në finale ku regjistroi një rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa.

Ajo e ndali kronometrin në kohën 9:19:93, rezultat që e renditi në vendin e 9-të në botë. Pas këtij suksesi të jashtëzakonshëm, në një intervistë për “Panorama Sport”, kampionia e atletikës shqiptare rrëfen në 360 gradë jetën e saj sportive dhe private.

Si ndiheni tani që jeni e 9-ta në botë?

Sigurisht jam shumë e lumtur, sepse të jesh mes top 10 atleteve botërore nuk është pak. Që të arrish aty, duhet shumë punë, talent dhe përkushtim. Por unë kam diçka, që kur e arrij një objektiv, nuk më jep më kënaqësi, por kërkoj gjithnjë më tepër. Kur e përmbush objektivin ke një ndjesi të veçantë dhe mendon se a mund të bëje edhe më mirë. Unë besoj se mund të bëj edhe më shumë se kaq dhe në të ardhmen shpresoj që të paraqitem akoma më mirë. Nëse nuk e bëj në Lojërat Olimpike, do ta arrij patjetër në garat e tjera të vitit të ardhshëm.

Si ishte të garoje në Doha me ajër të kondicionuar?

Unë kam qenë në Doha në vitin 2015 në “Diamond League”, garë që mbahej në maj. Kur pashë se çfarë i nxehti bënte, i kam thënë trajnerit që atje nuk do të shkoj më kurrë. Më kërkuan më pas sërish në “Diamond League” në 2017-ën dhe nuk vajta, ndërsa tani në Botëror duhej të shkoja patjetër, sepse nuk kisha rrugë tjetër. Mora vesh që gara do të ishte në stadium me ajër të kondicionuar, pasi aty po bëhen edhe testime për Kampionatin Botëror të futbollit, por gjithsesi nuk e dinim se si do të ishte. Ndërsa kur e pamë nga afër dy ditë para garave, kuptuam që ishte vërtet diçka tjetër dhe kushtet atmosferike ishin optimale. Mendoj se për këtë arsye shumë sportistë kanë dhënë rezultatet e tyre më të mira në këtë event.

Çfarë ju bën të ndiheni mirë?

Kur bën gjithë atë lodhje, sakrificë, duke qëndruar në mal, në kushte të vështira, në të ftohtë, në vapë, në shi dhe kur arrin atë objektivin që i ke vënë vetes, të bën të ndihesh vërtet mirë. Unë kam pasur edhe momente zhgënjimi, ku e gjithë lodhja dhe sakrificat nuk janë finalizuar me pjesëmarrje në garë për shkaqe dëmtimesh, apo kam bërë paraqitje të dobët.

Si është një ditë e zakonshme e Luiza Gegës?

Zakonisht kryej dy seanca stërvitje dhe po ju tregoj për ditët normale, kur vijoj përgatitjet gjatë gjithë vitit. Zgjohem në orën 7:00, sepse më duhet të konsumoj mëngjesin, pasi në orën 9:30 apo 10:00 duhet të nis seancën e parë të stërvitjes. Para sigurisht që pi një kafe, sepse është shumë e rëndësishme për ne sportistët. Pasi na mban më të karikuar dhe më të gatshëm për të nisur stërvitjen. Më pas kthehem nga stërvitja, bëj dush e bëhem gati për drekën.

Pas dreke duhet të fle 1 orë apo diçka më tepër. Më pas zgjohem dhe gradualisht bëhem gati për seancën e dytë të stërvitjes, ku gjatë verës e bëj në orën 6:00 të pasdites, ndërsa në dimër mundohem ta bëj më herët. Pas stërvitjes ndoshta mund të pi ndonjë kafe ashtu siç jam, pa u ndërruar, pasi nuk të premton koha. Më tej shkoj në shtëpi dhe konsumoj darkën rreth orës 20:00-21:00. Midis këtyre vakteve mund të bëj edhe ndonjë seancë masazhi, kryesisht pas stërvitjeve të forta. Ndërsa rreth orës 23:00 bëhem gati për gjumë.

Pra i gjithë 24-orëshi është i zënë, sepse duhet patjetër të plotësoj edhe 8-9 orë gjumë, pasi është shumë i rëndësishëm. Nëse unë e prish qoftë edhe një ditë këtë regjim, më duhen dy ditë që ta marr veten, sepse jam mësuar vërtet me regjim shumë strikt. Pra jeta e një sportisti është shumë rutinë, të cilën dua ta përkufizoj me vetëm tri fjalë: gjumë, ushqim, stërvitje.

Kush ua ka vendosur emrin?

Emrin ma ka vendosur vajza e xhaxhait, e cila tani jeton në Angli. Ajo e kishte këtë dëshirë dhe sigurisht që i pëlqeu edhe familjes.

Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë karrierës suaj?

Ka qenë koha kur unë u dëmtova para Lojërave Olimpike në vitin 2012. Domethënë pas Kampionatit Evropian ku unë dola e dyta, vija me diçka të paarritur më parë. Shkova e dëmtuar në një event madhor si olimpiada dhe ka qenë vërtet e vështirë, qoftë në aspektin psikologjik, por gjithashtu pasi kisha bërë një sezon të lodhshëm dhe nuk munda ta finalizoj ashtu siç prisja.

Cili ka qenë gëzimi më i madh?

Ndoshta kur u shpalla nënkampione Evrope, pasi ishte diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe u komentua shumë. Më pas sigurisht që ka pasur edhe momente të tjera, kur dola kampione e Mesdheut duke vendosur rekord, apo tani kur u rendita e nënta në botë.

Jeni e pasur, apo e varfër?

Nuk mund ta përkufizoj veten të varfër, por thjesht mbaj veten, vetëm kaq.

Çfarë vlerësoni më shumë te njerëzit?

Vlerësoj sinqeritetin, pasi e urrej gënjeshtrën. Nëse më gënjejnë qoftë edhe për diçka pa vlerë, mua më mbetet mendja aty. Kështu që njerëzit e sinqertë i vlerësoj.

Cila ka qenë gara më e vështirë?

Mund të them kjo e fundit në Kampionatin Botëror të Dohas. Ishte një konkurrencë shumë e fortë dhe unë vija me pretendime. Një garë me shumë emocione dhe e vështirë, sidomos eliminatoret, pasi rezultatet ishin shumë të ngushta.

Cili është pengu më i madh?

Që nuk arrita të merrja pjesë në Lojërat Olimpike në vitin 2012.

Çfarë do të donit të ndryshonit në karakterin tuaj?

Do të doja të isha pak më optimiste si natyrë, pasi jam një tip që mendoj më shumë për anët e këqija të gjërave se sa të mirat.

Sa oferta keni pasur për të garuar me flamur tjetër?

Nuk është se kemi pasur oferta zyrtare, por mund të them që shtete si Azerbajxhani dhe Turqia kanë treguar interes.

A jeni e kënaqur nga trajtimi që ju bëhet në Shqipëri?

Absolutisht jo! Sidomos kur stërvitem jashtë e kuptojmë se sa pak vlerësohemi. Ju them një rast gjatë një stërvitjeje në Florida, aty ku shkova sepse është një vend i ngrohtë, ndërkohë që me këtë rast u takova edhe me motrën që jeton atje. Stërvitesha në një kolegj dhe kur më shihnin, mendonin se isha e vogël.

Trajnerët e kolegjit pyesnin “sa vjeç është kjo vajza që të stërvitet me ne?” Të ofrojnë bursa dhe të vlerësojnë shumë. Ndërkohë, kur mendoj se si i kam pasur hapat, ndonjëherë më vjen vërtet keq kur shikoj që kam lindur në një vend me kushte të tilla, që nuk i shkojnë fare pasionit tim

Cili është ushqimi i preferuar?

Jam mishngrënëse dhe nëse qëndroj më shumë se dy ditë pa konsumuar, sidomos mish të kuq, filloj e bëhem nervoze. Gjithashtu më pëlqejnë edhe pastat.

Cila është kënga e preferuar?

Është një këngë e Eugent Bushpepës, “Pranë finishit” titullohet. Një këngë që më pëlqen shumë dhe gjej veten në atë tekst.

Jeni e fejuar, e dashuruar…?

Jo. Jam tërësisht e fokusuar te sporti, sa që edhe mami më thotë kur do heqësh dorë, pasi privohem nga gëzimet familjare dhe gjithçka tjetër.

Çfarë ju mërzit më shumë?

Kur nuk më ecën stërvitja, ose kur nuk ndihem shumë mirë. Domethënë kur unë nuk arrij ta realizoj ashtu siç dua apo ashtu siç e kërkon trajneri stërvitjen, atë ditë më mirë mos të më flasësh fare. Nuk e di pse e përjetoj kaq shumë dhe në këtë mënyrë. Nuk është mirë, por s’e kuptoj pse më ndodh, por mbase nga që unë jam e fokusuar plotësisht vetëm te sporti.

Çfarë ju lumturon?

Kam dy nipër dhe mbesa dhe janë ata që më lumturojnë më së shumti.

A e keni parë ndonjëherë serialin vizatimor, “Liza në Botën e Çudirave”?

(Qesh), sigurisht edhe si film artistik edhe në versionin e animuar.

Ju pëlqen si film?

Po, patjetër.

Po ju a ndiheni ndonjëherë këtu në Shqipëri si në botën e çudirave?

Varet nga këndvështrimi. Por është çudi, qoftë për vendin dhe për atë që bëj. Po ju jap një shembull konkret: Kur dal për vrap nga Liqeni Artificial, 30 për qind e njerëzve që më flasin më urojnë, ndërsa 70 për qind e tyre më thonë: Çfarë bën? Po lodhesh? Shiko sa je dobësuar. Ndonjëherë më vjen vërtet çudi, pasi njerëzit nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të bësh sport në këto nivele. Kështu që në shumë raste mund të them që ndihem vërtet si në botën e çudirave këtu.

Cila është mbështetja juaj më e madhe?

Pa diskutim trajneri, i cili më ka mbështetur që në fillimet e mia dhe vazhdon ta bëjë. Fatkeqësisht trajneri, pasi duhet të ishte shteti mbështetja më e madhe. Nga shteti kam kërkuar vetëm plotësimin e kushteve të infrastrukturës.

A keni motra, vëllezër? Cila është familja juaj?

Jemi 5 fëmijë. Katër motra dhe një vëlla, ku unë jam fëmija i dytë. Jam e vetmja që merrem me sport.

Kush ju kritikon më tepër?

Në fakt, jam vetë shumë kërkuese ndaj vetes, por mund të them që trajneri është ai që më kritikon më së shumti.

Stërmasi hyn te trajnerët e rreptë, apo është i butë?

Shumë i rreptë. Ju tregoj një rast para disa vitesh, kur trajneri Stërmasi punonte në një institucion dhe vinte direkt me veshjen serioze të punës në stadiumin ‘Qemal Stafa’ ku ne stërviteshim. Kur futej ai, ne thoshim të gjithë me shaka: Tani erdhi Hitleri.

Çfarë nuk shkon në Shqipëri me sportistët elitarë?

Ata që janë drejtues të sportit nuk kuptojnë se çfarë është sporti elitar. Një sportist elitar ka një vlerësim të ndryshëm nga një sportist normal.

Sporti elitar do kushte të tjera, nuk do vetëm infrastrukturë, pasi kjo është një pjesë procesi për sportin masiv. Sportistët elitarë kanë nevojë për grumbullime të herëpashershme, duhen mjekë të specializuar, nevojiten psikologë, të paktën me seanca mujore. Duhen analiza të specializuara të përhershme, të cilat ne i bëjmë me lekët tona. Pra shteti duhet të mbulojë kostot që i duhen një sportisti që klasifikohet elitar, ashtu siç ndodh në të gjithë botën, së bashku me trajnerët.

Sa mbrapa jemi me të tjerët?

Jashtë Shqipërisë, buxheti për një sportist të nivelit të lartë shkon 1 milion dollarë, ndërsa neve për të mbuluar vetëm shpenzimet na duhen 65 mijë dollarë, ndërkohë që nuk marrim as 5. Këtu e kupton se çfarë diferencash ekzistojnë.

A ju pëlqejnë bizhuteritë?

Sigurisht që më pëlqejnë dhe shpenzoj shumë për këtë pjesë si të gjitha vajzat. Gjithnjë edhe në aeroporte kur kam disa orë transit, do shkoj patjetër të blej ndonjë.

Çfarë makine përdorni?

Momentalisht po përdor një Audi A4, sigurisht që nuk është e imja, po na e ka mundësuar dikush që ta përdor për dy vite për të shkuar në stërvitje.

Çfarë apeli keni për të rinjtë që frymëzohen nga ju?

Duhet të më shikojnë si shembull dhe do t’u jap vetëm një arsye. Në qoftë se vërtetë e ke pasion dhe e dashuron diçka, edhe në kushte të vështira do ta gjesh mënyrën për t’ia dalë. Ndoshta jo ashtu siç ti do të doje, por në një farë mënyre e gjen mundësinë.

Nëse nuk do të ishit bërë atlete, çfarë do të kishit bërë në jetë?

Nëse këtu do të ishte mami apo motra ime, do të thoshin që kur isha e vogël isha shumë e pasionuar pas dizajnit të rrobave të kukullave. E kam nisur sportin shumë e vogël dhe s’kam menduar se çfarë mund të isha bërë, por them se mund të isha një stiliste.

Keni marrë mesazhe urimi nga shteti për rezultatin fantastik të Botërorit?

Kam marrë urim nga kryetari i Bashkisë Tiranë, i cili në fakt më uron gjithnjë. Për këtë pjesë dua ta falënderoj, pavarësisht se unë e kritikoj dhe do ta kritikoj gjithmonë, pasi nuk po na bën një pistë. Nuk na ka dhënë një përgjigje negative, por ende nuk është bërë asgjë. Një mesazh morëm nga zv.ministri i sporteve, për të cilin kam kritika, jo drejtpërdrejt për të, por për politikën që po ndjek ministria, këtu e kam fjalën për pistën e tartanit.

Gjithashtu më ka uruar edhe shefi i shtabit të përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ishte i vetmi që na kërkoi një takim për të na shprehur mirënjohjen. Presidentin e federatës e kishim atje me vete dhe ai e pa nga afër të gjithë garën dhe të them të drejtën u emocionua pasi ishte një rezultat historik. Presim të bëjmë një takim edhe me Komitetin Olimpik të cilët kanë qenë mbështetësit e mi kryesorë ndër vite.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat