Mashtrim me emetimet, Audi paguan 800 milionë euro gjobë

Auto

Mashtrim me emetimet, Audi paguan 800 milionë euro gjobë

Më: 16 tetor 2018 Në ora: 14:29
Ilustrim

Audi ka pranuar të paguajë gjobën 800-milionë euroshe të vendosur nga prokurorët gjermanë në vazhdën e një hetimi mbi mashtrimin me emetimet, edhe pse kjo do t’i prekë direkt fitimet e tij për vitin 2018.

Kompania e pranoi përgjegjësinë për problemet në disa motorë V6 dhe V8 e nuk ka në plan ta apelojë vendimin. Nga sa pohuan drejtues të tij, makinat e prekura u reklamuan e iu shitën blerësve në mbarë botën në periudhën e viteve 2004-2018. Gjoba do të prekë gjithashtu edhe fitimet vjetore të kompanisë mëmë, Volkswagen-it.

“Mea culpa” e gjigandit gjerman të prodhimit të automjeteve mbi mashtrimin me rregullat e cilësisë së ajrit, ka mbërritur tashmë. Ai i ka pranuar manipulimet me software-t që i bënin emetimet të dukeshin më pak toksike nga sa ishin në të vërtetë. 800 milionë eurot që duhen paguar përfshijnë edhe një gjobë prej 5 milionë eurosh për shkelje administrative, më e larta e dhënë sipas ligjit gjerman.

Prokurorët sqaruan se ndëshkimi financiar përfshin edhe përfitimet nga shitjet e makinave problematike. Skandali i mashtrimit me emetimet mendohet të ketë prekur gati 5 milionë makina të shitura nga grupi Volkswagen në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara dhe lidhet më së shumti me automjetet e pajisura me motorë V6 dhe V8, të prodhuar nga Audi e të vendosur makinave të tij, atyre të Volkswagen-it dhe Porsche-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat