Irak: Dënohen me vdekje tre francezë që ishin pjesë e IS-it

Azia

Irak: Dënohen me vdekje tre francezë që ishin pjesë e IS-it

Më: 26 maj 2019 Në ora: 16:04
Foto ilustrim

Tre francezë janë dënuar me vdekje nga një gjykatë në Irak, pasi janë gjetur fajtor se kanë qenë pjesë e grupit militant, Shteti Islamik (IS).

Personat e dënuar, sipas agjencisë së lajmeve AFP janë Kevin Gonot, Leonard Lopez dhe Salim Machou. Ata kanë të drejtë që brenda 30 ditësh të apelojnë këtë vendim.

Tre të dënuarit janë në mesin e 12 shtetasve francezë që janë kapur në Siri nga luftëtarët që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara dhe në muajin shkurt, janë dërguar në Irak për t’u gjykuar.

Franca ende nuk ka reaguar lidhur me vendimin e gjykatës në Bagdad.

Por, kur qytetarët francezë u dërguan në muajin shkurt nga Siria në Irak, atëbotë, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte refuzuar që ta komentonte këtë veprim, duke thënë se kjo është një çështje sovrane e Irakut.

Gjykatat në Irak deri më tani kanë gjykuar qindra militantë të huajë, por asnjëri prej tyre deri më tani nuk është ekzekutuar.

Grupet për të drejtat e njeriut kanë kritikuar ashpër gjykimet e tilla, duke thënë shpesh dënimet mbështeten në prova rrethanore apo nga pranimi i fajit gjatë torturës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat