Gresa: Ma vodhën vendin e tretë në Tiranë!

Atletika

Gresa: Ma vodhën vendin e tretë në Tiranë!

Nga: Kemajl Goca Më: 9 tetor 2018 Në ora: 18:45
Gresa Bakraqi

Atletja e shtigjeve të gjata, Gresa Bakraqi, është e mllefosur për padrejtësitë që iu bënë në Maratonën e Tiranës 2018.  Gresa vrapoi në dhjetë kilometra, por sipas saj, iu vodh vendi i tretë. Me gjithë reagimet e saja dhe të Federatës Atletike të Kosovës,  kjo hasi në vesh të shurdhët nga organizatorët.  Atletes së kombëtares së Kosovës nuk iu dha çmimi që e meritoi dhe kjo e ka inatosur shumë. “U mbajt Gjysmëmaratona e Tiranës, unë  kam vrapuar 10 kilometra dhe vëzhguesit na vëzhguan prej momentit që ka filluar gara. Dy të parat kanë qenë nga Kenia, kurse e treta kam qenë unë në disiplinën 10 kilometra.

E mbarova garën e treta. Të gjithë më uruan fitoren se isha e vetmja shqiptare që fitova në 10 kilometra. Ka qenë super konkurrencë e madhe dhe i kisha dëshmitarë të gjithë aty. Kur erdh koha e shpërblimit, unë duke u bërë gati për podium se do të më thërrasin emrin për vendin e 3-t, çuditërisht e thirrën një atlete tjetër, jo emrin tim. Ajo atlete s’ka qenë fare e paraqitur në disiplinën 10 kilometra,  por ishte në disiplinën 21 kilometra. Atletet në 10 kilometra kanë qenë me numra e me ngjyrë të kaltër, kurse në 21 kilometra me numra e me ngjyrë të kuqe”, tregon për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gresa.

Image

“Ma morën çmimin që e meritova. S’ka drejt ajo me u fut e me marr çmimin e disiplinës, që ajo nuk i përket. Nuk e di arsyen pse ndodhi kjo në momentin e fundit. Por dua të them që kjo është gjëja më e keqe që mund t’i bëhet një sportisti, duke luajtur me djersën e tij dhe mundin e tij. Prej që jam kthyer nga Berlini kam punuar fortë për këtë garë dhe isha shumë e bindur që do të futem në top 3 më të mirat, sepse isha në formë të mirë. Sidoqoftë unë nuk zhgënjehem me këtë që ndodhi sepse unë formën nuk e kam humb, kam gara të tjera që do e dëshmoj veten. Bile këto lloje padrejtësi po me bëjnë edhe më të fort dhe me këmbëngulësi për mos t’u ndalur”, tha Gresa.  Megjithatë atletja premton se do të jetë edhe më e fortë për edicionin e ardhshëm: “Kur kam Zotin lart dhe  familjen poshtë unë nuk kam arsye që të ndalem, do të vazhdoj dhe do të punoj akoma më fortë.

Shihemi në edicionin e 2019-tës”. Gresa tash vazhdon pushimet: “Fillova pushimin aktivë për disa ditë dhe pas këtij pushimi do të filloj përgatitjet për sezonin tjetër”.  A ju ka demoralizuar ky skandal? “Sidoqoftë unë nuk zhgënjehem me këtë që ndodhi sepse unë formën nuk e kam humb. Kam gara të tjera që do ta dëshmoj veten, bile këto lloj padrejtësi po me bëjnë edhe më të fortë dhe me këmbëngulëse për mos t’u ndalur”, përgjigjet Gresa.

Reagon edhe federata!

Gresa tregon se me këtë rast ka reaguar edhe Federata Atletike e Kosovës: “Federata ka reaguar për padrejtësinë direkt te organizatorët e garës dhe te Federata Atletikes Shqiptare”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat