Rrafshnalta Golan mund të nxisë “kriza të reja” në Lindjen e Mesme

Azia

Rrafshnalta Golan mund të nxisë “kriza të reja” në Lindjen e Mesme

Më: 22 mars 2019 Në ora: 15:20
Ushtarët izraelitë kryejnë stërvitje në pjesën e pushtuar të Rrafshnaltës së Golanit nga Izraeli.

Siria i cilësoi si “të papërgjegjshme” komentet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, se është koha për të njohur sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën e pushtuar të Golanit.

Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve thuhet se ky është “paragjykim i verbër” i SHBA-së ndaj Izraelit.

E njëjta thekson se Siria është e vendosur të rimarrë zonën "përmes të gjitha mjeteve në dispozicion".

“Trump tregoi përbuzje për të drejtën ndërkombëtare. Kjo nuk do të ndryshojë realitetin që Golani ka qenë dhe do të jetë i Sirisë”, thuhet në qëndrimin zyrtar të Damaskut.

Izraeli e pushtoi Rrafshnaltën e Golanit nga Siria në vitin 1967 dhe e aneksoi atë më 1981, edhe pse ky hap nuk u njoh ndërkombëtarisht.

Komentet e Trumpit paraqesin një kthesë në politikën amerikane për këtë çështje. Në një postim në Twitter, Trump tha se rrafshnalta ka rëndësi strategjike për shtetin e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e falënderoi presidentin amerikan gjatë një bisede telefonike, duke i thënë “keni bërë histori”.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se komentet e Trumpit e sjellin rajonin në buzë të një krize të re.

"Nuk mund të lejojmë legjitimitetin e pushtimit të Rrafshnaltës së Golanit", tha Erdogan.

Irani, një nga mbështetësit kryesorë ushtarakë të presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, tha se deklarata e Trumpit është e rrezikshme.

“Vendimi personal dhe i keq i Trumpit është i rrezikshëm dhe do të çojë në kriza të reja në Lindjen e Mesme”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Bahram Ghassemi.

Netanyahu e postoi edhe në Twitter falënderimin e tij për Trumpin.

“Në kohën kur Irani përpiqet ta shfrytëzojë Sirinë si platformë për të shkatërruar Izraelin, presidenti Trump trimërisht e njohu sovranitetin e Izraelit mbi Rrafshnaltën Golan”, tha Netanyahu.

Rrafshnalta Golan ndodhet rreth 60 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit të Sirisë, Damask, dhe mbulon rreth 1,200 kilometra katrorë.

Në vitin 2017, Trump e njohu edhe Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe urdhëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane atje nga Tel Avivi. Ky vendim u dënua nga palestinezët, të cilët e duan Jerusalemin Lindor për kryeqytet të shtetit të ardhshëm palestinez./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat