Masllavica: Shtanga nuk rrezikohet nga virusi, domosdoshmëri rikthimi i stërvitjes normale

Atletika

Masllavica: Shtanga nuk rrezikohet nga virusi, domosdoshmëri rikthimi i stërvitjes normale

Më: 22 prill 2020 Në ora: 08:51
Theodhor Masllavica

Sporti është në situatë të vështirë, sikurse të gjithë fushat shoqërore, nisur nga izolimi për shkak të pandemisë së Covid-19. Por ka sporte individuale që nuk paraqesin rrezik infektimi, për vetë specifikën që ato kanë dhe peshëngritja është një prej tyre. Për këtë karakteristikë, por edhe nevojën e një përgatitje më të gjerë të sportistëve të saj elitarë, që janë baza e ekipit olimpik shqiptar, kreu i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Theodhor Masllavica, thekson se është i domosdoshëm kthimi i normalitetit stërvitor, e më tej akoma, ai insiston që të lëvrohen financat për peshëngritjen, duke kritikuar sjelljen e KOKSH-it që nuk i është përmbajtur premtimeve të bëra. Nga ana tjetër, duke folur për gazetën “SOT”, Masllavica kujton përpjekjet që po bën FSHP-ja për të mbajtur në majë sportistët e saj elitarë, me shpresën se pikërisht peshëngritja do t’i sjellë vendit një medalje olimpike nga Lojërat e Tokios. Më poshtë jepet intervista me kreun e FSHP-së, Masllavica.

-Si paraqitet situata në peshëngritjen shqiptare aktualisht?

Gjendja është jo e mirë, diktuar nga masat kufizuese për shkak të pandemisë së koronavirusit. Jemi përpjekur t’u plotësojmë kushtet sportistëve elitarë, duke u çuar shtangën në shtëpi, por kjo nuk është zgjidhje afatgjatë dhe nuk mendoj se sjell përmirësim të parametrave stërvitorë për sportistët, prandaj është i nevojshëm kthimi në normalitet. Peshëngritja nuk është sport që paraqet rrezik sikurse sportet kolektive. Ky është një sport individual ku krijohet vetvetiu mundësia e distancimit fizik dhe krijon mundësi për një stërvitje normale, kuptohet, duke bërë kujdes që të largohet mundësia e infektimit. Edhe pse një pjesë e sportistëve vijojnë programin stërvitor në shtëpi, nuk e shoh zgjidhje, përkundrazi, duhet të shkojnë pranë palestrave përkatëse.

-Cila është gjendja e sportistëve?

I kam monitoruar, kemi bërë gjërat e duhura brenda mundësive tona. Për momentin Daniel Godelli po stërvitet në Peqin, Briken Calja në Shtërmen, kurse Erkand Qerimaj ka leje provizore dhe stërvitet rregullisht. Nga vajzat, Evangjeli Veli stërvitet në palestrën e saj në Greqi, sikurse dhe disa sportistë të tjerë kanë gjetur mënyra të ndryshme për të mbajtur formën. Problemi ynë si federatë janë të rinjtë, pasi nuk kanë mundësi tjetër përveç vendeve të përcaktuara, prandaj jemi të interesuar të kthehet stërvitja normale e tyre.

-Problemi i vërtetë i federatave tona sportive është buxheti. Po shtanga a është e kënaqur?

Ne kemi një fond grant nga shteti, që është lëvruar, por është bllokuar në thesar. Pra, praktikisht ne nuk kemi para për të financuar ndonjë projekt në këtë moment. Nga ana tjetër, jam shumë i zhgënjyer nga KOKSH-i. Ata na kanë 10 mijë euro borxh dhe ne kemi shumë nevojë për këto para. Ju e dini që ne jemi sport medaljesh ndërkombëtare, por sportistët tanë dhe federata jonë ka nevojë për financim që të ruajë këtë performancë. Shtyrja e aktiviteteve sportive prej Covid-19 ishte keq për ne, pasi sportistët gëzonin formë të mirë, sidomos Briken Calja, që është shpresa jonë për një medalje olimpike. Sidoqoftë, përtej vështirësive, përpiqemi t’u gjendemi afër sportistëve në këtë periudhë.

-A keni informacione nga Federata Botërore e Peshëngritjes çfarë do të bëhet me aktivitetet që ishin në kalendar?

Për momentin nuk kemi informacion, kjo dhe për faktin se në Federatën Botërore kanë ndodhur ndryshime. Presidenti i saj, Tamas Ajan, ka dhënë dorëheqjen dhe situata e tanishme është krejt e paqartë dhe për ata vetë. Të shohim çfarë do të ndodhë dhe çfarë vendimesh do të merren.

-Ju si federatë keni ndarë një pjesë të buxhetit për sportistët elitarë, një financim inkurajues për medalje ndërkombëtare. A do të vazhdojë ky financim?

Financimi i elementëve që kanë rezultate të larta do të vazhdojë, patjetër, por fatkeqësisht në këtë moment nuk kemi asgjë në dorë. Jemi totalisht jashtë loje. Pa u zhbllokuar fondi nga thesari dhe pa nisur aktivitetet nuk mund të bëjmë asgjë. Unë e thashë, shtanga jonë ka shpresën e vetme për medalje olimpike, që është Briken Calja, por KOKSH na ka zhgënjyer deri tani. Padyshim, është dhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) që mund të na japë një ndihmë, por kjo mbetet për tu parë. I kemi çuar sportistët në garat ndërkombëtare, si në Itali e gjetkë, me paratë tona. Na thanë “po”, e në fund nuk na dhanë asgjë. Deri tani asgjë, për këtë jam shumë i zhgënjyer. Kanë marrë financime shumë federata, por e jona nuk përfitoi. Kurse MARS na ka premtuar mbështetje për shtangistin B. Calja, kjo është inkurajuese.

-Si e parashikoni të ardhmen e veprimtarive sportive për këtë vit?

Ne kishim një kalendar të ngjeshur me veprimtari sportive dhe ishim përgatitur për të pasur sukses në çdo front, por kjo situatë na prishi punë dhe na nxori jashtë projekteve tona. Kishin planifikuar gara kombëtare e ndërkombëtare, por asgjë për momentin nuk mund të them, sepse kjo situatë është e rëndë për sportin kudo në botë. Frika e një infektimi të mundshëm me koronavirus është e madhe, për këtë bëjmë kujdes, por unë e thashë dhe më sipër që sporti i shtangës është sport individual, nuk paraqet rrezik dhe duhet të ketë një tolerim që të rinjtë e të rejat t’u kthehen stërvitjeve normale, kuptohet, duke bërë kujdes me distancat sipas udhëzimeve përkatëse.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat