Shqiptarja bën senzacion, thyen rekordin 40-vjeçar në Maqedoninë e Veriut

Atletika

Shqiptarja bën senzacion, thyen rekordin 40-vjeçar në Maqedoninë e Veriut

Nga: Kemajl Goca Më: 2 shkurt 2020 Në ora: 13:26
Shqiptarja bën senzacion, thyen rekordin 40-vjeçar në Maqedoninë e Veriut

Atletja e mirënjohur shqiptare, Drita Islami, po dëshmohet gjithnjë e më në formë dhe thyen rekordin shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Drita po tregon klasin e saj, zuri vendin e parë në disiplinën 400 metra, duke thyer rekordin, ndërsa tani e ka fokusin që të përgatitet maksimalisht në 400 metra me pengesa për të siguruar normën për Lojërat Olimpike  - “Tokyo 2020”.

Është e motivuar deri në pikën e fundit, pretendon të rrisë edhe më shumë formën dhe të jetë gati për sfidat e mëdha, sidomos për Lojërat Olimpike.

“Unë me të vërtetë e doja këtë rekord dhe punova shumë, bëra tri gara në tri javë duke filluar me 56.74 që ta përmirësoja në 56.62 dhe gara e tretë ishte ajo për të cilën po luftoja.

Image

Ky është rekordi im i 6-të shtetëror, por duhet të them që ky është i preferuari im pasi është rekordi më i vjetër që daton nga viti 1980 i cili ishte 56.49 dhe është një rekord i vjetër 40-vjeçar. Dua të falënderoj Federatën e Atletikës së Maqedonisë, Agjencinë e Rinisë dhe Sporteve për përkrahjen, gjithashtu edhe familjen time dhe natyrisht trajneren time Aleksandra Vojneska Zikova, e cila besoi në mua dhe më nxiti të ec përpara”, ka thënë Islami.

Ky rekord përveç që e motivon edhe e obligon që të punojë më shumë, që të arrijë kohën edhe më të mirë në të ardhmen.

Vajza nga Maqedonia e Veriut përgatitet për sfidën e radhës, Kampionatin Ballkanik që do të mbahet në mes të muajit shkurt. Jo vetëm për Kampionatin Ballkanik, por gjatë verës do të zhvillohet edhe Kampionati Evropian, ku synon të arrijë rezultate sa më të mira. 

“Bota sot”: Sa ishte vështirë të thyhet rekordi?
Drita Islami:
Mund të them që nuk ka qenë edhe shumë e vështirë sepse isha në formë të mirë që nga gara e parë, që e fillova shumë mirë sezonin dhe ju afrova shumë rekordit duke vrapuar 56.74, pastaj vrapova përsëri ku ju afrova edhe më shumë rekordit duke përmirësuar kohën time në 56.62 dhe gara e tretë ishte kohë rekord 56.35 për të cilën edhe po luftoja. Rekordi ka qenë i vjetër 40 vite që nga 1980 dhe ka qenë ky motivi kryesor që me shtyu te vrapoj kohë rekord.

“Bota sot”: Cilat janë synimet?
Drita Islami:
Synimet e mia janë ta përmirësoj rekordin në Kampionatin Ballkanik me 15 shkurt, pasi që kjo do të jetë gara e fundit për këtë vit në salla të mbyllura, dhe pastaj të vazhdoj përgatitjet për sezonin e verës ku qëllimi im kryesor është të arrij normën për Kampionatin Evropian, që do të mbahet në Paris. Kam edhe shumë rekorde tjera për synim, mirëpo fokusi do të jetë tek evropiani.

Image

“Bota sot”: A mendoni se mund te arrini në Olimpiadë, sa jeni optimiste?
Drita Islami:
Asgjë nuk është e paarritshme edhe pse për Olimpiadën në Tokio sistemi kualifikues ka ndryshuar dhe është bërë shumë më i vështirë se olimpiadat tjera, por unë jam në një formë të mirë, do t’i afrohem shumë normës por do të vazhdojë të stërvitem edhe më shumë për ta arritur atë normë e cila është edhe synimi im kryesor në karrierë, por nëse jo tash në Tokio 2020 atëherë në Parisin 2024, jam e sigurt që do ta arrij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat