Mamusha: Është interesim i madh për maratonën e “Malësisë së Gjakovës”

Atletika

Mamusha: Është interesim i madh për maratonën e “Malësisë së Gjakovës”

Nga: Kemajl Goca Më: 5 tetor 2017 Në ora: 15:43
Tirron Mamusha

 

Qyteti i Gjakovës jeton me atletikën! Kudo aromë atletike! Me 7 tetor do të mbahet maratona ndërkombëtarë e “Malësisë së Gjakovës”. Gjithçka është gati, kanë zbarkuar edhe atletët e atletet e para nga shtetet e jashtme. Është viti i dytë që organizohet maratona ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri, një garë që gjithnjë e më shumë po fiton simpati në opinion.

Organizatorët e kësaj gare me KK të Gjakovës kanë bërë të gjitha përgatitjet që kjo garë të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme, janë paraparë edhe shpërblimet për tre vendet e para në të gjitha kategoritë, duke u nisur nga stafeta 4/10 kilometra, 21 kilometra dhe 42 kilometra. Pa dyshim se maratona (42 kilometra) do të jetë e mundimshme, por shumë e këndshme për të gjithë ata që do të jenë pjesëmarrës. Kësaj here pa dyshim se i ka dhënë frymë edhe kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari. Tirron Mamusha, anëtar i Këshillit Organizativ të maratonës, tha se gjithçka shkon ashtu si është parashikuar dhe besojnë e shpresojnë se do të jetë edhe më e fuqishme se e vitit të kaluar.

“Bota sot”: Si shkon ecuria e përgatitjeve para maratonës së “Malësisë së Gjakovës”?

Tirron Mamusha: Jemi në fazën e fundit të përgatitjeve për maratonën “Malësisë së Gjakovës”, pra kanë mbetur edhe dy ditë. Është edicioni i dytë, ku këtë vit ka interesim të madh nga shtetet tjera.

“Bota sot”: Kanë ardhur atletët nga shtetet e jashtme?

Tirron Mamusha: Sot dhe dje ka filluar ardhja e atletëve nga Gjermania, Finlanda, Italia, ndërsa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur Brent Weigner, i cili deri me tash ka përfunduar mbi 147 maratona nëpër gjithë botën.

“Bota sot”: Hera e dytë që mbahet maratona e “Malësisë së Gjakovës”, mund të na tregoni për shtegun?

Tirron Mamusha: Edhe në këtë edicion maratona e Malësisë ndahet në tri kategori: Relay ose stafetë 4x10 kilometra; gjysmëmaratonë 21 kilometra dhe maratonën 42 kilometra. Gara starton me 7 tetor në orën 09.00 në qendër të Gjakovës dhe përfundon në Bajram Curr, ndërsa shtegu për gjysmëmaratonë 21 kilometra përfundon në Morinë.

“Bota sot”: Sa do të jetë vështirë për Komunën e Gjakovës që të organizojë një garë të këtij nivelit?

Tirron Mamusha: Këtë herë maratona organizohet në bashkëpunim me OJQ ‘Pro Cult’. Pritet të jetë një garë e fortë në të gjitha kategoritë. Moto e kësaj maratone është ‘Heforshe’ – ‘Ai për atë'.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat