Fikret Shatri nis vrapin e gjatë 257 km, nga Prishtina në Tiranë

Atletika

Fikret Shatri nis vrapin e gjatë 257 km, nga Prishtina në Tiranë

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 19:10
Fikret Shatri

Ish-trajneri dhe tanimë atleti Fikret Shatri është nisur sot për të realizuar rrugëtimin sfidues prej 257 kilometra nga Prishtina në Tiranë.

Me këtë rast vet atleti është shprehur i bindur se do t’ia dalë të përfundojë një vrapim të tillë, duke parë edhe mbështetjen e madhe që e ka marrë nga miqtë e tij, vrapuesit të cilët do ta mbështesin atë gjatë këtij vrapimi.

Shatri: Besoj se do t’ia dal

“Besoj që jam i përgatitur, besoj që do t’ia dal. Me ndihmën e miqve të mi, vrapueseve të cilët kanë me më mbështet kështu që kemi me ia dal, definitivisht kemi me ia dal sepse djem e UÇK-së e kanë pasur shumë më të vështirë në luftën 98-99, unë e kam shumë lehtë në 2020, kështu që definitivsht sfidë ka me qenë po ka me qenë e përballueshme”, tha Shatri.

E pranishme gjatë nisjes së atletit nga Istogu ishte edhe ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi e cila i dha mbështetje të mëdha atletit që njëkohësisht është edhe pjesëtar i ministrisë që ajo udhëheqë.

Pos kësaj Dumoshi u shpreh se do të kujdeset në maksimum për udhëtimin e atletit dhe do të njoftohet shumë shpesh rreth gjendjes së Shatrit.

Dumoshi: Përkushtimi i Shatrit i nderon të gjithë ata që ranë për liri

“Përkushtimi i tij jep një mesazh, një mesazh që i nderon të gjithë ata që kanë rënë për lirinë e Kosovës, një mesazh të paqes që mos të ketë luftëra askund në botë por të zhvillohet sporti. Ashtu siç është zyrtar që punon shumë për shkollat e sportit, ashtu do të na kthehet dhe do ta presim edhe më mirë. Sigurisht që edhe Shqipëria do ta presë një njeri të vetin dhe i urojmë shumë sukses, i urojmë që ta ketë të lehtë këtë përkushtim të vetin sepse rruga është shumë e gjatë”, tha Dumoshi.

Shatri pritet të arrijë në Tiranë më 4 korrik 2020, ku ka marr premtimin se do të pritet edhe nga i pari i shtetit shqiptar, Ilir Meta.

Kujtojmë që 45-vjeçari nga Istogu njihet për vrapime të gjata, derisa gjatë pandemisë së Covid-19 kishte vrapuar nga Prishtina deri në Istog.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat