Shkon në 35 numri i të vdekurve nga vërshimet në Afganistan

Azia

Shkon në 35 numri i të vdekurve nga vërshimet në Afganistan

Më: 31 mars 2019 Në ora: 11:01
Afganistan

Zyrtarët afganë kanë thënë se të paktën 35 njerëz kanë vdekur nga vërshimet në Afganistan. Vërshimet kanë shkatërruar shumë shtëpi dhe i kanë bllokuar rrugët që dërgojnë në fshatrat e largëta të vendit.

Vërshimet e mëdha që filluan më 29 mars shkaktuan të paktën 12 viktima në provincën veriore të Faryabit dhe 10 në provincën perëndimore të Heratit. Lajmin e bëri të ditur zëdhënësi i Autoritetit Kombëtar për Menaxhimin e Fatkeqësive, Hashmat Bahaduri.

Tetë njerëz vdiqën në provincën e Badghis dhe pesë të tjerë në provincën e Balkhit, duke shtuar se më shumë se tre mijë shtëpi janë shkatërruar. Përpos kësaj, më shumë se 10 njerëz janë shpallur të zhdukur.

Vërshimet kanë shkatërruar qindra shtëpi, disa zona historike, mijëra hektarë të tokës bujqësore, ura dhe autostrada.

Mir Gulabuddin Miri, drejtor i Gjysmëhënës së Kuqe në Herat, tha se rrugët drejt disa zonave janë bllokuar dhe ekipet e tyre nuk po mund të shkojnë te njerëzit e prekur nga vërshimet.

“Shkatërrimi është i madh. Më shumë se 12 zona në këtë provincë janë goditur rëndë, njerëzit i kanë humbur shtëpitë e tyre. Deri tash kemi shpërndarë vetëm ushqim dhe disa batanije”, tha ai.

Reshjet e mëdha të shiut dhe vërshimet e kanë përfshirë edhe Iranin, ku 44 njerëz kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë lënduar, shkruan “Free Europe”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat