Talebanët bien dakord për ekipet teknike për tërheqjen amerikane

Azia

Talebanët bien dakord për ekipet teknike për tërheqjen amerikane

Më: 31 janar 2019 Në ora: 09:17
Takimi

Shtetet e Bashkuara dhe talebanët kanë rënë dakord të krijojnë dy “ekipe teknike” për të përcaktuar detajet për tërheqjen përfundimtare të të gjitha trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani si dhe për të parandaluar që terroristët të përdorin tokën afgane kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj.

Njoftimi u bë të mërkurën nga grupi kryengritës.

Kryenegociatori për talebanët Mulla Sher Mohammed Abbas Stanikzai, i zbuloi detajet rreth një javë pas diskutimeve maratonë që përfunduan të shtunën në Katar me koordinimin e përfaqësuesin special të SHBA-së për pajtimin në Afganistan, Zalmay Khalilzad.

“Të dy ekipet teknike do të përgatisin propozime, do të marrin vendime dhe do t’i sjellin ato në tavolinë në takimin e radhës në Doha, që do të mbahet më 25 shkurt”, tha zoti Stanikzai për një media pro-talebane.

Ai shtoi se më pas, pritet të organizohet një takim më i madh, me pjesmarrjen e fuqive të mëdha, Kombeve të Bashkuara dhe përfaqësuesve të vendeve islamike që do të jenë të pranishëm në cilësinë e “garantuesve”. Aty do të jepet garanci se të gjitha trupat e huaja do të largohen nga Afganistani dhe talibanët do të japin garancitë e tyre se askush nuk do të lejohet të përdorë tokën afgane për terrorizëm ndërkombëtar.

Pala amerikane do të njoftojë gjithashtu një afat kohor për tërheqjen e trupave, sepse “trupat nuk mund të largohen menjëherë, në një ditë ose në një javë. Do të kërkojë kohë, “- tha zoti Stanikzai, duke shtuar se detajet mbi këtë çështje do të përpunohen nga ekipet teknike. Ai pohoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të ndihmojnë në përpjekjet për rindërtimit e vendit pas tërheqjes së trupave, diçka që sipas tij talebanët e mirëpresin.

“U kemi thënë atyre se pas përfundimit të ndërhyrjes tuaj ushtarake, do të mirëprisnim inxhinierët, mjekët amerikanë e të tjerë nëse duan të kthehen për rindërtimin e Afganistanit”, tha ai. “Ata kanë premtuar se do ta bëjnë këtë.”

Qeveria afgane apo zyrtarët amerikanë nuk kanë reaguar ende ndaj pohimeve të bëra nga negociatori kryesor për talebanët. Në një seri postimesh në Twitter të mërkurën, Presidenti Donald Trump pranoi se negociatat “po ecin mirë pas 18 vitesh luftime në Afganistan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat