Së paku pesë pjesëtarë të forcave afgane të sigurisë janë vrarë në një shpërthim vetëvrasës që talibanët e kryen në një stacion policor në qytetin verior të Khumrit.
Një bombë ka shpërthyer dhe disa luftëtarë talibanë i sulmuan me armë zjarri forcat e sigurisë në këtë stacion. Një numër i militantëve thuhet se kanë hyrë në ndërtesën e policisë.
Së paku 41 persona tjerë, përfshirë 30 pjesëtarë të sigurisë, janë plagosur në këtë sulm. Lajmin e bëri të ditur zëvendësdrejtori i sektorit të shëndetësisë në provincën Baghlan, Ahmad Bariz Sahibzada.
Ai tha se numri i të vrarëve mund të rritet për shkak se përleshjet e armatosura janë duke vazhduar.
Zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Nasrat Rahimi, tha se policia i ka vrarë tre sulmues, ndërsa një tjetër e ka hedhur veten në erë.
Raportet për valën e re të dhunës erdhën vetëm dy ditë pasi presidenti i vendit, Ashraf Ghani, kërkoi nga këshilli i lartë që të arrihet menjëherë armëpushimi.
Sidoqoftë, talibanët deklaruan se nuk do ta pranojnë armëpushimin dhe se sulmet do të vazhdojnë edhe gjatë Ramazanit, shkruan “Free Europe”.