Ford dhe Volkswagen do të shkëmbejnë teknologjinë për automjete vetë-vozitëse dhe elektrike

Auto

Ford dhe Volkswagen do të shkëmbejnë teknologjinë për automjete vetë-vozitëse dhe elektrike

Më: 7 korrik 2019 Në ora: 07:03
Volkswageni do të ndajë me Fordin platformën e vet MEB për automjetet elektrike

Kompania Ford Motor dhe Volkswagen javën e ardhshme pritet të nënshkruajnë një marrëveshje për të ndarë shpenzimet e zhvillimit të automjeteve vetë-vozitëse (autonome) dhe të prodhimit të automjeteve elektrike, kanë zbuluar dy njerëz që janë në dijeni të këtij diskutimi, shkruan “The New York Times”.

Marrëveshja, e cila pritet të miratohet nga Bordi Mbikëqyrës i Volkswagenit të enjten (11 korrik), do të thellojë aleancën ekzistuese mes këtyre dy kompanive për të prodhuar automjetet komerciale, por do të ishte edhe shumë më ambicioze. Do të ishte shembulli më i ri i asaj se si rivalët e vjetër i bashkojnë forcat gjatë një periudhe të fermentimit të jashtëzakonshëm në industrinë e automobilizmit.

Gjithashtu, Volkswageni do të ndajë me Fordin platformën e vet MEB për automjetet elektrike, sipas një burimi të Reutersit.

Një zëdhënës i Volkswageni refuzoi të komentonte detajet e një aleance të mundshme, por tha se bisedimet me Fordin janë duke u zhvilluar mirë.

“Bisedimet tona me Volkswagenin po vazhdojnë. Diskutimi ishte produktiv në shumë aspekte. Do të njoftojmë publikun kur detajet do të jenë gati”, ka thënë një zëdhënës i Fordit.

Fordi dhe Volkswageni, po ashtu, duhet të investojnë qindra miliarda dollarë në vitet e ardhshme ose të rrezikojnë të bëhen të parëndësishëm. Dhe ata përballen me konkurrentët e rinj si Google dhe Uber me qasje në burime enorme financiare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat