Shkon në 25 numri i viktimave të zjarrit në Bangladesh

Azia

Shkon në 25 numri i viktimave të zjarrit në Bangladesh

Më: 29 mars 2019 Në ora: 18:29
Bangladesh

Zyrtarët në Bangladesh kanë njoftuar se numri i viktimave nga shpërthimi i një zjarri të madh në një ndërtesë shumëkatëshe ka shkuar në 25. Ata kanë thënë se viktimat mund të jenë ngujuar brenda ndërtesës për shkak se daljet emergjente ishin bllokuar.

Autoritetet kanë njoftuar se 70 persona janë lënduar, ndërsa gjashtë prej të vdekurve besohet se e kanë humbur jetën pasi kanë kërcyer nga lartësia e madhe në përpjekje për të shpëtuar nga zjarri.

Ende nuk është e qartë se cili është shkaktari i këtij zjarri në zonën tregtare të qytetit. Sidoqoftë, qeveria ka urdhëruar që të kryhet një hetim për këtë fatkeqësi.

Mostaq Ahmed, zyrtar policor në kryeqytetin e Bangladeshit, deklaroi për mediet lokale se të gjitha viktimat janë nxjerrë nga ndërtesa e djegur dhe janë identifikuar. Për më tepër, ai njoftoi se 24 trupa tashmë janë marrë nga familjet e tyre.

Besohet se zjarri ka shpërthyer rreth orës 12 e 50 sipas kohës lokale. Shumë njerëz tjerë janë ngujuar në katet më të larta të ndërtesës pasi dy kate të saj janë djegur plotësisht.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë edhe trupat ushtarake, të cilat kanë hedhur ujë nga ajri përmes helikopterëve, shkruan “BBC”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat