Numri i të vdekurve nga sulmet në Shri Lankë ulet për 100

Azia

Numri i të vdekurve nga sulmet në Shri Lankë ulet për 100

Më: 26 prill 2019 Në ora: 09:47
Një nga kishat që është sulmuar në Shri Lankë.

Shri Lanka ka zvogëluar përreth 100, numrin e personave që fillimisht ishte raportuar se kanë vdekur si pasojë e sulmeve me bomba gjatë ditës së diel, duke thënë tani se 253 persona janë të vdekur.

Ministria e Shëndetësisë ka thënë se vështirësia gjatë procesit të identifikimit të viktimave dhe numri i madh i tyre ka ndikuar në këtë gabim.

Zëvendës-ministri i Mbrojtjes së këtij shteti, Ruwan Wijewardene, ka thënë se morgjet kanë ofruar të dhëna të pasakta.

Një tjetër zyrtar nga sektori i shëndetësisë, i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters, se pasi janë kryer të enjten të gjitha autopsitë, është kuptuar se disa viktima janë numëruar më shumë se një herë.

Sulmet e së dielës kanë prekur qindra persona, disa prej të cilave janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur, në kisha dhe hotele luksoze në Kolombo, Negombo dhe qytetin lindor, Batikaloa.

Shumica e të vdekurve kanë qenë banorë të Shri Lankës, pa përjashtuar edhe të huajt.

Pretendohet se nëntë persona kanë kryer sulmin. Policia ka vazhduar të kryejë bastistje dhe ka publikuar fotografitë e shtatë personave të lidhur me sulmet.

Autoritetet kanë fajësuar grupin ekstremist islamik, National Thowheed Jamath (NTJ), pak pasi kanë ndodhur sulmet, mirëpo kanë shtuar se sulmuesit duhet të kenë marrë ndihmë nga vendet e huaja.

Ndërkohë, grupi militant, Shteti Islamik ka thënë se qëndron mbrapa sulmeve dhe ka publikuar disa pamje kur shihen tetë burra, mirëpo nuk ka dhënë informacione për përfshirje të drejtëpërdrejtë në sulm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat