​"Tesla" shënoi të ardhura rekord në tremujorin e fundit të vitit të kaluar

Auto

​"Tesla" shënoi të ardhura rekord në tremujorin e fundit të vitit të kaluar

Më: 27 janar 2023 Në ora: 06:54
Foto ilustrim

Të ardhurat dhe fitimi neto i prodhuesit amerikan të automjeteve elektrike "Tesla", arritën nivel rekord në tremujorin e fundit të vitit të kaluar me 24.3 miliardë dollarë, gjegjësisht 3.7 miliardë dollarë.

"Tesla" bëri të ditur bilancin për periudhën tetor-dhjetor të vitit 2022.

Sipas kësaj, të ardhurat e kompanisë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak janë rritur me 37 për qind duke arritur në 24.3 miliardë dollarë. Kompania në çerekun e katërt të vitit 2021 realizoi 17.7 miliardë të ardhura.

Të ardhurat e "Tesla"-s që arritën në nivel rekord gjatë kësaj periudhe, tejkaluan edhe pritjet e tregut që ishin në nivelin 24.2 miliardë dollarë. Të ardhurat e kompanisë edhe gjatë gjithë 2022-shin shënuan rritje prej 51 për qind duke arritur në 81.5 miliardë dollarë transmeton Anadolu Agency.

Fitimi neto i kompanisë në çerekun e katërt të vitit të kaluar në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak shënoi rritje prej 59 për qind duke arritur në 3.7 miliardë dollarë. Fitimi neto i "Tesla"-s në tremujorin e fundit të 2021 ishte 2.3 miliardë dollarë.

Në bazë vjetore, fitimi neto i kompanisë vitin e kaluar shënoi rritje dyfish duke arritur në 12.6 miliardë dollarë. Fitimet për aksion të kompanisë në çerekun e katër të 2021 ishte 0.68 dollarë ndërsa të njëjtën periudhë vitin e kaluar u rrit në 1.07 dollarë.

"Tesla" në vitin 2022 në shkallë globale dorëzoi 1.313.851 automjete. Gjithashtu edhe prodhimi i automjeteve në bazë vjetore në vitin 2022 u rrit me 47 për qind ndërsa me 40 për qind u rrit numri i automjeteve të dorëzuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat