Gara më e madhe në auto sportin e Kosovës, të dielën në Sllatinë

Auto

Gara më e madhe në auto sportin e Kosovës, të dielën në Sllatinë

Më: 2 gusht 2019 Në ora: 21:07
Foto ilustrim

Gara më e madhe, më atraktive, më “e çmendur” më e shumëpritur në auto sportin e Kosovës mbahet këtë të diel në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë.

Bëhet fjalë për Drag Race, e treta për këtë vit. Numri i pjesëmarrësve do të jetë shumë i madh dhe ata kanë aplikuar disa ditë para garës. Edhe interesimi i dashamirëve të shpejtësisë nuk ka dyshim se do të jetë i tillë.

Federata e Auto Sportit e Kosovës (FASK) i ka bërë të gjitha përgatitjet me synimin e vetëm, që gara të ketë rrjedhën e saj më të mirë të mundshme.

Kryetari i FASK-ut, Ismet Rexhepi, shprehet optimist se Drag Race 3 do t’i arsyetojë pritjet e të gjithëve.

“Jemi të vetëdijshëm se bëhet fjalë për garën më të madhe që mbahet në auto sportin e Kosovës, prandaj jemi mobilizuar me kohë dhe tashmë gjithçka është gati për garën. Kanë kaluar disa vjet që po e organizojmë këtë lloj gare dhe kemi fituar edhe përvojë, gjërat janë përmirësuar vazhdimisht dhe besojmë që do të përmirësohemi edhe në të ardhmen. Natyrisht që presim edhe ndihmën institucioneve relevante, por presim edhe kontribut dhe mirëkuptim edhe nga të gjithë ata që më 4 gusht do të jenë të pranishëm në garë“, ka thënë Rexhepi.

Numri i madh i bashkatdhetarëve tanë që aktualisht janë me pushime në vendlindjen e tyre sigurisht që do ta shtojë edhe më tepër intensitetin e garës, qoftë për cilësinë e veturave, qoftë për numrin e garuesve dhe shikueshmërisë.

Muzika, pijet, ushqimi dhe befasitë e ndryshme do t’i shoqërojnë shikuesit gjatë gjithë kohës sa do të zhvillohet gara.

Risia e DragRace, race room

Gara e sivjetme do ta ketë edhe një risi, e cila po ashtu pritet të sjellë atraktivitet dhe interesim.

Në kuadër të garës, përveç adrenalinës në pistë, organizatorët kanë menduar që këtij eventi t’i shtohet edhe adrenalina virtuale përmes një race-room-i, ku të gjithë të interesuarit mund ta provojnë këtë ndjenjë dhe përmes pajisjeve të çertifikuara nga FIA t’i shijojnë pistat e çmendura të F1.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat