Më pak disiplina por më shumë spektakël

Atletika

Më pak disiplina por më shumë spektakël

Më: 7 nëntor 2019 Në ora: 18:28
Më pak disiplina por më shumë spektakël

Diamond League shkurton kalendarin me katër disiplina, ku spikat pikërisht gara e 200 metrave. Sezoni i ardhshëm do të ketë pra katër disiplina më pak dhe drejtuesit e këtij aktiviteti ranë dakord për të hequr nga programi i vitit 2020 garat në 200 metra, 3000 metra me pengesa, garën e hedhjes së diskut si dhe kërcimin tre-hapësh. Drejtuesit e IAAF-it Federatës Ndërkombëtare të Atletikës morën një vendim të tillë nisur pikërisht nga popullariteti i garave dhe studimet e ndryshme i çuan organizatorët në përfundimin se këto ishin pikërisht katër garat më pak të ndjekura, gjatë një sezoni të Diamond League-s. Një iniciativë e tillë u ndërmor për të shkurtuar pikun e transmetimit të garave të këtij kompeticioni, në funksion të rritjes së shikueshmërisë.

Edicioni që u mbyll vetëm pak muaj më parë, me garat finale në fundin e gushtit dhe fillimin e shtatorit respektivisht në Zyrih dhe Bruksel, ishte një edicion jubilar, pasi Diamond League e bëri debutimin si aktivitet në vitin 2010, megjithatë gjatë kësaj dekade garat më të rëndësishme u përqëndruan në një hark kohor prej dy orësh, me qëllim përmbledhjen e disiplinave të ndryshme dhe ndjekjes sa më të mirë të garave, në aspektin e të drejtës televizive. Diamond League është shndërruar padyshim në një ndër aktivitetet më të ndjekur të “mbretëreshës së sporteve” dhe drejtuesit e IAAF-it arritën në përfundimin se për të patur një shikueshmëri më të lartë nevojitej shkurtimi akoma më tepër i pikut të garave, duke reduktuar kështu orarin e transmetimit nga 120′ në 90′. Nga sezoni i ardhshëm do të ketë nga 12 disiplina, në cdonjërin prej 15 mitingjeve të këtij kompeticioni.

Për hir të së vërtetës këto katër disiplina do të jenë të pranishme, por thjesht si gara ekzibicioni apo përgatitore. Kështu disiplinat në 3000 metra me pengesa dhe 200 metra do të zhvillohen në 10 mitingje, ndërsa dy disiplinat e tjera, hedhja e diskut dhe kërcimi tre-hapësh do të mbahen në vetëm 2 nga 15 etapat që përmban gjithsej programi vjetor i këtij aktiviteti, sidoqoftë në fund në garën përmbyllëse që konsiderohet edhe si finalja e sezonit, në mitingun Weltklasse, që do të mbahet në Stadiumin Letzigrund të Zyrihut, në mënyrë të kuptueshme asnjë nga katër disiplinat e hequra nga lista e garave nuk do të jetë e pranishme. Lordi Sebastian Coe, që është edhe presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Atletikës shpjegoi se një ndryshim i tillë u bë jo vetëm për t’i përshpejtuar gjërat, por gjithashtu për të krijuar edhe një ligë globale akomë më tërheqëse, që do të shërbejë njëkohësisht edhe si vitrinë për “mbretëreshën e sporteve”, duke përmbushur në këtë mënyrë jo vetëm dëshirën e fansave të shumtë por gjithashtu edhe kërkesat e transmetuesve të ndryshëm, sidoqoftë numri 1 i atletikës botërore deklaroi se e kupton më së miri zhgënjimin e atletëve të shumtë të këtyre katër disiplinave, që preken nga një ndryshim i tillë.

Ky vendim ka sjellë natyrisht edhe reagimin e atletëve të ndryshëm, ku nuk mund të mungonte as sprinteri nga Shtetet e Bashkuara Noah Lyles, që gjatë vitit 2019 fitoi titullin e Diamond League-s si në disiplinën e 100 m. ashtu edhe atë të 200 metrave. Federata Ndërkombëtare e Atletikës e ndërmori një hap të tillë pas shtimit të popullaritetit dhe rritjes së kërkesave nga vende si Kina, Franca, Afrika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara, ndërkaq shumë studime dhe analiza u kryen në shtete si Belgjika, Britania e Madhe apo dhe Zvicra, por gjithashtu një tregues i mirë me sa kuptohet ishte edhe numri i klikimeve në llogarinë e vetë Diamond League-s, në rrjetet sociale, Nisur nga popullariteti në bazë të studimit u arrit në përfundimin se hedhja e diskut, kërcimi tre-hapësh si dhe 3000 metrat me pengesa renditeshin pikërisht në tre vendet e fundit, ndërsa gara e 200 metrave u hoq nga organizatorët për shkak të ngjeshjes së kalendarit, meqë është edhe viti i Lojërave Olimpike të Tokios, duke lënë kështu si mundësi për sprinterët vetëm garën më të shkurtër, atë të 100 metrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat