Gresa e sukseseve, dëshirave dhe pritjeve

Atletika

Gresa e sukseseve, dëshirave dhe pritjeve

Nga: Jakup Kasapolli Më: 26 qershor 2018 Në ora: 16:15
Gresa Bakraçi

Në këto kohë, kur ngjarjet në Kosovë mbulojnë shpejt njëra tjetrën me fenomene dhe paradokse nga më të ndryshme, sporti si lëmi dhe ngjarjet rreth saj, disi mbesin të thuash në margjina të shoqërisë. Ndoshta këtu si përjashtim mund t’i bëhet sportit të xhudos e cila pothuajse është bërë rutinë me sukseset e saj të mahnitshme anekënd rruzullit tokësorë, duke përkujtuar kështu edhe opinionin, se edhe sporti frymon megjithatë në këto anë. Por, ja se, kohë pas kohe, dëgjojmë edhe ndonjë sihariq suksesi nga ndonjë degë tjetër sportive që, jo pak befason, duke ditur se në çfarë kushtesh punojnë e veprojnë sidomos sportistët e sporteve “të vogla”. Kjo në veçanti vlen për  “mbretëreshën” se sporteve - atletikën. E privuar nga mungesa e mjeteve dhe kushteve për veprim, nga  kjo  “mbretëreshë” pothuajse vetëm një e treta e saj është aktive në Kosove – VRAPIMI! Kurse dy të tjerat, hedhjet dhe kërcimet, gati se nuk “gjadhërojnë” moti! (por për këtë ndonjëherë tjetër).

E tregimi nga këta “të vegjlit” ka të bëj këtë herë me Gresa Bakraqin, atleten e shtigjeve të mesme, 800 dhe 1500 metra, që këto ditë u kthye nga Lihtenshtani si përfaqësuese e mini skuadrës së Kosovës (katër përfaqësues), që të gjithë në disiplinat e vrapimit. Gresa ishte e treta ne disiplinën e 800 metrave e në një konkurrencë të fortë nga 13 shtete te vogla të Evropës. Para startit në këtë garë, Gresa ishte e vetëdijshme, se tetë nga këto përfaqësueseve,  kishin kohë më të mirë se ajo. Pikërisht këtu ishte edhe motivi i saj i madh, që të tejkalojë vetëvehten dhe të arrij qëllimin dhe synimin – arriti e treta në cak. 

Sebastian Coe, dorëzon medaljet

Ishte nder i madh, që këtyre tri vajzave të ngjitura në podiumin fitues të kësaj gare në 800 metra, medaljet t’i dorëzoi hiq me pak se kampioni shumëfishtë botërorë i disiplinave të vrapimit të mesëm 800 dhe  1500 metra, Sebastian Coe, fituesi i 10 medaljeve olimpike, katër nga to të arta, e tani aktualisht Kryetari i Federatës Botërore të Atletikës.  

Gresa, pedagoge e kulturës fizike me titull master

Po kush është Gresa Bakraqi në realitet? Kjo vajzë pejane, nxënëse e shkëlqyeshme në shkollë, që nga fëmijëria kishte pasion vrapimin. Ajo u dallua si pioniere dhe më vonë edhe si juniore në shumë gara të vrapimit. Me te mbaruar shkollën e mesme vazhdoj studimet në Tiranë. Nuk e la vrapimin asnjëherë, por studimet ishin në plan të parë. Pas pesë viteve të studimeve (3 bachelor e 2 Master) ajo në mars të këtij viti diplomoi më shumë sukses dhe mori titullin  specialist - pedagoge e kulturës fizike. Trajneri i saj Adnan Demalia, (dikur ylli i atletikës së Kosovës dhe të YU hapësirave të viteve  tetëdhjeta të shekullit të kaluar, në disiplinat 400 e 800 metra) flet më shumë respekt dhe lavd për Gresën. Ai është i bindur, se kjo vajzë nuk e ka thënë fjalën e fundit për mundësit dhe potencialin që ka. Nga përvoja si vrapues, e tani si ekspert i atletikës thotë, se Gresa ka mundësi më të mëdha në 1500 metra se sa në atë 800 metra, përkundër sukseseve që shënon edhe në këtë disiplinë. Rikthimi i saj në vitin 2017 ishte pothuajse eksperimental, por siç thotë vet provokim i adrenalinës, me 14 fitore në Kosovë dhe një jashtë saj.

Viti 2018, vit i sukseseve  ndërkombëtare  dhe “këshilla” e Coes

Image

Jakup Kasapolli

Mbushja e “akumulatorëve” të Gresës ishte vendimtare në pjesëmarrjen e saj në shumë gara jashtë Kosove. Po përmendim garat ndërkombëtare në Elbasan (vendi i parë), Shkup, vendi i parë, Tivar –rekord personal Stamboll – ballkaniada, vendi i tetë, dhe së fundi Lihtenshtani –medalja e bronztë. Nga kjo garë Gresa bartë edhe një kujtim të mirë nga Coe, i cili me të dorëzuar Gresës medaljen, ia dhuron edhe një pako!, duke i thënë: “Merre këtë, por hape dhe haje në fund të vitit pasi deri atëherë ke edhe shumë angazhime e vrapime”. Në pako, kishte disa çokolata për të, dhe duke qeshur tregon Gresa për këtë befasi të papritur nga ylli dhe zyrtari më i lartë i atletikës botërore.

Ushtrimet e Gresës, ferr në vete

Se, ku është katandisur atletika e Kosovë, me kushtet që ajo i ofron atletëve, është histori ne vete. Shembulli i Gresës tregon me se miri këtë mjerim të llojit të vet, Ajo kryesisht ushtron në shtigjet e parkut ‘Karagaç” të qytetit. Shtigje këto që nuk janë as gur, as dhe, as zhavor por ‘makadam” jo i rrafshët. Kushtet e ngjashme janë edhe në stadiumin e qytetit “Shahin Haxhiislami”. Sa herë i jepet mundësia udhëton për në Mitrovicë (nëse i lejohet hyrja) apo në Shkup, për “ta ndie “si thotë ajo “shtegun nën këmbë” – tartanin. Shpenzimet  e udhëtimit e ushqimit i mbulon vet ajo “si donacione” nga, kush tjetër pos nga prindërit e Gresës. Dhe të arrish ndonjë sukses në këto kushte dhe rrethana, është “si ta prekesh qiellin me dorë”, thotë një pedagog sportive, trajner i atletikës. Por ja se shembulli i Gresës është për admirim por edhe ftesë për të gjithë ata që kanë mundësi për “një sadaka” përkrahje dhe të shtrijnë dorën e ndihmës për këta “musketir” të ferrit sportive.

Tartani i cili mbeti ëndërr e pa realizuar e atletëve pejan nga viti 1984, kur flitej atëbotë se, në Pejë planifikohej organizimi i garave ballkanike të atletikës dhe shpresa se do të shtrohet shtegu i atletikës! Por sot e atë ditë, mbeti vetëm ëndërr kjo, edhe 34 vjet më vonë, në pritje të një investimi nga Komuna apo ministria e KRS –së.  

Garat mesdhetare dhe punësimi – caku dhe dëshira e madhe e saj

Fokusi i Gresës në ditët e ardhshme janë përgatitjet intensive për garat e ardhshme mesdhetare në Spanjë. Dëshira e saj është që të ketë shëndet të mirë dhe të mos lëndohet, e për të tjerat të shohim, me premtimin se do të japin maksimumin nga vetja, thotë ajo me modesti. Shpreson shumë gjithashtu, që qeveritarët komunal të zgjasin dorën ndonjëherë për ndihmë modeste materiale, për mbulimin e ndonjë shpenzimi që ka ajo si garuese e suksesshme. Apeli i saj ndaj pushtetarëve është që të llogarisin në të, për mundësin e një vendi pune si pedagoge sportive. Kjo do t’i mundësonte asaj në masë të madhe pavarësinë materiale, si parakusht i rëndësishëm për aktivitetet që e presin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat