Goditje e rëndë për atletikën

Atletika

Goditje e rëndë për atletikën

Më: 21 korrik 2017 Në ora: 15:31
Izmir Smajlaj

Atletika shqiptare merr një goditje të rëndë në prag të kampionatit botëror për të rritur, i cili mbahet në Londër në datat 4-13 gusht. Kandidati potencial për të hyrë në zonën e medaljes, Izmir Smajlaj, është detyruar të heqë dorë nga ky event për shkak të një dëmtimi.
Lajmin e konfirmoi dje në mbrëmje për gazetën “Panorama Sport” kampioni i Europës në kërcimin së gjati. Sipas shtatlartit shkodran, shkalla e dëmtimit ka qenë e rëndë, çka e privon nga rikuperimi në kohë për Botëror. “Mund të konfirmoj mospjesëmarrjen në kampionatin botëror për shkak të dëmtimit në këmbë. Kam marrë dy fraktura dhe gjithçka ndodhi gjatë një seance stërvitore në Shkodër.
smajlaj
Së fundmi bëra edhe një vizitë në Itali me presidentin e Federatës për një kontroll, por përgjigjja ka qenë në disfavorin tim. Tashmë më duhet të bëj pushim dhe se koha është e pamjaftueshme që të jem i gatshëm për Botërorin, pasi na ndajnë vetëm pak ditë.
Megjithatë, me rikuperimin nga ky dëmtim, do të vijoj stërvitjen për të qenë i gatshëm për kampionatin e ardhshëm botëror që do të zhvillohet në Birmnigam, marsin e 2018-ës. Në kuadër të kësaj pjesëmarrjeje, ka mundësi të zhvilloj një fazë përgatitore në Kubë për një periudhë 5-mujore”, deklaroi Smajlaj, i cili bëri historinë në “Mbretëreshën e Sporteve” kuqezi më 4 mars në Beograd me kurorëzimin e tij si kampion i Europës.
Rekordmeni shqiptar zuri vendin e parë me rezultatin 8.08 metra. Pas fitores së titullit europian, Smajlaj do të nderohej në një ceremoni të posaçme nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, me titullin “Mjeshtër i Madh”. Tashmë Shqipëria do të ketë vetëm një përfaqësues në Botërorin e Londrës, Luiza Gegën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat